Takimi i së hënës i Këshillit të Ambasadorëve të Bashkimit Evropian vendosi të bllokojë miratimin e përfundimeve për procesin e zgjerimit.
Korrespondenti i Euronews Albania në Bruksel, Ernest Bunguri, bëri me dije se ka qenë Italia, ajo që i ka kërkuar presidencës gjermane, që të përmirësojë tekstin, sidomos për Shqipërinë.
“Ajo që pritet të ndodhë është se Gjermania duhet të vijë me një tekst të ri ditët në vijim, me sa kemi mësuar ky tekst nuk do të vonojë, pra do të përpiqen që ta prezantojnë këtë sa më shpejt,” – u shpreh Bunguri
Ndërkohë Holanda dhe Franca shfaqën sërish qëndrimin e tyre sipas së cilit Shqipëria nuk është ende gati dhe në njëfarë forme, edhe nëse Maqedonia e Veriut zhbllokon çështjen që ka me Bullgarinë, sërish Shqipëria të ndahet nga Maqedonia e Veriut në procesin integrues dhe nëse do të ketë konferencë ndërqeveritare të afërt, ajo të mbahet vetëm me Shkupin zyrtar.
Më herët Euronews Albania raportoi se Konferenca e Parë Ndërqeveritare nuk do të zhvillohet brenda muajit dhjetor, por në mars.
Në dokumentin e siguruar nga Euronews Abania thuhet se ajo do të mbahet sapo të jetë miratuar kuadri negociues dhe për Shqipërinë, pra pasi i të jenë plotësuar dy kushtet e mbetura, plotësimi i Gjykatës Kushtetuese dhe miratimi i Ligjit Anti-shpifje.