Ligji i medias në Shqipëri mbetet një problem serioz që cënon lirinë e fjalës, ndërkohë që ishte një nga dy arsyet e moshapjes së negociatave për Shqipërinë.
Kryetari i Këshillit Kombëtar të Medias, Koloreto Cukali në një intervistë për Ora News ka thënë se ndërkombëtarët janë shumë të zhgënjyer dhe të tradhëtuar nga kryeministri Edi Rama.
Cukali ka vijuar më tej duke thënë se ky ligj i kushton hapjen e negociatave vendit tonë.
“Ndërkombtarët janë shumë të zhgënjyer nga Rama, të tradhëtuar dhe nuk kuptojnë se çfarë qëllimi ka kjo lojë me ligjin. Në kohë kur Shqipëria pritet të hapë negociatat, ata nuk e kuptojnë këtë lojë. Ata e dinë shumë mirë që kjo i kushton Shqipërisë hapjen e negociatave.
Kryeministrit i intereson më shumë të fitojë zgjedhjet duke i mbyllur gojën mediave kritike, se sa të integrohemi në BE”, ka thënë Cukali.
Kryetari i Këshillit Kombëtar të Medias ka vijuar më tej duke mohuar mundësinë e një bashkëpunimi të ndërkombëtarëve dhe qeverisë në lidhje me ligjin e medias.
“Të gjitha palët në Europë janë të shqetësuar për këtë ligj, sepse është efekti domino, që nëse një ligj i tillë forcohet, futet me dhunë në një vend të Ballkanit, mundësia që ligje të tilla të kopjohen nga autokratë të Ballkanit janë shumë më të mëdha. Shoh një front të përbashkët nëse njerëzit e qeverisë thonë që po bashkëpunojnë me ndërkombëtarët dhe iu them që nuk po bashkëpunojnë. Ndërkombëtarët ia bëjnë shumë të qartë atyre këto që po iu them unë, pra nuk ka bashkëpunim.
Ka vetëm gënjeshtra të vazhdueshme derisa ta bëjnë fakt të kryer. Në këtë aspekt më vjen mirë që të gjithë faktorët ndërkombëtar dhe organizatat më të mëdha të medias janë bashkë kundër këtij ligji.”