Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe u mbajt më 20 nëntor – 25 nëntor të vitit 1972, me nismën e Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Universitetit Shtetëror të Tiranës dhe me qëllim që të përcaktonte parimet dhe drejtimet kryesore të hartimit të drejtshkrimit, për të pasur një gjuhë letrare të njësuar…
Nga Prof.dr. David Luka
Shqipja standarde, e ligjëruar si e tillë në kohën e regjimit, nuk është e dhënë e natyrshme e vetë gjuhës sonë. Gjuhëtari David Luka, shkruan se ideologjia marksiste ishte ajo që çoi në vendosjen e dhunshme të këtij standardi.
Pyetja: Cila është baza dialektore e shqipes standarde?, nuk shtrohet kot së koti. Tashmë dihet prej gjithkujt se në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, e pas tij, për 20 vjet rresht, është thënë e stërthënë, përsëritur e stërpërsëritur se “Gjuha shqipe është sistem sistemesh dhe gjuha letrare kombëtare është sistem mbidialektor”. Në skemën e paraqitur për ta shpjeguar në mënyrë të thukët idenë e dhënë më lart, janë vënë në Legjendë këto shpjegime, që nuk lënë asnjë shteg për diskutim:
- Elementet e përbashkëta të dy dialekteve.
- Elementet e veçanta të dialektit të Jugut.
- Elementet e veçanta të dialektit të Veriut.
- Baza e gjuhës letrare kombëtare.
- Gjuha letrare kombëtare.
- Gjuha kombëtare.
E këto përfundime nuk janë nxjerrë më 1972, po 12 vjet më vonë, më 1984, në Konferencën shkencore “Gjuha letrare kombëtare shqipe dhe epoka jonë”, organizuar nga Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, në referatin e ideatorit të “shqipes standarde”, prof. Androkli Kostallarit. Deri në vitin 1990, tezat (përkat. bazat filozofike) e prof. Kostallarit janë mbrojtur me fanatizëm nga të gjithë gjuhëtarët titullarë shqiptarë (duke përfshirë këtu edhe ata kosovarë), duke derdhur pa “hesap” mendime, që në asnjë rast e për asnjë çështje, nuk e kundërshtonin teorinë sui generis, që pati shtruar A. Kostallari për rrugën e formimit të gjuhës letrare kombëtare shqipe. Përkundrazi, miratonin pa asnjë vërejtje mendimet e Kostallarit, bile duke i thurur lavde atij.
Filozofia dhe praktika e prof. Kostallarit, tashmë dihet, ishte ajo marksiste-leniniste, e mishëruar në të ashtuquajturën “politikë gjuhësore të partisë”. Parimi bazë, në atë kohë, për këtë problem ka qenë ky: “… vetë gjuha nuk ka karakter klasor, por politika gjuhësore ka karakter klasor, në të pasqyrohet edhe lufta e klasave brenda vendit …”.
Me këtë refren ne qemë mësuar aq shumë, sa e patëm besuar apriori. Gjithsesi, një shqipe mbidialektore, do të ishte një realizim i përkryer, dhe prof. Kostallari duhej përgëzuar për këtë. Aq më tepër, kur edhe ballkanologë të njohur (siç shkruan vetë Kostallari) kanë nënvizuar veçorinë e shqipes letrare “si model i një gjuhe që nuk u krijua ad hoc, por e arriti njësimin nëpërmjet një procesi të ndërlikuar e të gjatë …”
Mirëpo, në shkrimin e prof. Kostallarit, të përmendur më lart, patëm mësuar se “Ka edhe studiues të veçantë … që kanë mbivlerësuar elemente të veçanta që dallojnë dy dialektet e shqipes dhe e kanë interpretuar në mënyrë të njëanshme shqipen e sotme letrare, të njësuar thjesht si një ‘toskërishte letrare’ të ngritur drejtpërdrejt në gjuhë letrare kombëtare … Ndër to bie në sy sidomos monografia e Xhenet Bajronit me titull … Në këtë vepër, që përmban mjaft pohime kundërthënëse, formimi i shqipes letrare të njësuar trajtohet në mënyrë të shtrembëruar e të thjeshtëzuar.” Në shën. nr. 4 Kostallari shton: “Është për t’u shënuar se në këtë vepër, nuk shfrytëzohen fare Aktet e këtij Kongresi dhe botimet e rëndësishme pas tij, pa të cilat nuk është e mundshme të vlerësohen objektivisht tiparet e shqipes letrare të njësuar dhe prirjet e zhvillimit të sotëm”.
