Masat kufizuese që do të shtohen në rast se do të ketë shpërthim të rasteve gjatë kësaj jave, zv. Ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli deklaroi se është shumë herët për t’i vlerësuar. Ajo tha se nëse do të vazhdohen të zbatohen masat nuk do të ketë rritje të rasteve dhe për pasojë nuk do kemi nevojë për masa të tjera shtrënguese.
Në lidhje me negociata për sigurimin e vaksinës, Rakacolli tha se qeveria është investuar për sigurimin e saj dhe është bërë pagesën e plotë duke bërë që Shqipëria të pozicionohet në atë që quhet dritarja e parë e shpërndarjes së vaksinës.
“Jemi në javët kur duket vlera e një mase që është marrë më herët. Në varësi të numrave do të shohim se si do të veprojmë. Po ajo që doja të thoja unë është se çfarë duhet të bëjmë të mos shkojmë në masa të tjera. Duhet të bindemi ndaj masave të vendosura.
Kjo është një luftë ku duhet të jemi të përfshirë të gjithë me mesazhin për t’u bindur ndaj autoriteteve shëndetësore. Pra hajde të bëjmë të gjithë të zbatojmë masat që të mos kemi nevojë për masa të tjera shtrënguese. Ne kemi bërë pagesat në kohë dhe jemi në dritaren e parë. Nuk janë të gjithë vendet në dritaren e parë. Qeveria është në negociatë për të siguruar një vaksinë që mund të dalë më përpara”, deklaroi Rakacolli.