Para disa viteve për herë të parë kanë dalë nga arkivat e Institutit të Kulturës Popullore tre fjalorë leksikografikë të poetit të pushkatuar, Genc Leka; Gazeta “standard” ka publikuar po ashtu, për herë të parë dhjetë vjet letërkëmbim me gjuhëtarin, Androkli Kostallari, – letra e fundit në prag të vitit të ri 1976, një vit para pushkatimit kërkon të bëhet bashkëpuntor zyrtar i Institutit të Gjuhësisë
Violeta Murati
“Në radhë të parë më lejoni t’ju sjell përshëndetjet e mia më të sinqerta! Ju, ndofta e prisnit këtë letër, po ja që unë e mora një inisiativë të tillë, që t’ju shkruaj më përpara!
Jam arsimtar i gjuhës shqipe në shkollën 7-vjeçare Zdrajsh të lokalitetit të Çermenikës.
Para disa ditësh muarëm një letër të datës 10.10.1953, e cila ma nxiti më tepër që të shkruaj këtë letër! Unë jam dakord me sa shkruani në letër vetëm dua të theksoj se seksioni i Arsimit të rrethit tonë, deri tani, nuk na ka njoftuar mbi sa na shkruaji ju! Sidoqoftë një punë të tillë, unë e kam nisur vetë pa më thënë dokush, vetëm e vetëm që jam i pasionuar pas gjuhës shqipe….”. Këto rreshta i takojnë poetit të pushkatuar nga Librazhdi, Genc Lekës, drejtuar gjuhëtarit të Tiranës, Androkli Kostallarit, meqë në këto vite, aty rreth ’60-ës, Instituti i Gjuhësisë nisi aksionin kombëtar për mbledhjen e fjalëve nga populli.
Genc Leka, atëhere mësues fshati, që jepte lëndën e gjuhës- përveç letërsisë, po shfaqte ndërkohë dhe fillesat si studiues gjuhe. Detyrën e Partisë ai donte ta shihte si të vetën, dhe jo si refraktar, si njeri që pushteti e përndiqte prej vitesh familjen e tij- deri sa erdhi edhe ekzekutimi i tij në vitin 1977.
Kjo fillesë, përfshirja në aksionin e madh kombëtar për pasurimin e shqipes, edhe pse bënte njëkohësisht punën e arsimtarit, për Genc Lekën merrte kuptimin zanafillor- atë të një studiuesi që do të mbërrinte deri në prag të leksikut abstrakt- siç do ta dëshmonte edhe vetë gjuhëtari Androkli Kostallari në një nga letrat e tij në fund të viteve ’70-të.
U desh ky prezantim për të na çuar në arkivin e pasur që është zbuluar nga Instituti i Gjuhësisë si dhe Kulturës Popullore.
Janë gati pesë fjalorë leksikografikë, me fjalë nga populli dhe shprehje frazeologjike të zonës së Librazhdit por edhe më gjerë duke hyrë deri në thellësi të leksikut të jugut dhe Shqipërisë së mesme.
Një punë voluminoze që dëshmohet nga letërkëmbimi gati dhjetëvjeçar, intensiv, që pati Genc Leka me drejtorit e Instiutit të Gjuhësisë, Androkli Kostallari.
Për herë të parë ky fjalor, shoqëruar dhe me letrat e gjuhëtarit në Tiranë, të cilat janë përfshirë në një botim të kujdesur nga gjuhëtari Emil Lafe, që e ka konsideruar një pasuri e panjohur dhe tepër e çmuar, emri i të cilit ka qenë mohuar me urdhër në diktaturë: Genc Leka nuk duhej të shënohej asgjëkundi, nuk duhet të përmendet.
Është një hark kohor që përfshin vitet 1962 deri në vitet ’70-të, ndërmjet të cilave Genc Leka, pothuaj çdo muaj është dërgues i rregullt, dhe intensiv i pasurisë leksikore të krahinës së tij. Materiali që botohet në gazetën “standard” herë të parë, është siguruar nga familjarët e tij, i vëllai i Vilson Blloshmit, Bedriu i cili tregon se ka ndeshur të njëjtën vështirësi burokratike në arkivat e instituteve për të siguruar dorëshkrimet orgjinale.