Megjithëse vepra e Xh. Bajronit qe botuar më 1976, kurrkush prej gjuhëtarëve nuk kishte folur a shkruar për të, as këtu tek ne e as në Kosovë.
- Kostallari mëton se ka bërë një analizë shkencore të sistemit të gjuhës sonë letrare, ku ai mbështet teorinë e vet. Sipas Kostallarit, gjuha shqipe ka krijuar një sistem të vetin, që i takon një rrafshi më të lartë se ish-variantet letrare e dialektet dhe funksionon si një sistem i pavarur e tërësor i një tipi të ri. Ky sistem nuk përputhet me asnjërin prej sistemeve të këtij apo atij varianti letrar të mëparshëm, as nuk përfaqëson një shkrirje mekanike të varianteve letrare, por është një sintezë e re organike e elementeve të gjuhës shqipe, e krijuar historikisht nga zhvillimi i gjuhës sonë.
Nga ky parashtrim i Kostallarit, nxirren dy përfundime: Së pari, zhvillimi i gjuhës shqipe është një proces dialektik (këtu në kuptimin marksist-leninist), pra i pavarur nga ndërhyrjet e jashtme, të cilat mund ta kenë ngadalësuar a shpejtuar këtë proces, po që në asnjë mënyrë nuk kanë mundur ta ndalojnë. Së dyti, me krijimin e kësaj idiome të re (shqipja standarde), dialektet i nënshtrohen një tkurrjeje po dialektike, sepse vendin e tyre për herë e më shumë e zë në mënyrë dialektike gjuha standarde, me të cilën kryhet komunikimi i përditshëm jetësor i banorëve që janë në çdo kohë në kontakt me të (shkolla, shtypi, media televizive etj.)
Kjo histori vazhdoi deri më 1991, kur papritmas, një ndër ithtarët e Kongresit të Drejtshkrimit, dr. Xhevat Lloshi, gjatë polemikës me Arshi Pipën (në artikullin “Kultura shqiptare përpara shqetësimeve të reja”, botuar në revistën socialiste “Sot”) del kundër A. Kostallarit, duke mbajtur anën e Bajronit.
Në konferencën “Gjuha letrare kombëtare dhe bota shqiptare sot”, mbajtur në Tiranë në nëntor të vitit 1992, u pohua haptas se baza dialektore e gjuhës letrare shqipe na paska qenë toskërishtja letrare!
Tani nuk kishim më një përfundim të një studiuesi, por të një konference ndërkombëtare. Kështu që na viheshin përballë dy përfundime: njëri i Kongresit të Drejtshkrimit, ku gjuha shqipe letrare kombëtare e njësuar ishte formuar sui generis dhe qëndronte mbi dialektet (“mbidialektore”); tjetri i konferencës (edhe kjo ndërkombëtare; por jo Kongres, që të arrinte të shfuqizonte vendimet e Kongresit të Drejtshkrimit), që pa asnjë dridhje qerpiku, nxirrte përfundimin tjetër që shqipja e njësuar na qenka ndërtuar mbi bazën e toskërishtes letrare.
Tani kushdo që ka dy fije mend në kokë, detyrimisht do të shtronte pyetjen: A duhet ta diskutojmë këtë punë, apo të pranojmë qorrazi dy përfundime krejtësisht të kundërta për të njëjtin problem? E, siç shkruan R. Ismajli: “Po t’i mbash çështjet e mbyllura në kazan derisa fermentojnë, ka rrezik që ta zbërthejnë fare kazanin”.
Tani, a e dinin gjuhëtarët tanë të nderuar se në bazën e gjuhës letrare të njësuar ishte vënë toskërishtja, dhe se “sui generis” e “bashkëveprimi ndërdialektor” qenë vetëm slogane, për t’u hedhur hi syve njerëzve?
Në qoftë se e dinin, përse nuk folën atëherë? Në qoftë se nuk e dinin, kur u kujtuan për këtë? Këtë duhet të na thonë, sepse ata e kanë mbrojtur me zjarr këtë mënyrë formimi të gjuhës letrare. Dhe ja ç’na thotë njëri prej tyre, prof. Anastas Dodi.
