Nga Edi Paloka –
E “zbulon” Mihajloviç në librin e tij. Rama kryeministër i çon mesazh ish-futbollistit të Kombëtares së Serbisë, i njohur për qendrimet nacionaliste gjatë luftës: “Numrin ma dha miku ynë i përbashkët Aleksander Vuçiç…”
Një mesazh që flet shumë për Edvin Ramën, karakterin e deformuar dhe “simpatitë” e këtij “patrioti të madh” …
Pikërisht në kohën që drejtuesit e UÇK-se janë në Hagë dhe Rama me vemjet rreth tij po bëjnë çfarë është e mundur për t’i dhënë një dorë Vuçiçit gjoja duke sulmuar Bashën, publikohet një tjetër fakt interesant…
Ish-futbollisti i Kombëtares së Serbisë, Sinisa Mihajloviç ka botuar së fundmi një libër për luftën e tij me një sëmundje të rëndë. Ndër të tjera në libër ai zbulon dhe mesazhin që i ka dërguar Kryeministri i Shqipërisë, Rama! Ky fakt, i fshehur çuditërisht nga Rama që publikon edhe banalitetet më të vogla, është botuar sot në gazetën Panorama Sport.
Lexoni çfarë shkruan Rama. Një mesazh që tregon shumë jo vetëm për “simpatitë” e këtij “patrioti” të madh, por dhe për difektet e shtrembërimet karakteriale: “I dashur mister. Jam Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë, ish-lojtar i Kombetares Shqiptare të basketbollit dhe një admirues i vjetër i Sampdorias së Vujadin Boshkovit…”
Deri këtu kemi vetëm një Ramë narciz dhe gënjeshtar të vogël, siç e njohim të gjithë. Na paska dalë dhe “admirues” i Sampdorias pasi ka kaluar me radhë gjithë ekipet e tjera. Në fakt e gjitha kjo nuk ka lidhje me futbollin, se Rama është komplet injorant në futboll e përveç tersit, në futboll nuk sjell gjë tjetër.
Fakti që Rama përmend një tjetër trajner të njohur si Boshkov ka lidhje thjesht me nacionalitetin e tij serb.
Më poshtë në mesazh Rama i shkruan Mihajlloviçit: “E mora numrin tuaj të telefonit nëpërmjet mikut tonë të përbashkët Aleksandër Vuçiç. Folëm për ju dje në mbrëmje këtu në Novi Sad…”
Kaq!
Me siguri pas këtij publikimi do të hidhen goret në mbrojtje e do të fillojnë me “çfarë të keqe ka t’i shkruash një futbollisti që ka kaluar një sëmundje të rëndë…etj etj” Po iu përgjigjem paraprakisht.
Sigurisht nuk është “tradhti” t’i shkruash një futbollisti, për këtë ka boll prova të tjera që fillojnë me planet për ndarjen e Kosovës, po këtu shfaqen “simpatitë nacionale” të këtij patriotit që kemi Kryeminister.
Ky admiruesi i futbollit pak ditë më parë nuk lejoi Andi Lilën në stadiumin e tij. Ishte rasti i dytë që Lilën e nxirrnin me dhunë nga një stadium; i pari ishte në Beograd ku ai u përlesh për flamurin tonë.
Po një pyetje: a i ka dërguar për shembull, ndonjë mesazh Fadil Vokrrit, ky “admiruesi” i futbollit, kur legjenda e futbollit kosovar po luftonte me sëmundjen apo nuk kishte kush t’ia jepte numrin se ndërkohë ishte ndërkryer me gjithë kryeministrat dhe liderët politikë të Kosovës?!
Ja pra që nuk është një mesazh i thjeshtë i një admiruesi të futbollit, po më shumë se aq dhe këtë e sqaron dhe një “detaj”: ashtu si Bregoviçi, që Rama i dha “Çelësin e Tiranës” per ta nderuar, edhe Mihajloviçi njihet për deklaratat e tij nacionaliste gjatë luftës në ish-Jugosllavi dhe Kosovë.
A thua të jetë rastësi?! Mesazh një nacionalisti serb me numrin që ta jep “miku i përbashkët”, ish-zëdhënës i Milosheviçit!