Servet Vata nga Thumana, i është drejtuar sot varrezave, ku prehet nëna dhe djali i tij 7-vjeçar, që humbën jetën nga tërmeti i 26 Nëntorit të vitit të kaluar.
Kryefamiljari rrëfen për “Fax News” momentet e tmerrit, kur vetë ai e ka mësuar lajmin e tërmetit, në Greqi, ku shkonte për punë sezonale.
Ai tregon se në pallatin pesë katësh, ku jetonte prej 23 vitesh, kishte pasur dëmtime dhe nga tërmetet e mëparshme, por askush nuk kishte bënë dorë për të rregulluar diçka.
Servet Vata tregon se tashmë ai së bashku me familjen jetojnë në Tiranë, ku janë strehuar në banesat sociale.
Nëna e tij humbi jetën nën rrënoja, duke mbrojtur me trup nipin e saj, i cili jeton, ndërkohë që humbi të vëllanë 7-vjeçar.
“Më morën në telefon dhe na thanë se kishte rënë tërmet. Isha në Greqi në atë kohë, kur erdha këtu, ça me pa ishte bërë katastrofë. Familja jetonte në pallatin pesë katësh, mbijetuan veç nusja me djalin, nëna me djalin tjetër nuk dolën dot, nuk shpëtuan.
Më keq nuk ka më, është një tragjedi shumë e keqe, ishte një tragjedi, u doli shpirti mezor, kishim 23 vite që jetonim në atë shtëpi. Banesa ka pasur plasaritje që prej shtatorit, por edhe Korrikut të 2018-tës.
I patën pa kështu, dhe thanë që do e rregullonin e do na vinin në ndihmë, nuk u mor asnjë gjë për bazë.
Pa ndodhur e keqja nuk bëhet asgjë, jetojmë në Tiranë në banesa sociale, na e paguan shteti banesën. Nuk jam kthyer më në Greqi, pas tërmetit”, tregon Servet Vata.