Gazetari holandez e thotë hapur: Tirana po privatizohet, plani i Ramës, PPP dhe shpronësime…

0
149

Vincent van Gerven Oei shpjegoi planin e qeverisë për të privatizuar zona të tëra të kryeqytetit në emër të transformimit. Në një intervistë për “Me pak Fjalë”, në Euronews, Van gerven u shpreh se:

“Ideja e zonave të transformimit është, në thelb, privatizimi i pjesëve të tëra të qytetit. Dhënia e tokës kompanive private, që janë, sigurisht, të afërta me qeverinë Rama, dhe, në shkëmbim për lejimin e ndërtimit në këtë tokë, bashkia do të merrte mbrapa pak hapësirë, si apartamente, hapësira zyrash, e të tjera”.

Ai tha se qeveria parashikonte të kryente këtë veprim përmes partneriteteve publike-private, i cili në masterplanin Tirana 2030 parashikohej të funksiononte kështu:

“Kjo përfshin një sërë hapash. Për të bërë këtë, fillimisht, duhet të shpronësosh njerëzit dhe kemi parë shumë shembuj se si kjo qeveri e bën këtë. Kjo qeveri e bën këtë me anë të dhunës, presionit, shantazhit.

Çfarëdo mënyre e mundshme për të futur në dorë godina që janë në pronësi të individëve privatë. Pasi i kanë futur në dorë këto godina, ata fillojnë një të ashtuquajtur procedurë tenderi.

Ne të gjithë e dimë që këto procedura tenderimi janë të manipuluara. Organi që supozohet të monitorojë procedurat e tenderimit varet direkt nga Kryeministri. Dhe shumë shpesh, sic kemi parë, për shembull, me sheshin Skënderbej, ka vetëm një konkurent që bën ofertë sa 99% e fondit limit dhe fiton gjithmonë.

Nganjëherë, ka dhe kompani fiktive që fitojnë tendera, sic kemi parë në rastin e Unazës së Madhe. Asgjë nuk është tepër e çuditshme për këto njerëz nëse ata duan të shtien në duar prona dhe kontrata”.

Sipas tij, ky plan pavarësisht se mund të duket si pjesë e zhvillimit të shoqërisë ka efekt negativ në ekonominë e vendit.

“Këto partneritete publike-private kanë gjithashtu një efekt të madh negativ në financat e shtetit, sepse shteti do të vazhdojë të paguajë për këto prona për dekada, gjë që do të thotë se taksapaguesit shqiptarë paguajnë për to me tarifa shumë më të larta se ç’do ishin, nëse qeveria do të merrte thjesht hua në tregjet financiare.

Dhe, pasi këto kompani ndërtimi kanë ndërtuar godinat e tyre, që sigurisht ndërtohen gjithmonë me standarde më të ulta seç ata kanë premtuar, sepse, pasi merr paratë, ç’interes do të kishin për t’i shpenzuar vërtet? Ti mund t’i mbash të gjitha në xhep dhe thjesht të ndërtosh një ndërtesë nën standardet sepse kush do të të kontrollojë?

Kështu, skema kompletohet dhe kompania e ndërtimit i paguan një ryshfet të vogël bashkisë, qeverisë, dhe të gjithë janë të lumtur. Sigurisht, të gjithë, përveç njerëzve që u shpronësuan dhe përveç popullit të tërë shqiptar që paguan një sasi qesharake parash për diçka që mund të ishte ndërtuar shumë më lirë, në mënyrë shumë më eficente, dhe, mbi të gjitha, mund të kishte qëndruar pronë publike, dhe të kishte shkuar në duart e privatit”, u shpreh Van Gerven Oei.

“Regjime shqiptare të njëpasnjëshme gjithmonë janë përpjekur ta ribëjnë Tiranën sipas imazhit të tyre. Historia e zhvillimit urban të Tiranës është historia politike e Shqipërisë, u shpreh Vincent Van gerven Oei për emisionin “Me pak fjalë”, në Euronews, duke komentuar planet e rindërtimit të Kryeministrit Rama.

“Kështu, nuk më habit fakti që Edi Rama është përpjekur të imponojë vizionin e tij mbi Tiranën si një mënyrë për të lënë një trashëgimi të vetën.

Njëkohësisht, unë mendoj gjithashtu se kjo mania e ndërtesave të larta, kjo mania e ndërtimeve, që ka zënë Kryeministrin tonë është diçka që është shumë e ngulitur në trashëgiminë e komunizmit, e diktaturës.

Nëse lexon artikuj apo komente nga periudha e diktaturës mbi, për shembull, ngritjen e lapidarëve që ishin monumente të rëndësishme politike në atë periudhë, ka komente të shpeshta për faktin që të gjithë duan t’i bëjnë më të larta se c’duhet, që po bëhen shumë të larta, që ndoshta po harxhohen resurse të çmuara për to, e kështu me radhë.

Pra, ky fiksim me ngritjen e gjërave të larta nuk është diçka që vjen nga vetë Edi Rama. është pjesë e historisë në të cilën ai u rrit, brenda të cilës, me sa duket, është e rëndësishme të ndërtosh gjëra të larta, si lapidarët apo kullat, në mënyrë që të përforcosh pushtetin tënd politik. Dhe Edi Rama ka qenë i fiksuar me ndërtesat e larta që kur u bë kryebashkiak i Tiranës, në fakt. Tani, ai thjesht ka mundësi t’i realizojë dhe ka të gjitha kukullat e veta në pozicion.

Dhe tani ai sheh mundësinë t’i bëjë ëndrrat e tij realitet. Pyetja është: kush do të jetojë në këto ndërtesa të larta? Ato do të jenë mumje bosh, sarkofagë. Askujt nuk ia mban xhepi të jetojë në to, dhe nuk ka njerëz të jetojnë në to, sepse të gjithë po largohen. Ose, tani, të gjithë po vdesin si pasojë e virusit, për të cilin ai nuk po bën thuajse asgjë”.

Ai tregoi se si regjime të ndryshme kanë krijuar Tirana të ndryshme, dhe tani të njëjtën gjë po bënë edhe kryeministri Rama:

“Le të themi, aspekti i gjerë kulturor i ndërtimit sic u realizua gjatë periudhës komuniste dhe, siç thashë, korniza më e gjerë në të cilën regjime te njëpasnjëshme janë përpjekur të imponojnë vizionin e tyre mbi Tiranën.

Nëse shikon se si italianët e trajtuan qytetin osman, ngjante shumë me stilin e Ramës. Ato mbivendosën Lanën dhe Bulevardin Dëshmorët e Kombit mbi çfarë ishte, në thelb, një fshat osman.

 

Nëse shikon periudhën komuniste, ajo kishte një ndikim të stërmadh mbi mënyrën si Tirana u ndërtua.

Pjesë të tëra të Tiranës u prishën për të ndërtuar këto tre- ose gjashte-katshet nëpër gjithë qytetin.

Dhe tani Edi Rama po bën të njëjtën gjë. Ai po krijon Tiranën sipas imazhit të tij, dhe tani ka gjetur mundësinë për ta bërë këtë”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here