Ka ikur koha e parmendës, do të donim mekanikë bujqësore!” Me këto fjalë i është drejtuar sot, Kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, një fermer i Kukësit, pasi kreu i opozitës ishte edhe në Novosej, edhe në Shishtavec, dy fshatra të njohura për kultivimin e patates.
Gjatë bisedës me fermerët e këtyre dy fshatrave kreu demokrat u njoh me krizën e thellë të fshatit dhe mungesën e ndihmës së shtetit në këto zona të thella malore. Fermerët i thanë zotit Basha se jetojnë me shumë vështirësi, rinia ka ikur e gjitha në emigracion, ndërsa prodhimet e patates janë detyruar t’i groposin se nuk ka treg shitje mjaftueshëm për prodhimet e tyre.
“Këto vitet e fundit këtu, po të vësh re edhe njerëzit që janë këtu të pranishëm është fenomen mjaft i madh i emigracionit. Duke qenë se njerëzit janë tërë kohën nuk kanë parë asnjë dritë jeshile, pjesa më e madhe kanë emigruar. Këtu pothuajse kanë ngelur më shumë pleq edhe plaka. Nuk e di, domethënë ne kemi qenë të varfër gjithmonë këtu, po kemi qenë me shpresë, tani vazhdojmë të jemi të varfër por fatkeqësisht nuk kemi as shpresë”, – thotë një prej banorëve në fshatin Novosej.
Një problem i madh në këtë zonë është mungesa e tregut çka i ka detyruar banorët që shpesh herë t’i groposin patatet. “Vjet kisha unë 150 kuintal të mëdhaja, kualitet i parë për treg dhe arrita mos të shes asnjë, të gjitha u kalbën në gropë. M’u kalbën të gjitha. 150 kuintal po ishte njëfarë gjobe e madhe për ne, se ishte buka e fëmijëve, e gjitha buka e familjes kishte punuar për atë”, – thotë një tjetër fermer.
Ndërsa tregu bie, kostoja e prodhimit sipas fermerëve është gjithnjë më e lartë. “Nafta është shtrenjtë që është kryesore. Kur ta marr unë shtrenjtë unë naftën fermeri nuk mundet ta përballojë. Kërkojmë subvencion sidomos për pataten për far atë reja edhe mundësisht me mekanik bujqësore. Ka ikur koha e parmendës”, – shprehet i revoltuar një banor tjetër i fshatit të njohur të patates, Novosej.