Sekretari i Shtetit Amerikan, Mike Pompeo ka dënuar një sulm kundër aeroportit të shtetit Eritresë nga forcat e armatosura separatiste nga rajoni Tigray i Etiopisë.
“Ne dënojmë fuqishëm sulmin nga Fronti i Çlirimit të Popullit të Tigray-t kundër Eritresë dhe përpjekjet për të ndërkombëtarizuar konfliktin”, tha Pompeo.
Më 4 nëntor, Etiopia filloi atë që e përshkroi si një operacion të zbatimit të ligjit në Tigray pasi forcat e Frontit të Çlirimit të Popullit të Tigray-t (TPLF) sulmuan komandën veriore të ushtrisë federale të stacionuar në të gjithë rajonin Tigray, duke lënë të vrarë ushtarë dhe duke plaçkitur pasuritë ushtarake.
Kryeministri etiopian, Abiy Ahmed dje tha se përderisa ultimatumi tre-ditor i dorëzimit i dhënë luftëtarëve të TPLF-së kishte mbaruar, masat përfundimtare të zbatimit të ligjit do të merren në ditët në vijim.
Në një postim të shkurtër në rrjetet sociale, Abiy falënderoi ata që iu dorëzuan Forcave të Mbrojtjes Kombëtare të Etiopisë, duke theksuar se “ato forca speciale dhe milicia vepruan me përgjegjësi për të shpëtuar njerëzit e tyre”.
Agjencia e OKB-së për refugjatët ka paralajmëruar se një krizë humanitare në shkallë të plotë po kanoset në Etiopi pasi mbi 27 mijë refugjatë kanë ikur për siguri në Sudanin lindor brenda dy javësh.