Pse Perëndimi ka vendosur të shtojë presionin mbi qeverinë shqiptare?

0
162

Nga: Red Varaku

Kryeministri shqiptar ka vendosur të refuzojë mesazhet e qarta të Perëndimit për një tranzicion të qetë të pushtetit nëpërmjet zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Ai injoroi thirrjet dhe paralajmërimet e shumta të Parlamentit Europian, Komisionit Europian dhe Komisionerit për Zgjerimin z. Oliver Varhelyi për të respektuar marrëveshjen e pesë qershorit. Kjo sepse përmes kësaj marrëveshjeje ai e ka të qartë që vendi do shkonte qetësisht drejt tranzicionit të pushtetit me një diferencë votash që nesër mund të kërcënonte realisht të ardhmen e tij jo vetëm në politikë.

Për pasojë Perëndimi ka nisur të shtojë presionin dhe ka bllokuar në mënyrë të prerë, për të shtatin vit me rradhë, procesin e hapjes së negociatave, duke e kushtëzuar këtë qartazi me mënyrën se si do të aplikohet kodi zgjedhor , pra shkurt me zgjedhjet e prillit.

Një dështim ky ulëritës dhe i padiskutueshëm i kësaj qeverie pavarësisht relativizimeve që nuk bindin dhe as nuk qetësojnë dot më as vetë socialistët.

Gjithashtu, nëpërmjet draft-vendimit të Komisionit të Venecias, BE po i jep një paralajmërim të qartë kryeministrit se me këto vendime zgjedhjet praktikisht janë cënuar rëndë dhe kësisoj rezultati i tyre ka arsye të forta të mos pranohet nëse nuk reflekton vullnetin e qytetarëve për ndryshim.

Ndërkohë raporti i Fondit Monetar Ndërkombëtar ku qeveria ka realizuar vetëm 8% të planit për rindërtimin, është qartazi një ‘shpullë politike’ që e rrëzon përfundimisht me një argument fare të thjeshtë atë që qeveria e konsideron suksesin e saj më të madh, që është procesi i rindërtimit.

Edhe deklarata e ambasadores amerikane, fill pas përpjekjeve që u bënë për të krijuar idenë që SHBA dhe BE janë të ndara në lidhje me axhendën shqiptare të integrimit qartëson dhe thekson qëndrimin e prerë amerikan në lidhje me procesin e integrimit, si një mjet i fortë presioni demokratik mbi qeverinë shqiptare.

Ky është një tregues i qartë që si SHBA ashtu dhe BE ndajnë të njējtin qëndrim në lidhje me integrimin , pra nuk ka asnjë divergjencë në lidhje me dakortësinë që axhenda europiane e Shqipërisë ,është e vetmja axhendë që ata mbështesin pa kushte. Pra, është e qartë që nëse kryeministri vazhdon me të njëjtën papërgjegjshmëri, duke vazhduar t’i bëjë karshillëk Europës, duke refuzuar të pranojë realitetin që ka dështuar, duke refuzuar të pranojë që Perëndimi ia ka mbyllur me shumë qetësi derën e integrimit, paralajmërimet dhe presioni ndërkombëtar do të vijë duke u shtuar në ditët dhe javët në vijim.

Kjo do të vazhdojë kështu deri në bindjen e plotë të qytetarëve shqiptarë që ky kryeministër dhe kjo qeveri nuk gëzojnë më asnjë mbështetje ndërkombëtare dhe janë arsyeja e degradimit jo vetëm të Shqipërisë , por krejt faktorit shqiptar në rajon dhe zgjidhja e vetme është largimi me sukses i saj.

Tashmë këtë e dinë të gjithë, madje dhe bashkëpunëtorët e tij të afërt, përveç atij vetë, që për shkak se jeton në një realitet tjetër, beson ende se fajin për dështimet spektakolare nuk e ka qeveria e tij, por e kanë vetë shqiptarët, që fatkeqësisht nuk janë aq të kulturuar sa ta kuptojnë thellësinë perverse të vizionit të tij.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here