Zerimi i rentës minerare – Gostia e shërbyer për shqiptarët, por festa bëhet diku tjetër

0
97

Në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese po përgatitet një gosti që me gjasë do t’ju shërbehet shqiptarëve si një ftesë për të gëzuar, po pak kush i ka zënë të gjitha tavolinat. Edhe ingredientët e përdorur të recetës së gostisë janë të njohur sepse përdoren prej kohësh , aq sa është e lehtë nga era e ndenjur të dallosh se çfarë do të serviret.

Aty ka mbërritur një propozim i Ministrisë së Financave për të bërë Zero rentë minerare të industrisë pasuruese të kromit dhe bakrit për tre vjet.

Në seancën e fundit, menuja u pasurua me një propozim nga komisioni që kënaqi edhe përfaqësuesit e Ministrisë së Energjetikës: që renta minerare të zerohet edhe për eksportuesit e tjerë që shesin direkt në treg krom të pasuruar dhe për prodhuesit.

Megjithëse periudha e përftimit u hodh si ide që të shkurtohet nga 3 në 1 vit, sërish ky propozim ka shumë pikëpyetje që të shqetësojnë se cilën lugë kërkon të mbushë: atë të voglën të punëtorëve apo të madhen e pak sipërmarrëseve. Dhe nëse dikush përfiton, kush humbet? .

Argumenti demode i Ministrisë së Financave lidhej me vetëm një argument: se meqë kriza nga pandemia ka ulur çmimet dhe kërkesën, kryesisht nga Kina, bizneset janë në vështirësi dhe shumë punëtorë e kanë humbur punën. Për t’i rifutur ata në punë, po bëhet kjo heqje provizore e taksave.

Megjithëse konstatimi rreth tregun ndërkombëtar që është në rënie është i drejtë, që në fillim thamë është një propozim i hidhur ku tryeza duket se është shtruar për të gjithë por tjetër kund bëhet festa.. Së pari sepse Shqipëria asnjëherë nuk ka ditur të ketë një ekonomiks taksash që të na tregojë se si janë efektet e tyre në punësim kur ato rriten apo ulen. Madje përfaqësuesi i Ministrisë së Financave nuk dinte as efektin nën buxhet kur iu kërkua një llogari e tillë megjithëse ishte aty për ta mbrojtur propozimin.

Dhe tjetra që lidhet më direkt me taksën –  E ardhura nga renta minerare është para për shqiptarët në këmbim të së drejtës për të shfrytëzuar pasurinë kombëtare .  Ajo është taksë mbi pronarin jo mbi biznesin apo punëtorin.

Është konstatim i drejtë që kërkesa nga tregu i huaj ka rënë ndjeshëm, por sa kohë do zgjasë kjo? Megjithëse lajmet e fundit thonë për një ringritje të çmimeve dhe kërkesës askush nuk di të thotë se nëse zerohet renta  a do të rritet kërkesa?!.

Ndaj përpara se t’i vëmë pikën mbi “I” këtij diskutimi le të ndërtojmë ca pyetje që Komisioni i Veprimtarive Prodhuese, dhe më tej ai i ekonomisë kur të nisë shqyrtimet nëse ka vullnetin dhe dëshirën të ndihmojë punëtorët le të kërkojë përgjigje nga propozuesit e saj:

P.sh Pse duhet hequr renta minerare dhe nuk ulen kontributet e sigurimeve shoqërore që paguhen direkt nga punëtorët. Dhe kjo është taksa mbi punën e ka kuptim dhe moral nëse ulët se jep efekt të drejtë në të ardhurat personale të çdo punëtori të presupozuar të mbetur tani pa punë nga kriza e pandemisë.

Apo, pse nuk propozohet p.sh ulje TVSH për qumështin që familjet minatore, apo të tjerë punëtorë të kësaj industrie përdorin për të mbrojtur shëndetin.

Pse duhet ulur renta ndërkohë që 5% e kësaj të ardhure që merret nga pushteti lokal, duhet t’ju hiqet bashkive më të varfra të vendit, Bulqizës, Klosit, Kukësit dhe Tropojës. Këto bashki kaq të varfra a nuk kanë nevojë të ndihmojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë qytetarët e tyre?

Po në buxhetin e vitit të ardhshëm pse nuk u parashikua nëse pritej diçka e tillë, sepse propozimi ishte bërë që në mars ndërkohë që edhe buxheti është miratuar.

Po edhe nëse parashikohet përmes një rishikimi të buxhetit, pse duhet të paguajnë të gjithë shqiptarët dhe sipërmarrësit nuk duhet ta bëjnë diçka të tillë.

Siç edhe qeveria përdori skemat e ndihmës për shumë biznese, pse pikërisht këto pronarë biznesesh të pasurive nëntokësore e nëse kanë probleme me likuiditetin pse nuk aplikojnë nga kredia sovrane siç iu përgjigjet qeveria sa herë bizneseve të tjera mjaft të vyera për ekonominë.

Logjika e përdorur nga propozuesit është aq e dobët sa duket alogjike. Dhe kundra pedal ndaj çdo skeme të aplikuar nga qeveria deri tani për të ndihmuar bizneset e tjera të prekura nga pandemia.

Por sikur të ketë një propozim tjetër: të mos ulet renta dhe punëtorët e mbetur në asistencë nga papunësia të ndihmohen me pagë më të lartë, të paktën përkohësisht siç ndodhi gjatë karantinës?

Renta minerare është pjesë e të ardhurave që shqiptarët  marrin nga shfrytëzimi i burimeve natyrore, të cilat janë pasuri e të gjithë dhe jo vetëm një pjesë që numërohen sa gishtat e njërës dorë. Ndaj ne kemi nevojë për vendimmarrje të përgjegjshme mbi burimet tona natyrore në emër që e ardhmja të mbetet barrë siguruese vetëm për disa./Gazeta “Si”

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here