Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’i dhurojnë Kosovës 33 milionë dollarë amerikanë, ndihmë kjo që lidhet me Objektivat Zhvillimore të USAID-it për pesë vitet e ardhshme.
Marrëveshja është nënshkruar të mërkurën nga ushtruesja e detyrës e Presidentes, Vjosa Osmani, e cila ka thënë se përmes këtij projekti synohet shërbimi më i mirë ndaj qytetarëve nga institucionet llogaridhënëse dhe efektive të qeverisjes, si dhe rritja e mundësive për pjesëmarrje gjithëpërfshirëse demokratike dhe ekonomike.
“Investimi i vazhdueshëm i SHBA-ve përmes projekteve të ndryshme është konfirmim i përkushtimit të përhershëm të qeverisë dhe popullit amerikan kundrejt rritjes së mirëqenies dhe zhvillimit të përgjithshëm social e ekonomik të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj”, ka thënë u.d. Presidentja Osmani përmes një deklarate për shtyp.
SHBA-të janë një nga mbështetësit më të mëdhenj të Kosovës si në aspektin ekonomik ashtu edhe në atë politik.