Sali Berisha: Në shtëpinë e Klodianit, Rama shkoi si hasëm, dhuna në protestë do të përshkallëzohet

0
139

Ish-kryeministri Sali Berisha tha në Euronews Albania se vrasja e të riut Klodian Rasha do të thotë pasiguri për këdo.

Z. Berisha u shpreh se situata në protestën e nisur mund të degradojë më tej, pasi sipas tij, me fjalimin e mbajtur pak më parë kryeministri në vend të qetësonte situatën e nxiti më tej atë.

Sipas ish-kryeministrit vrasja e të riut është krim shtetëror, ndaj kryeministri Edi Rama shkoi në shtëpinë e të ndjerit si hasëm, edhe pse shqiptarët në mort presin edhe armikut.

“Shtetin e dhunës e solli Edi Rama. Vrasja e ndodhur është simbol i degradimit të kësaj narkopolicie. Mesazhi për protestuesit është që arkitekti i shtetit të dhunës është Edi Rama, Lleshaj ishte vetëm një njeri pa vlerë e pa dinjitet. Të mobilizohemi ta zgjidhim me zgjedhje këtë punë.

Ju them protestuesve të mobilizohen për të shporrur Edi Ramën, të nxjerrësh policinë para gazetarëve dhe artistëve, kjo është kulturë e bandës jo e shtetit. Situata do të përkeqësohet, ai sot ishte kërcënues, ishte i mbushur, ndaj dihaste.

Çfarë e pengoi të mos reagonte 72 orë, mund të bënte 10 mesazhe nga Nju Jorku. Ai shkoi si hasëm në shtëpinë e Klodianit, jo si mik, por në mort shqiptari pret edhe hasmin. Unë dhe PD jemi jashtë proteste. Vrasja e Klodian Rashës është pasiguri për çdo njeri”, tha ish-kryeministri.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here