Praktika e asaj kohe i mbyllte fjalorët e arsimtarëve nëpër skedarë, dhe asnjëherë nuk u përmendej emri, veçanërisht emri i Genc Lekës ishte një urdhër i fshehtë që të mos shënohej. I vetmi rast tregon gjuhëtari Lafe ishin revistat, apo referatet- por dhe këtu ruhej anonimati- ndonëse pohohet se ka pasur fate më tragjike se Leka në gjuhësi si rasti i Lef Nosit, Gazullit, Mustafa Krujës apo Martin Camajt. Nga ana tjetër çfarë përjetonte mësuesi i gjuhës, Genc Leka për këtë aksion kombëtar ishte entuziaste…“në dorë fjalën e shprehje frazeologjike- ja më në fund fruti i thjeshtë i një pune prej disa muajsh. Duke u éndur poshtë e lart tek ty vend plot gjurmë, që të çojnë deri në thellësitë më të largëta të lashtësisë….E, ndofta, mjeshtrave të thesarit gojor të popullit, do t’u duhet një punë shumë e madhe, për t’i bërë këto fjalë e shprehje të vlefshme për gojën e brezave të ardhshëm!”
Këtë dorë fjalësh e shprehjesh të mbledhur nga goja e popullit, në krahinë dhe jashtë saj, Leka e tregon me korrektësinë e studiuesit duke u shprehur se është munduar ta pasqyrojë ashtu siç duhet, “me sa më pak të meta dhe mbi të gjitha, t’i qëndrojë besnik folësit, qoftë nga ana e shqiptimit të fjalëve apo shprehjeve, ashtu edhe nga ana kuptimore e tyre, në raste të ndryshme të të folurit”.
***
Letërkëmbimi i Genc Lekës me drejtorin e Institutit të Gjuhësisë, gjuhëtarin Androkli Kostallari; Fjalë të rralla dhe shprehje frazeologjike, mbledhur nga Genc Leka në një hark kohor prej gati dhjetë vjetësh, deri në vitin 1976, një vit para pushkatimi ku dokumentohet letërkëmbimi i fundit me gjuhëtarin
Institutit të Historisë e Gjuhësisë
(Sektorit të leksikologjisë e leksikografisë)
Universiteti Shtetëror
Tiranë
Mora letrën tuaj të datës 20 tetor 1971 dhe, pa humbur kohë, në lidhje me sa kërkonin për shpjegimin e kuptimit të fjalëve, po ju bëj të njohur se të tria fjalët që përmenden në letrën tuaj, përdoren edhe në këto anë, në të folurën e zakonëshme, por deri tani, nuk i kam hasur në ndonjë botim. I. Për fjalën e par: álbër, dua të theksoj se përdoret me kuptimin cifël, çikël, siç shkruani edhe ju, por në këtë zonë e konkretishtë në Bërzeshtë përdoret me kuptimin áshkë = Pjesëzë druri që del nga të rënit e sëpatës shumë herë në një vend, ku ka një myç të fortë. Kurse kur pritet (shkurtohet) druri, pjesët që dalin nga sëpata quhen: buláshka. Pra kuptohet se álbër-at janë pjesë më të vogëla dhe më të imëta buláshkat Albërat përdoren për të ndezur zjarrin në fillim (si pjesë që marrin flakë menjëherë, nga që janë të holla), kur këto janë të thata. Theksoj se fjala álbër nuk përdoret për rastin cifël guri… a diçka tjetër!…
Vendi ku çohen drutë me sëpatë, tek i cili qëndron një tjetër dru i fortë me kllápë për të mbështetur drurët e tjerë që do të shkurtohen apo çahen, si dhe për të mos rënë, sëpata në tokë, quhet: albër ishte, sepse aty, vazhdimisht, nga çarja e druve bijen vazhdimisht, nga çarja e druve bijen álbëra. Kurse kur drutë priten me sharrë (shkruhen) ose edhe kur çahen për dërrasa, nuk kemi álbëra, por miell sharre (tallásh, siç quhet në terminologjinë e sharrave- lëshimi im). Shembuj: ë)- dil nga lëmi dhe na merr ndonjë álbër të thatë, sa të ndezim zjarrin.
