Dardan Domi, një banor i Shijakut, ka denoncuar rastin e nënës së tij, e cila humbi jetën. Domi shprehet se e ëma e tij, Lirie Domi, ka ndërruar jetë, ndërsa në kartelën e vdekjes shkruhet “arrest kardiak”.
Domi thotë se tjetër mjek e ka ndjekur rastin e nënës së tij, dhe tjetër mjek ka plotësuar skedën e vdekjes.
POSTIMI I PLOTË
Kjo është vetëm një dëshmi e dramës që po kalojnë familjet shqiptare në këto kohë të vështira.
Pikërisht në këtë periudhë të zymtë për të gjithë globin, qeveritë e vendeve të përgjegjshme bëhen pikë reference dhe ankorë shpëtimi për qytetarët e tyre. Me propagandën e tij, Edi Rama po i fyen shqiptarët e prekur nga pandemia.
Kjo është e turpshme!
Ne vendin tonë, fakeqësisht, sistemi shëndetësor është bjerrur prej 8 vitesh, duke e lënë stafin mjekësor të përballet me një situatë të tillë tragjike, për një vend të vogël si ky i yni! Në vend që t’i mbështesë, Edi Rama po i përbalt mjekët dhe sakrificën e tyre vetëmohuese.
Kjo duhet të marrë fund menjëherë!
Ngushëllime familjes! Ne do të jemi këtu për t’ju mbështetur në çdo përpjekje për të vënë në vend drejtësinë në emër të nënës suaj dhe të gjithë atyre shqiptarëve që kanë humbur të dashurit.
DËSHMIA
“Quhem Dardan Domi nga Shijaku. Jam këtu për të denoncuar një rast që ne na ka ndodhur në familje. Nëna jonë e quajtur Lirije Domi humbi jetën. Nuk morëm asnjë lloj përgjigje, por në situatën e tillë që ndodhi gjithçka besohej që të kishte COVID dhe ne besuam që ka COVID. Motra që ishte këtu kishte komunikuar me të vetmen mjeke që quhej Esmeralda Meta dhe i kishte thënë që ne duhet të komunikojmë me një nga djemtë. Në një javë vetëm e kam marrë të dielën, pas 5 ditësh që ishte e shtruar, pasdite më mori vetë. Më tha gjendja nuk është e mirë, pastaj na njoftuan të martën pas dy ditësh që nëna ka vdekur. Nuk kam marr asnjë testim nga spitali që nëna ime është pozitiv me koronavirus. Të vetmin kontakt që kam pasur e kam pasur me doktoreshën me telefon. Kur shkova në morg na kërkuan që të vini dy veta të merrni trupin ta fusni në arkivol. Kam shkuar e kam kapur nënën me duart e mia. Ajo që më mbeti në mend që më thanë në morg, ishte që këtu është tmerr, ka kufoma pa fund. Mjeku që ka firmosur quhet Nevila Kryemadhi, ndërkohë që tjetër mjek më është prezantuar mua që e ndiqte dhe tjetër mjek rezulton të ketë firmosur tek skeda e vdekjes. Unë i kërkoj prokurorisë që të fillojë sa më shpejt hetimet në rastin e nënës sime dhe çdo rast tjetër që dhe ne të dimë se cila është e vërteta. Nëse ka vdekur me COVID dhe pse është shkruar në skedën e vdekjes arrest kardiak apo nëse ka vdekur me arrest kardiak dhe pse duhet të shkonte të shtrohej në spitalin COVID ku mund ta merrte COVID-in dhe pa e pasur”.