Basha pas takimit me ministrin e Jashtëm Luigi di Maio: Italia do ndihmojë Shqipërinë në aksesin e vaksinës anti-Covid

0
172

Kreu i opozitës Lulzim Basha, ka zhvilluar një takim me ministrin e Jashtëm të Italisë, Luigi di Maio.

Pas takimit, Basha ka dhënë një deklaratë për mediat.· Basha: Për herë të shtatë në shtatë vite, Shqipëria rrezikon një “JO” tjetër në procesin e integrimit për shkak të mosplotësimit të kushteve. Reforma zgjedhore, kryekushti i hapjes së negociatave, u zhbë në mënyrë të njëanshme. Sigurova z. Di Maio se opozita do të bëjë gjithçka për ta ndihmuar procesin e integrimit. Pas 25 prillit, qeveria jonë do të lobojë fort për të garantuar fondet që i takojnë një vendi kandidat në të gjithë sektorët. Rama, politikë me vdekjen duke fshehur të dhënat reale të numrit të vdekjeve nga COVID. I kam bërë thirrje Prokurorisë të sekuestrojë urgjentisht provat në morgun e Tiranës. Çfarë pret Prokuroria që nuk nis hetimin? Pret që të manipulohen të dhënat? Pse pret Edi Rama deri nesër për të dalë në konferencë për shtyp përveç se për të falsifikuar dokumentet.

 

KOMUNIKIMI I PLOTË I KRYETARIT TË PD, LULZIM BASHA, PAS TAKIMIT ME MINISTRIN E JASHTËM TË ITALISË, LUIGI DI MAIO

 

Lulzim Basha: Sapo kam pasur një takim jashtëzakonisht miqësor dhe të frytshëm me ministrin e jashtëm italian, zotin Di Maio. E falënderova për ndihmën e jashtëzakonshme që Italia na ka dhënë edhe pse vetë, në kushte shumë të vështira.

 

E falënderova në veçanti sa i përket sigurimit të vaksinës COVID-19. I shpjegova se në fazën aktuale, masat e marra janë krejtësisht të pamjaftueshme që shqiptarët të përfitojnë nga zhvillimi dhe hedhja në treg e vaksinës. Dhe duke referuar realitetit historik të Italisë në ndihmë të Shqipërisë, në veçanti në këto 30 vite, i kërkova që të bëjë gjithçka që Italia fqinje dhe mike të sigurojë së pari për personelin shëndetësor dhe më pas sa të jetë e mundur dhe për të gjithë qytetarët shqiptarë, akses në vaksinat e reja anti-COVID të cilat po zhvillohen, po prodhohen dhe shpresoj do të jenë të gatshme për t’u administruar në muajt në vijim.

 

Dua të ndaj me të gjithë qytetarët shqiptarë me kënaqësi të madhe, zotimin e ministrit Di Maio edhe në emër të qeverisë italiane për të ndihmuar në këtë drejtim, një zotim konkret që fillon me angazhimin për të ndihmuar personelin shëndetësor shqiptar me vaksinën anti-COVID sapo kjo të jetë e disponueshme në sasi për Republikën e Italisë.

Dua të ndalem një moment këtu, sepse duke qenë një ngërç i jashtëzakonshëm dhe kemi folur pak për këtë edhe në ato konferenca që kemi pasur bashkë. Ju e dini që qeveria shqiptare ka bërë rezervime me kovaksin prej 1.4 milion euro.

 

Kovaksi është një instrument i OBSH-së i cili zakonisht përdoret nga vendet në zhvillim. Rezervimimi financiar është i pamjaftueshëm për më shumë sesa 20% të popullsisë. Edhe vetë rregullat janë të tilla. Dhe në një kohë kur të gjitha vendet e zhvilluara konkurrojnë për të marrë më parë në zotërim sasi të mëdha të vaksinës, vendet e vogla dhe me mundësi më të pakta financiare do të mbeten në fund të radhës.

Ka disa mënyra për ta zgjidhur këtë dhe një nga mënyrat është për t’ju drejtuar një miku të madh, të veçantë, me akses të fuqishëm siç është Italia dhe për t’i kërkuar të mos harrojë motrën e vogël, mos ta harrojë Shqipërinë e të bëjë gjithçka në këtë drejtim. Prandaj, një pjesë të mirë të diskutimit sot me shembuj konkret edhe për përmasat e krizës së COVID-it në Shqipëri, me ministrin Di Maio e kam rezervuar për këtë çështje.

 

Dhe një herë dua ta falënderoj edhe publikisht angazhimin e tij, sigurisht edhe në emër të qeverisë dhe autoriteteve italiane.