2)-Prej një álbëre trembesh ti? (me kuptimin e një druri të hollë kur do të trasportohet në krahë!) 3)- Nuk kalon dimri vetëm me albërishtën, mor bir, jo!… (d.m.th: dimri kërkon shumë dru e jo mbeturinat e druve që janë çarë e djegur herë mbas here…
(Simbas bisedës me G.Lekës, mars 1971)
Por dua të theksoj se ka edhe një kuptim tjetër fjala álbër, që mendoj se ja vlen ta theksoj, ndonëse përdoret pak rrallë. Quhet álbër ajo cipa e hollë që mbështjellë viçin e sapolindur. Lopa, fill mbas lindjes, duke nxjerrë edhe një britmë (pállje) të mbytur, e lëpin viçin dhe me gjuhë ja heq álbërën me qëllim që viçi të ngrihet sa më parë për të pirë qumësht (kulloshtër). – Për të lehtësuar këtë veprim që bën lopa, mbi trupin e viçit hedhim një dorë krypë, sidomos kur lopa e ka lindjen e parë…
Pra álbërën lopa e há gjatë lëpirjes dhe viçit i krijon frymëmarrjen e lirë si dhe një farë ngrohtësie…. Sh.: Tashi po i heq álbërën, pastai do të ngrihet.
(nga N.Leka- qershor 1971. Bërzeshtë)
Po kjo fjalë përdoret edhe për kafshët e tjera (dhen, dhi etj). –Me álbër – thotë biseduesja- është e mbështjellë edhe fëmia kur bind.
Raste të tjera të përdorimit të kësaj fjale, nuk kam hasur deri tani në bisedat e lira me njerëzit!
- Për fjalën: anësóre-ja si pjesë përbërëse e parmendës, dua të përmend sa vijon:
Në zonën tonë, pjesa për të cilën bëhet fjalë, quhet më të vërtetë anësóre, por për këtë objekt, përdorim më të gjërë ka fjala véshas; i shquar: véshast (me këtë trajtë përdoret gjithmonë nga bujqa me përvojë te né)
Shembuj: a): këto véshas janë shumë të mbylluara dhe nuk e derdhin dheun e brazës.
- b) Prit, mor njiherë, sa të ndreq véshast e parmendës, çudi e madhe me ty!…
Shekujt janë marrë nga biseda me Rustem Kukën, koop, Bërzeshtë.
Maj 1971.
***
Tiranë
I nderuar profesor
Mora letrën tuaj të datës 3-XII-1975 dhe sa me shkruani, i kuptova!
Pa humbur kohë, po ju përgjigjem për sa kërkoni për sqarim e kuptimit të fjalës anësor-ët.
Gjithashtu ju falenderoj përzemërsisht për vlerësimin që u kini bërë materialeve të mia!
Në lidhje me fjalën e mësipërme, u interesova që pyes persona që kanë punuar në sektorin e sharrave, të cilët më dhanë sqarimet e nevojshme. Për të bërë sa më të qarta të dhënat gojore, kam përgatitur një skicë ku tregohet lugu me anësor-ët. Për këtë shihni edhe skicën me sqarimet përkatëse. Jam munduar që kuptimi e kësaj fjale ta bëj sa më të qartë.
Deri tani, bashkëpunimin me sektorin e kam pasur afërsish sipas të dhënave tuaja, prandaj, për vitin në vazhdim (1976), dua të di se në ç’drejtim mund t’ju ndihmoj më konkretisht. Për këtë, pres përgjigjen tuaj! Nga fillimi i vitit 1976, dëshiroj që t’ju dërgoj një material leksikor, kryesisht me shprehje frazeologjike, por puna e përditshme nuk më lejon aqë sa duhet.
