Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuara/ Presidenti thirrje qeverisë: Kjo situatë përkeqësohet…përcaktoni trajtimin në raste emergjence

0
97

Presidenti Ilir Meta ka dhënë një mesazh për Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuar. Kreu i shtetit thotë se pandemia e Covid-19, e ka thelluar edhe më shumë pabarazinë që ekzistonte më parë, duke bërë që këta persona të ekspozohen më shumë ndaj problematikave dhe rreziqeve të shtuara. Meta i bën thirrje qeverisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë, që të përcaktojnë detyrimet për mënyrën e trajtimit të kësaj kategorie në raste emergjence apo fatkeqësie.

Postimi i plotë i Presidentit Meta

Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuara na ndërgjegjëson sot për të nxitur promovimin e pjesëmarrjes së plotë dhe të barabartë të tyre në jetën ekonomike, sociale, kulturore e politike, si dhe për të ndërmarrë veprime konkrete për përfshirjen e tyre në çdo aspekt të zhvillimit të vendit.

Pandemia COVID-19 ka thelluar akoma më shumë pabarazitë, që ekzistonin më parë, duke bërë që Personat me Aftësi të Kufizuara të ekspozohen më shumë ndaj problematikave dhe rreziqeve të shtuara në këtë periudhë.

Edhe në kushte normale, Personat me Aftësi të Kufizuar kanë patur më pak mundësi për akses në sistemin shëndetësor, në shkollim apo në punësim, ndërkohë që në kushtet e pandemisë, kjo situatë përkeqësohet shumë më tepër.

I bëj thirrje Qeverisë, veçanërisht Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, që në aktet ligjore e nënligjore, të mbajnë parasysh nenin 11 të Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, të ratifikuar nga shteti shqiptar, që përcakton qartë detyrimet për mënyrën e trajtimit të kësaj kategorie në raste emergjence apo fatkeqësie.

Realizimi i plotë i të drejtave të Personave me Aftësi të Kufizuara është pjesë thelbësore, e pandashme dhe e pamohueshme e të gjitha të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here