Pasi demontoi skenarin me kasetën e masakrës së Krushës dhe të gjitha aludimet për rolin e tij në kohën që ka punuar për UNMIK dhe Tribunalin e Hagës, mbrëmë në “Opinion” Lulzim Basha plasi një nga skandalet më të rënda të këtyre 30 viteve demokraci dhe shtet ligjor në vendin tonë.
Ai tregoi dokumente zyrtare, që vërtetonin atë që shumëkush e kishte thënë nën zë, se qeveria dhe ministria e Shëndetësisë në mënyrë të organizuar, po mashtronin me numrin real të të vdekurve nga COVID-19.
Evidencat e dala direkt nga morgu i QSUT, tregonin se që nga muaji Mars kur nisi pandemia deri në fund të Tetorit, në spitalet Covid, kanë humbur jetën 923 persona, ndërsa janë raportuar vetëm 509.
Pas kësaj, në studio u duk sikur plasi “bomba”. Tentativave të Lorenc Vangjelit dhe Baton Haxhiut për të hedhur dyshime në vërtetësinë e dokumentit, Basha iu përgjigj ftohtë: Prokuroria të vijë këtu në emision dhe të sekuestrojë si provë dokumentin, të shkojë urgjentisht edhe në morg dhe të bëjë të njëjtën gjë paralelisht!
Të paktën 5 herë i bëri thirrje Lulzim Basha organit të akuzës, por reagimi ishte vetëm heshtje dhe mosveprim.
Është e njëjta prokurori që për dy degë kanabis sativa të ekspozuara nëpër emisione televizive, kanë mësyrë nëpër studio për t’i “sekuestruar”.
Deri në fund të emisionit, pra të paktën për një orë, thirrjeve të drejtuesit të emisionit Blendi Fevziu për autoritet që të japin ndonjë shpjegim apo variantin e tyre, nuk ju përgjigj askush.
Heshti spitali dhe morgu, “u zhduk” ministria e Shëndetësisë me gjithë Komitetin e Ekspertëve të cilët janë përgjegjës direkt për këtë krim-mashtrim të organizuar shtetëror.
I vetmi që tha dy fjalë duke belbëzuar ishte kryeministri Rama, i cili po intervistohej paralelisht në studion e Sokol Ballës.
Ndryshe nga Lulzim Basha, ai nuk e ftoi prokurorinë që të hetojë të vërtetën e denoncimit, por nisi avazin e retorikës politike duke akuzuar opozitën se kërkon që të mbjellë konfuzion dhe panik.
Në një intervistë në “News 24”, kryeministri Rama ka deklaruar se denoncimi i kreut të PD është shpifje, për të përhapur panik dhe shqetësim tek qytetarët.
“Çfarë mund t’i përgjigjesh tani?! D.m.th është pjesë e asaj që thashë, panik, konfuzion, shqetësim, katastrofë. Qeveria nuk deklaron asgjë. Numri i fataliteteve është një numër që pasqyrohet çdo ditë në bazë të kritereve që janë të lidhura me një element të thjeshtë: Të sëmurët nga Covid. Të tjerat janë spekulime, s’kanë asnjë bazë dhe hyn në atë të përditshmen: Shpif, shpif se diçka do mbetet, kall dëshpërim tek njerëzit se diçka do ndezë, ajo që përpiqen këta të ndezë, është se duhet të kuptojnë që pse kanë humbur që nga dita e parë”, tha ai i zverdhur.
Ende nuk ka informacion se çfarë ka bërë gjatë natës prokuroria dhe SPAK, ndërkohë që Basha papalajmëroi rrezikun e një ndërhyrje në dokumentacionin e morgut, për të shkatërruar provat. Por vetë Rama, duket se nuk ka fjetur gjumë.
Mëngjesin e të premtes Najada Çomo së bashku me një grup mjekësh të spitalit “Infektiv”, dolën përpara kamerave dhe përgënjeshtruan skandalin. Në të vërtetë bën autogol!
Ideja ishte, se është e pamundur që të falsifikohet numri i të vdekurve nga Covid në spitale, pasi të gjithë kanë një kartelë. Dhe Basha tregoi mbrëmë pikërisht ato kartela, me emër mbiemër dhe arsyen e vdekjes (Covid) që spitali i ka përcjellë në morg.
Askush nuk pretendon se janë falsifikuar shifrat e të vdekurve, ato janë të sakta në morg siç jua kanë dërguar spitalet Covid. Vetëm që nuk janë 509, por 923 shpirtra të përdorur për politikën elektorale dhe të mbijetesës nga ana e Edi Ramës.
Pra çështja, skandali që ndron tek shifrat që lexojnë çdo ditë pas orës 16.00 në television dhe ERTV, shoqet e Najda Çomos. Pikërisht ato janë të manipuluara, gati gjysma e të vdekurve në realitet nëpër spitale e “Rilindjes” që rivalizojnë edhe ata të Gjermanisë!
Me shpirtrat e të vdekurve nuk mund të bëhen filma si ai me “Shtëpinë e Verdhë”, ata të përndjekin” në pushtet a në studion poçerisë qofsh!