Partia Demokratike ka nxjerrë fakte të reja në lidhje me abuzimin e Olta Xhaçkës me pasurinë e Forcave të Armatosura.
Në një deklaratë për mediat, Xhemal Gjunkshi ka nxjerrë me data dhe orare fluturimet e Olta Xhaçkës drejt Dibrës për llogari të fushatës së PS-së.
‘Për 2 muaj, Olta Xhaçka përdori 22 herë helikopterin ushtarak për fushatën e PS në Dibër’, tha Gjunkshi.
Deklaratë e ish-deputetit të PD-së, Xhemal Gjunkshi:
Gjatë kësaj jave ju kemi treguar me prova filmike se Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka përdor helikopterin ushtarak si taksi për të bërë fushatë për Partinë Socialiste në Dibër.
Deri tani, Olta Xhaçka nuk ka denjuar t’u japë qytetarëve asnjë shpjegim pse ajo përdor helikopterin 10 mijë euro vajtje-ardhje për një takim elektoral.
Ka një arsye pse ministrja e qeverisë së Edi Ramës i fshihet ballafaqimit me të vërtetën. Olta Xhaçka ka frikë nga zbulimi i shkeljes së përsëritur të ligjit prej saj.
E vërteta është se Ministrja e Mbrojtjes nuk e ka përdorur vetëm një herë helikopterin ushtarak Cougar për fushatën e Partisë Socialiste.
Vetëm 2 muajt e fundit, helikopteri ushtarak operacional ka udhëtuar 22 herë për në Dibër me helikopter për t’i shërbyer Olta Xhaçkës.
Nuk ka patur asnjë stërvitje, nuk ka qenë për asnjë detyrë të saj funksionale, por ka shkuar me funksionin e drejtueses së qarkut të Dibrës për Partinë Socialiste.
Të përdoresh 22 herë brenda 2 muajve helikopterin ushtarak për punët e partisë nuk është vetëm shpërdorim skandaloz me detyrën, por edhe një abuzim i tmerrshëm me paratë e shqiptarëve.
Vetëm në 2 muaj, për të shkuar me helikopterin ushtarak në Dibër si e dërguar e Edi Ramës për fushatën zgjedhore, Olta Xhaçka ka shpenzuar rreth 100 milionë lekë.
Faktet janë konkrete dhe të pakundërshtueshme. Në ekran po shfaqen datat se kur Olta Xhaçka e ka përdorur helikopterin e Ministrisë së Mbrojtjes për punët e Partisë Socialiste.
Helikopteri ushtarak, që përdoret për qëllime stërvitore apo si ambulancë dhe operacione të tjera, që mban 27 persona në bord, përdoret si lodër nga Olta Xhaçka me 4-5 persona të stafit të ngushtë politik për qëllime partiake.
Të dhënat tregojnë se sa herë Olta Xhaçka ka punë partie në Dibër, helikopteri ka bërë edhe 2 rrugë brenda ditës, vajtje-ardhje. Nje herë e dërgon në Dibër dhe kthehet në Farkë, pastaj shkon sërish edhe për një rrugë tjetër për ta marrë nga zona e saj elektorale.
Ky është një nga aktet më të papërgjegjshme të qeverisë në ikje. Në vend që të ndëshkojë abuzimin me pushtetin duke shkarkuar Ministren e Mbrojtjes, Edi Rama hesht dhe bëhet palë me të, sepse ata ndajnë të njëjtin moral.
Më e pakta që Olta Xhaçka duhet të bëjë, është të japë dorëheqjen.
Ajo nuk ka asnjë shans t’i fshihet drejtësisë, sepse lëvizjet e saj dhe të helikopterit për fushatën e Partisë Socialiste janë të regjistruar në 24 kompjutera.
100 milionë lekë të harxhuar për të përdorur si taksi elektorale helikopterin ushtarak në vetëm 2 muaj, nuk mund të fshihen dot!
Partia Demokratike do ta çojë deri në fund këtë çështje të abuzimit të rëndë me pushtetin dhe me fondet publike. Qytetarët nuk meritojnë këtë pushtet arrogant, brutal dhe të pandjeshëm. Qytetarët meritojnë një qeveri që punon për interesin e tyre!