Siç e kam theksuar edhe disa kohë më parë, një farë dokumenti që të dëshmojë bashkëpunimin tim me atë sektor, do të më ndihmonte sadopak, për punën e mbledhjes së materialit leksiokor. Sidoqoftë, unë jam gatshëm (dhe kështu do të jem gjithmonë!) që të jap ndihmën time modeste në çdo drejtim që do të ndjehet e nevojshme!
Duke mbetur në pritje të përgjigjes suaj, ju përshëndes dhe ju uroj : GËZUAR VITIN E RI 1976! Sinqerish i juaji
Bërzeshtë, 11-XII-1975
***
Në vazhdim të punës për mbledhjen e materialeve leksikore nga goja e popullit, duke menduar se do të jetë me interes për sektorin, kam bërë një gjúrmim të vogël për emrat e gurëve dhe të dherave në fshtatin Bërzeshtë.
Në këtë material të thjeshtë, siç do të shihet edhe më poshtë, bëhet fjalë për emrat e ndryshëm të gurëve dhe të dherërave në zonën tonë, ashtu siç njihen në popull deri në ditët e sotme, si dhe për disa çështje të tjera të cilat, me karakter gjuhësor më të theksuar, hedhim dritë për një studim më të gjërë nga punonjësit e atij sektori.
Për temën e mësipërme, në tërësi kam punuar sipas udhëzimeve të dhëna nga ana e sektorit të leksikologjisë e leksikografisë dhe mendoj se ky material, me gjithë paqartësitë e të metat, që mund të ketë, shërben si një farë dokumenti për t’u bazuar për udhëzime më të hollësishme në lidhje me punën që duhet të bëj në vazhdim, që kontributi të jetë sa më i vlefshëm për sektorin; veç kësaj, dua që, në bazë të vërejtjeve dhe sugjerimeve tuaja, të plotësoj ato boshllëqe, të cilat unë mund t’i kem për arësye të ndryshme!
Për sistemin e materialit me qëllim që të ketë sa më pak vështirësi studimi, kam ndjekur rendin alfabetik për seicilën emër guri ose dheu, sipas përdorimit nga goja e popullit, kurse më poshtë, kam regjistruar disa shprehja frazeologjike, të cilat përdoren rëndom në të folurin e zakonshëm popullor. Synimi im i gjatë përgatitjes së këtij materiali, ka qenë që ky të mblidhet sa më shterueshëm dhe qartë, por aty këtu, mund të ketë edhe kapërcime, të cilat do të korrigjohen në t’ardhmen siç e përmendëm edhe më lart!
Duke përfunduar këto dy fjalë, shpreh bindjen e plotë se sektori do ta shohë me vemendje këtë material të vogël dhe me udhëzimet përkatëse, do të më ndihmojë që puna ime në vazhdim të jetë sa më e frytshme! Si do që me mundësi jo të shumta duke qenë i vetëdijshëm për rëndësinë që ka mbledhja e materialeve të ndryshme nga goja e popullit, zotohem si gjithnjë, se do të jem i gatshëm për të dhënë kudoherë kontributin tim modest, gjithënjë i pakursyer për çdo nevojë që mund të ketë sektori, e, të mos e mohoj, kurdoherë i kënaqur e i gëzuar për vlerësimin që u bën sektori materialeve të mia, sa do të pakta dhe të rralla që janë këto materiale, por gjithnjë me qëllim të çiltër dhe të ndërgjegjëshëm!…
Genc Leka
1970
***
Siç paraqitet edhe në materialin, emrat e gurëve dhe të dherave janë mbledhur ashtu siç njihen nga populli në ditët e sotme dhe, gjatë shembujve, apo shprehjeve të ndryshme frazeologjike, janë treguar edhe ndryshimet që vihen re për secilin emër gjatë të folurit të popullit, se si nga një emër janë krijuar një ose disa emra të tjerë që shprehin nocione të tjera, ose të përafërta me të parat. Kështu, bie fjala, nga përdorimi në gojën e popullit i emrit bigórr, kemi të krijuar emrin tjetër bigorr íshte. Apo me të njëjtin emër populli quan edhe fundërrinat e krijuara në enë gjatë zierjes për një kohë të gjatë. Po kështu mund të përmendim se me këtë emër është krijuar edhe shprehja frazeologjike: “I gjetën bigórr” ose u bë bigorr.