Kur një gazetar i “Javës” së Prishtinës e pyet: “Pse në Kongres nuk u tha që baza e gjuhës letrare shqipe, që po fiksohej aty, është dialekti toskë?”, prof. Dodi përgjigjet: “Më kujtohet që kjo punë u bisedua, dhe ne i bëmë vërejtje atij referatit të Kostallarit, edhe i thamë se duhet të thuhet që dialekti bazë është toskërishtja, që vihet në bazën e gjuhës letrare. Por u tha se kjo mund të bëjë më shumë dëm sesa të sjellë dobi”.
Tani po A. Dodi, në artikullin “Disa probleme të gjuhës letrare në veprën e Enver Hoxhës”, ka shkruar: “Që më 15 qershor 1955, shoku Enver Hoxha me një qartësi shumë të madhe thotë se ‘gjuha e sotme letrare shqipe nuk është toskërishtja…’” Siç e shihni na dalin dy Anastasë, dhe nuk dimë se cilit t’i zëmë besë?
Pse nuk firmosi Rezoluten e Kongresit te Drejtshkrimit ’72 poeti Lasgush Poradeci?
Vetëm një pjesëmarrës i Kongresit të Drejtshkrimit nuk ka firmosur Rezolutën. Ky ka qenë poeti Lasgush Poradeci. Kur këtë fakt ia kumtova prof. E. Lafes në një tubim në Shkodër, tek përkujtonim N. Joklin, ai fillimisht e kundërshtoi, po pastaj u kujtua dhe më tha se Lasgushi u sëmur sapo mbaroi Kongresi. Ne shkuam në spital t’ia merrnim firmën, më tha ai, por ai nuk ishte mirë, dhe ne u larguam. Po atë vit, unë e takova poetin në një shoqëri konfidenciale dhe e pyeta me shejtanllëk për këtë mosfirmosje e për këtë sëmundje, për të cilën e kisha marrë vesh se ishte e shpifur dhe e bërë me qëllim. Autori më vështroi gjatë, pastaj më tha: “Unë e kam frikë historinë!” Pas gjithë këtij parashtrimi, do të dëshiroja të pyesja të gjithë gjuhëtarët tanë, gjithnjë të dyzuar në thëniet e tyre, a të mblidhemi e të vendosim tërë së bashku se cila është baza e shqipes standarde? Se kemi plot 25 vjet që nuk po i biem në të? Ta vendosim, pra, njëherë e mirë e ta mbyllim këtë muhabet. Do të mjaftonte, për sa thashë më lart, pyetja me të cilën një ndër personalitetet e gjuhësisë shqiptare, Sh. Demiraj, nis kumtesën e vet në Konferencën për 30-vjetorin e Kongresit të Drejtshkrimit: “… nëse vendimi për shqipen e sotme standarde ishte shkencërisht i mbështetur”. Tani, pavarësisht nga përgjigjja, për deri sa shtrohet kjo pyetje, do të thotë që motivi për ta diskutuar këtë fakt, qëndron në këmbë.
Ndaj duhet diskutimi. Sepse, ka të tjerë që kanë rrahur mendime të kundërta për këto probleme. B. Beci p.sh. shprehet qartë: “Gjithsesi, konkluzioni i paraqitur nga A. Kostallari se në periudhën e ndërtimit të socializmit në Shqipëri boshti themelor rreth të cilit është zhvilluar gjithë sistemi i gjuhës letrare ka qenë dhe është bashkëveprimi ndërdialektor, nuk del i vërtetuar.”
Pra, për t’i dhënë përgjigje pyetjes: Cila është baza dialektore e shqipes standarde?, duhet më parë të kalohet në sitë teoria e prof. Kostallarit për formimin e gjuhës letrare të njësuar. Duhet provuar, pra, jo me pohime, por me studime akademike, se shqipja e sotme standarde është ndërtuar mbi bazën e toskërishtes së ngritur në standard. Pasi t’i jepet përgjigje kësaj pyetjeje, atëherë bëhet krejt e qartë se baza dialektore e shqipes standarde mund të zgjerohet.
Deri më tani, unë fola shumë shkurt për “rrugën e formimit të gjuhës letrare kombëtare shqipe; për historinë e drejtshkrimit të saj”, e cila nuk duhet trajtuar si tabu. Gjithashtu, ata që mendojnë ndryshe nuk duhet të etiketohen si “antikombëtarë”. Në shkencë ka vlerë gjithnjë argumenti. Grekët e vjetër thoshin se “e vërteta del gjithnjë nëpërmjet diskutimit” (ribotim)