Meta vlerëson Komunën e Dibrës së Madhe me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”: Patriotizmi më i madh, mbajtja e të rinjve në trojet tona

0
106

Presidenti i Republikës, Ilir Meta mori pjesë dhe përshëndeti akademinë solemne kushtuar 111-vjetorit të “Kongresit të Dibrës”, të mbajtur në Venec të Dibrës së Madhe, në të cilin ishin të pranishëm kryetari i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferri, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Fatos Reka, kryetari i Komunës Hekuran Duka, autoritete qendrore e vendore, klerikë, historianë e përfaqësues nga diaspora shqiptare.

Në kuadër të përkujtimit të kësaj ngjarjeje të rëndësishme historike, Presidenti Meta vlerësoi personalitete të shquara me kontribut të veçantë, të propozuara nga Komuna e Dibrës si dhe nga Shoqata “Bashkësia Dibrane.

Me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” Presidenti Meta dekoroi Komunën e Dibrës së Madhe me motivacionin “Në shenjë vlerësimi për rolin dhe kontributin historik në organizimin e veprimtarive me rastin e 111-vjetorit të Kongresit të Dibrës. Njësi administrative që mban gjallë ndjenjën kombëtare dhe ruan lidhjet me bashkësinë tradicionale dibrane në Tiranë”.

Kreu i Shtetit shqiptar dekoroi me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” Teodor Jovan Dibranin (pas vdekjes) “Në vlerësim të kontributit të tij për çështjen kombëtare shqiptare. Udhëhoqi shqiptarët e Dibrës për përdorimin e gjuhën shqipe në shkollën e Nistovës së Rekës, si dhe në ceremonitë kishtare.” dhe Tofik Jegenin (pas vdekjes) si “Figurë e dalluar e çështjes kombëtare.

Luftoi me të gjitha energjitë dhe përpjekjet për liri dhe pavarësi. Pjesë e klubit patriotik ‘Bashkimi’. Delegat në ‘Kongresin e Dibrës’”.

Ndërsa me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” Presidenti Meta çmoi Selim Rusin (pas vdekjes) “Për kontributin e shquar në luftën për liri dhe pavarësi kombëtare.

Veprimtar i shquar në zgjimin kombëtar shqiptar dhe pjesëmarrës në Kongresin e Dibrës.

Për rolin e spikatur në përparimin e të drejtave të shqiptarëve në trevën e Dibrës” dhe Shefki Shatkun (pas vdekjes) “Në vlerësim të kontributit të shquar si luftëtar udhëheqës i trupave për liri dhe pavarësi. Pjesëmarrës në shumë veprimtari luftarake për mbrojtjen e atdheut; për kontributin e veçantë në krijimin, përforcimin e artit të luftës dhe punime në fushën e saj”.

Gjithashtu Presidenti Meta nderoi me Titullin “Për Merita të Veçanta Civile” zotin Mexhit Capa“Për kontributin e palodhur, duke mbajtur gjallë veprimtaritë shkencore, kulturore dhe historike mes Dibrës së Madhe dhe bashkësisë tradicionale dibrane në Tiranë. I dalluar për shpirtin njerëzor dhe paraqitjen e vlerave atdhetare e patriotike”.

“Jam shumë i lumtur mes jush, në vendin e Kastriotit, aty ku jo vetëm lindi, por edhe ku zhvilloi shumicën e betejave të tij Heroi ynë Kombëtar Gjergj Kastrioti dhe i fitoi të gjitha.

Pranova me kënaqësi të veçantë ftesën për të marrë pjesë në këtë akademi solemne kushtuar 111-vjetorit të ‘Kongresit të Dibrës’, që ishte pikënisje e kryengritjeve mbarëkombëtare për liri dhe pavarësi, deri në ‘Kuvendin e madh të Vlorës’ më 28 nëntor 1912. ‘Kongresi i Dibrës’ i vitit 1909, përfaqëson një pikë kthese dhe një moment vendimtar të historisë sonë kombëtare. Edhe pse, mendimet dhe idetë ishin të ndryshme në Kongres, patriotët shqiptarë, që në fillim u treguan tepër aktivë për t’u paraprirë të gjithë të papriturave.

Platforma e përgjithshme që i bashkoi delegatët në këtë kongres, ishte bashkimi i forcave dhe qasja e pikave të programit të ‘Kongresit të Dibrës’, si një platformë tipike kombëtare.

Kancelaritë e huaja dhe rilindasit do të shkruanin në shtypin e kohës mbi fuqinë dhe fjalën e delegatëve në këtë kongres dhe qëndrimin e tyre emancipues me kërkesat që ata parashtruan.

Patrioti dhe rilindasi dibran, luftëtari i lirisë, Josif Bageri, në kryeartikullin e tij tek ‘Shqypja e Shqypnis’, e datës 1 gusht 1909, do të vlerësonte në piedestal se: ‘Ai kongres ishte i mbushur me ide kombëtare dhe përparimtare’. Në këtë kohë klerikët si Vehbi Dibra dhe Hafiz Sherif Langu shquhen për aktivizimin e tyre si ndër pjesëtarët më në zë të klubit ‘Bashkimi’, që ishte hapur në Dibër të Madhe, në dhjetor të vitit 1908, po edhe kudo në çdo vatër Rilindase.