 

E dyta që diskutuam, ka të bëjë me integrimin europian të vendit. Për herë të 7 herë në 7 vite, Shqipëria rrezikon një ‘jo’ tjetër apo një shtyrje, sepse detyrat e vendosura nga Këshilli Europian nuk janë realizuar. Vendi akoma nuk ka një Gjykatë Kushtetuese funksionale, nuk ka një Gjykatë të Lartë funksionale, një institucion i rëndësishëm për hetimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit të zyrtarëve të lartë që është Byroja Kombëtare e Hetimit.

 

Marrjen e tyre në formë grantesh të cilat Shqipëria dhe shqiptarët nuk i përfitojnë për shkak se 7 vite me radhë dhe në veçanti edhe kësaj radhe, për interesa të ngushta politike, Edi Rama bllokon integrimin europian të Shqipërisë.

 

Dhe së treti sa i përket bashkëpunimit dy palësh e sigurova minisitrin Di Maio se vizioni i Partisë Demokratike dhe një qeverie e drejtuar nga Partia Demokratike është ai i një forcimi të një marrëdhënie dypalëshe të cilat kanë vuajtur nga mungesa e vëmendjes dhe nga shterimi i të gjithë energjive për të rendur pas problemeve të shtuara në veçanti sa i përket luftës kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme.

 

Edhe këtu lufta kundër trafiqeve të paligjshme, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar do të eci krah për krah me një program të fuqishëm bilateral të marrëdhënieve ekonomike dhe shkëmbimeve ekonomike dhe tregtare me Italinë fqinje ku kemi avantazhe të jashtëzakonshme sepse e dimë që një përqindje e madhe e prodhimit të brendshëm italian vjen nga ndërmarrjet shqiptare, nga sipërmarrësit shqiptarë, që me qeverinë e dalë pas zgjedhjeve të 25 Prillit do të kenë jo thjeshtë një avokat, por dhe një platformë për të avancuar interesat e tyre ekonomike në Itali dhe për të shtrirë investimet e tyre dhe përvojën e tyre edhe në një Shqipëri të hapur dhe të gatshme për të bërë biznes, për të bërë punë, me rregullat e konkurrencës të ndershmërisë, me luftë ndaj monopoleve dhe me mundësi për zhvillim ekonomik dhe punësim për të gjithë.

 

Pyetje: Z.Basha, mbrëmjen e djeshme keni bërë një deklaratë shumë të rëndë, të themi kështu, për fshehje të numrit të viktimave shkaktuar nga COVID-19. Ditën e sotme ka pasur një deklaratë nga mjekët e infektivit, po ashtu dhe nga kryeministri Rama që i konsiderojnë deklarimet tuaja të pavërteta dhe të motivuara politikisht. Keni ndonjë koment?

 

Lulzim Basha: Gjatë ditës së djeshme kam bërë thirrje në mënyrë të vazhdueshme që Prokuroria të marrë urgjent, të sekuestrojë urgjent provat në morgun e Tiranës. Lajmi është shokues, denoncim nuk është i ardhur nga PD por është i ardhur nga personeli me integritet shëndetësor të cilin për arsye të kuptueshme nuk kam ndërmend ta publikoj këtu. Por të dhënat janë aty. Çfarë pret Prokuroria? Pret që t’i manipulojë Edi Rama?!

Ky njeri që nuk lë rast pa dalë në konferencë për shtyp, pse i duhet deri nesër për të dalë në konferencë për shtyp? Që të manipulojë të dhënat?!

Po merr kohë që të manipulojë të dhënat?!

Ky është një lajm shokues!

Fshehja e numrit të vdekjeve është një lajm tronditës për çdo shqiptar dhe është një përgjegjësi e drejtpërdrejtë politike.

Shikoni se çfarë po ndodh në një vend të Bashkimit Europian. Drejtuesit të lartë politikë, drejtuesit e lartë politik të qeverisë janë marrë nën hetim nga prokuroria për një akuzë të ngjashme. Pse? Sepse e di që numri është dy here, tre herë më i lartë dhe e fsheh, ke bërë një krim të shumëfishtë. Krimi i parë që ke bërë është që ke ulur në sytë e publikut rrezikun e pandemisë, se ndryshe reagon publiku kur i thua që numri i viktimave është 1 apo 2 dhe ndryshe kur janë 10 apo 20.

Së dyti, duke fshehur numrin e viktimave duke fshehur dimensionin e vërtetë të pandemisë ke fshehur dhe përgjegjësinë për mos marrjen e masave sepse Shqipëria vazhdon të mbetet vendi me testimet më të ulëta në Europë, vazhdon të mbetet vendi me spitale COVID ku ditë për ditë ka mungesa.

Ka një shenjë respekti ndaj familjeve të viktimave sepse janë njerëz, janë nëna, baballarë që kanë humbur jetën dhe kjo është arsyeja pse unë mbrëmë jam përmbajtur, sepse qëllimi nuk është të bëj politikë, qëllimi im është t’i japim fund politikës me vdekje. Do të thotë në radhë të parë të bësh transparencë të plotë për numrin real të viktimave dhe të marrësh masa bazuar mbi numrin real të viktimave dhe numrin real të infeksioneve.

