Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka qenë sot në Vlorë, ku ka zhvilluar një takim me drejtues lokal të Policisë, ku foli lidhur me nivelin e kriminalitetit në vend, por edhe me ndryshime e krerëve të Policisë në rrethe.
“Nuk flasim për veprimtari kriminale, flasim për përmbushje dhe mospërmbushje të detyrës. Ne jemi të qartë këtu, që puna e kujtdo matet me rezultatet në terren, nuk mund të mbajmë edhe policë që nuk bëjnë detyrën, edhe krimin në terren”, u shpreh Lleshaj, teksa u pyet për ndryshimet në komisariatet e Vlorës dhe të Himarës.
Sa i takon numrit të personave të zhdukur në Vlorë, për të cilët gazetarët thanë se janë 22, dhe në Polici janë referuar vetëm 4, Lleshaj tha se këto janë legjenda urbane.
“Unë njoh një fenomen në Vlorë dhe në vende të tjera, për të cilët Policia ka nisur procedim, janë vetëm katër raste. Kush e thotë që janë 22 të zhdukur, nuk do merremi me legjenda, duhet të bëjmë një dallim mes legjendave. Ka më shumë një legjendë që është krijuar dhe mbështetur nga persona të caktuar, që ne nuk na rezulton që është reale”, tha Lleshaj.
Ndërkohë në fund të komunikimit me gazetarët, Lleshaj foli dhe për akuzat e opozitës për çështjen e ndryshimit të vendbanimeve, që sipas tij nuk ka pasur asnjë rast të transferimit të qendrave të votimit pa i pyetur fillimisht qytetarët. ‘Janë përralla, përralla dhe vetëm përralla, kjo histori është një zero e madhe”, tha Lleshaj.