Pranë tyre dhjetëra anëtarë aktivë zhvillonin një aktivitet të gjerë në qytet dhe në krahinat për rreth, për të mbajtur gjallë në popull dashurinë për atdheun, dëshirën për të kënduar e për të shkruar shqip.

Bashkëmendimtar me idetë e tyre për të kaluar në një mbrojtje kombëtare me armë në dorë ishin patriotët Elez Isufi, Suf Xhelili, Dine Maqellara dhe shumë kapedanë të tjerë. Ishte pikërisht kjo vetëdije kombëtare, që na thërret edhe sot!

Në pikat kryesore të kongresit, i jepej rëndësi e veçantë:

1-hapjes se shkollave fillore dhe të mesme me mësim në gjuhën amtare;

2-njohjen e zakoneve dhe gjuhës shqipe nga nëpunësit shqiptarë.

3-Rekrutimin e ushtarëve shqiptarë.

Historiografia shqiptare për vetë rëndësinë dhe epërsinë e mendimit dhe dominimit të faktorit shqiptar në kongres, e ka quajtur këtë tubim mbarëkombëtar si ‘Kongresi Shqiptar i Dibrës’.

Në prill të 1909 patrioti i madh Kristo Luarasi i shkruante Asdrenit: ‘Sot mora një letër nga Dibra e më thanë se të gjithë janë bashkuar për çështjen shqiptare’.

Pra Dibra hyri kështu në fazën e kryengritjes së përgjithshme drejt pavarësisë së Shqipërisë. Dibra është një trevë e bekuar jo vetëm nga natyra, por në veçanti me njerëzit e saj të ditur, të mençur, trima dhe atdhetarë të rrallë.

Dibra e madhe dhe Dibra e vogël, apo Dibra e Epërme dhe e Poshtme kanë qenë dhe janë një. Vendi i trimërisë, i besëlidhjes, i dokeve, zakoneve dhe urtësisë, i grykës së Radikës, i maleve të larta dhe i mençurisë, i fjalës dhe i pushkës, vendi ku dështoi çdo ekspeditë e ushtrive pushtuese dhe vendi që do të mbahet mend përgjithmonë në memorien e kombit shqiptar, për atë që i ka dhënë në çdo kohë dhe në çdo epokë kombit tonë, sepse gjithmonë kur ka pasur nevojë kombi ynë, shqiptarëve u kanë kënduar pushkët nëpër kulla.

Pikërisht kur fatet e atdheut ishin ‘në teh të thikës’ dhe në kurriz të popullit tonë po luheshin intriga nga më të rrezikshmet, Ismail Strazimiri mes të tjerash do të shkruante:
Kurrë nuk durohet kjo robëri,

Dibra e Moisit asht Shqiptari!

Çohi burra, çohi, gjithë me besa-besë,

Për Dibrën luftoni me të madhen shpresë!’

Familjet e mëdha patriotike i dhanë influencën e tyre jo vetëm Dibrës, por frymëzuan mbarë popullin shqiptar.

Sentenca e mirënjohur proverbiale që thotë se: ‘Mendja dhe urtësia ka le në Dibër’ dhe thënia e personalitetit të shquar të Luftës së Dytë Botërore, anglezit Xhulian Ameri, i cili gjatë Luftës së Dytë Botërore qëndroi në Shqipërinë e Veriut, ka thënë se: ‘në Dibër unë bëra universitetin e dytë, pasi të parin e bëra në Universitetin e Oksofordit’. Këto dhe shumë të tjera e bëjnë Dibrën, në sytë e studiuesve të huaj edhe më të gjallë dhe më autentike, sepse Dibra është jo vetëm një krahinë patriotike, por dhe një krahinë mjaft qytetare dhe përparimtare.

Është fakt se sot Dibra nuk e ka shkëlqimin e dikurshëm, por është në duart e dibranëve të shfrytëzojnë çdo rrethanë pozitive, që sjell bashkimi i vlerave dhe i aspiratave kombëtare, por dhe ndryshimet gjeostrategjike, për të gjetur rrugët dhe mjetet, që do të ngrenë Dibrën në çdo pikëpamje në nivelin e merituar.

Le të shtojmë forcat, edhe për përfundimin e ‘Rrugës së Arbrit’, në mënyrë që ta bëjmë Dibrën një qendër të rëndësishme të zhvillimit dhe të shtojmë mundësitë për një përspektivë më të begatë për të rinjtë dhe fëmijët e Dibrës!

Mos harrojmë se me çfarë filloi ‘Kongresi i Dibrës’: me edukimin patriotik të fëmijëve!

Unë mendoj patriotizmi më i madh që ne sot mund dhe duhet të dëshmojmë është t’i edukojmë jo vetëm me këtë ndenjë patriotike fëmijët tanë, por të bëjmë çdo gjë e ardhmja e tyre të jetë pikërisht, këtu në trojet e të parëve të tyre.

Edhe njëherë falemnderit për këtë ftesë dhe mundësi të mrekullueshme për të qenë sot me të gjithë ju në Dibrën e Madhe! Uroj t’ia kaloni sa më lehtë me këtë sfidë të re sikurse është pandemia dhe le të bashkëpunojmë që edhe këtë sfidë ta kalojmë më lehtë të gjithë së bashku!

Zoti e bekoftë Dibrën, dibranët dhe mbarë kombin tonë!”, tha Meta.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here