Në qoftë se fsheh infeksionet duke bërë testime të ulëta, në qoftë se fsheh viktimat atëherë je përgjegjës dhe bashkë përgjegjës për dëmin që pandemia sjell në shëndetin dhe jetën e shqiptarëve. Prandaj dhe njëherë qëllimi kryesor është që kjo situatë të mare fund menjëherë që qeveria dhe Edi Rama të shkulen nga konferencat për shtyp dhe nga Instagrami dhe nga Facebook-u dhe nga fyerjet e rëndomta që i drejtojnë ekspertëve, medias, opozitës sa herë që ne themi të vërtetën, sa herë që ju thoni të vërtetën dhe të paktën një herë për këto muaj që kanë ngelur të bëje detyrën për gjënë më të rëndësishme që ka qeveria: Jetën dhe shëndetin e njerëzve.

Prandaj thirrja ime ndaj Prokurorisë është: Mos lejoni të manipulohen provat.

Natyrisht ne kemi kopjet tona me emër dhe mbiemër datë për datë, por siç ju thashë ky njeri që nuk le minutën të kalojë pa dalë në Facebook dhe në Instagram, druaj shumë se këtë kohë që po përdor deri nesër kur të na dalë me njoftime, po e përdor për të shkatërruar dokumentet, për të shkatërruar transparencën, për të manipuluar të vërtetën, të vërtetën që e dinë të gjithë mjekët e spitaleve COVID, mjekët e departamenteve përkatëse dhe gjithë personeli shëndetësor. Të vërtetën që e dinë të gjithë. Është një e vërtetë e cila nuk fshihet dot.

 

Pyetje: Z. Basha, ndërkohë Komiteti i Ekspertëve ka vendosur edhe ndalimin e tubimeve elektorale. A do e dëmtojë kjo Partinë Demokratike për zgjedhjet e 25 Prillit?

 

Lulzim Basha: Shikoni, më e rëndësishmja sot është shëndeti dhe jeta e njerëzve. Ndërsa procesi i menaxhimit të pandemisë nuk bëhet me deklarata të tilla. Se ja e patë, dje bëri deklaratë komiteti i teknikëve, dy orë më pas një nga ministrat e kabinetit e kishte thyer, ishte me 20 veta e keni parë besoj ne Facebook ministren e arsimit, 20 veta bashkë!

Pra këto janë deklarata pa asnjë vlerë, në qoftë se nuk ka testime, nqs nuk ka pajisje, mjekë të trajnuar, infermierë të trajnuar, nqs nuk ka edhe rimbursim real të parave që paguajnë shqiptarët për ilaçet. Të tjerat janë kot, janë llafe bosh dhe thirrja ime ndaj qeverisë është të mos fshihet pas mjekëve dhe infermierëve të cilët po bëjnë një punë të jashtëzakonshme në kushte shumë të vështira, por të marrin masa të cilët e kanë ata përgjegjësinë. Janë ata që i mbajnë testimet më të ulëta në Europë, nuk janë komiteti ekspertëve se s’ ka komiteti të ekspertëve, buxhetin e ka Edi Rama. Ai e vendos që paratë të mos shkojnë për testime, ai vendos që paratë të mos shkojnë për hapjen e reparteve anti-COVID në spitalet rajonale, ai vendos që të rimbursohet 3 muaj pasi e ka propozuar opozita vetëm një pjesë e vogël e shpenzimeve të mëdha që qytetarët shqiptarë bëjnë kur sëmuren më COVID.

Këto janë vendime dhe përgjegjësi të Edi Ramës.

Ai nuk mund të fshihet. Nuk mund të fshihet. Edhe sa shqiptarë duhet të vdesin përpara që kryeministrit i vendit të marrë përgjegjësi dhe të ndalë çdo shpenzim tjetër abuziv, korruptiv apo qoftë dhe legjitim dhe paratë ti çojë aty ku po i çon çdo qeveri sot, që nga Kosova te Maqedonia e Veriut, te shëndeti dhe jeta e njerëzve. Të mbrojë shëndetin dhe jetën e njerëzve.

Ky është dhe duhet të jetë preokupimi kryesor i qeverisë. Ju e dini qe ka qenë, është dhe do të jetë preokupimi kryesor i imi, i Partisë Demokratike dhe i opozitës dhe për këtë arsye nuk jemi mjaftuar asnjëherë thjesht dhe vetëm me denoncime, por i kemi dhënë plan, zgjidhje, masa, propozime për t’ju ardhur në ndihmë njerëzve dhe këtë do të vazhdojmë ta bëjmë për këtë situatë tepër të vështirë të vendit dhe për shëndetin dhe jetën e shqiptarëve

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here