Gjatë sistemimit të këtij materiali, kam vënë ré se disa fjalë (emra) janë edhe në Fjalorin e Gjuhës Shqipe (1954) si p.sh fjala (emri) bigórr, shémbë, etj. Ndonëse shpjegimi i plotë i tyre nuk jepet ashtu siç e ndeshim të përdoret në këtë zonë, apo ndonjë luhatje tjetër që nuk ja vlen ta zë ngoje në këto shënime, por qëllimi im që i kam futur në këtë material ka qënë që të jap një pasqyrë të shtrirjes së përdorimit më të gjërë të atyre fjalëve, d.m.th. se deri në ç’zonë njihet dhe si njihet kuptimi i këtij apo atij emri, të paraqes fjalët (emrat) bazë dhe ato të krijuara prej tyre, p.sh: nga fjala élb kemi emrin e elbëríshtë etj, që janë renditur në në material, si dhe shprehjet e ndryshme frazeologjike që janë krijuar nga goja e popullit, kuptimet e të cilave janë dhënë ashtu siç janë dëgjuar nëpër biseda të ndryshme, si dhe nga vërejtjet e herëpasherëshme që janë bërë gjatë viteve. Banimi për një kohë të gjatë në një vend (si në zonën e Berzeshtës ashtu edhe në atë Çermenikës) më jep mundësinë që të di saktësisht përdorimet e fjalëve në të folurin e përditshëm nga goja e popullit si dhe kuptimet që merr çdo fjalë apo togfjalësh e shprehjesh në raste të ndryshme. Për këtë jam munduar që ta bëj sa më të qartë me shembuj konkretë, duke dhënë edhe emrat e personave, prej të cilëve është marrë shëmbulli përkatës si dhe vitin 1974, gjatë të cilit kam mbledhur pak nga pak emrat e ndryshëm të gurëve dhe të dherave. 1. Jam i sigurtë se materiali duhej dhe mund të ishte më i plotë e më i qartë nga çdo pikpamje, por theksoj se e kam grumbulluar në një formë të tillë që të jetë si pasqyrë për të parë disa veçri të përdorimit të disa emrave në këtë zonë, si nga ana leksikore, ashtu edhe nga veçoritë gramatikore në përdorim e sipër të fjalës, p.sh: nga fjala bútë, (fq.8) kemi emrin ose fjalën butónjë, foljen butoj (pjesore butúar), shprehjen më të butuar, etj. Të njëjtën gjë mund të themi edhe për fjalët bisht-arák, blatë-a(blatishtë-a-t) brokë-a (brokë-urimë-a-t), çákull- (çakullimë – -t) dijdte, nga dyst djerr-(djerrishtë-a-t), élb (elbërisht), gropë (gropçele-ja) gurdyfegu (gur+dyfek); (fjala shqiptohet me g, prandaj e kam shënuar kështu!) gurlugati (gur+lugát), gur mulliri (gnur+mulli), gurishtë (guri, gur), gurore-ja (gur+are) gurë shkrepës (gur+shkrepës), hedhurinë (nga folja hedh-me hedhë) është krijuar një emër i ri që zor se mund të përdoret në ndonjë zonë tjetër, të paktën me këtë kuptim; nga emri krástë kemi emrin tjetër krastók, kum, (kumushtë-a) kum (kumsállë), ose nga folja me kullue (kulloj) kemi emrin kullásë a-t; gjithashtu theksojmë se , nga folja me platitë (platit-ur-platita, platiete zjatti) = fiket pak nga pak vetëvetiu, nuk mund të themi kurrë hidhi ujë zjarrit që të platitet, por: véna (vér-na) ndonjë dru në zjarr se, nuk e sheh se u platit fare, d.m.th nga koha e gjatë pa e ngacmuar, drutë u dogjën nënvete dhe zjarri u platit! Mos e platit zjarrin, por folja platit, kemi emrin platére (në fq. 59.)
Nga folja me pláse (plásur) plas-plasa-folja plás (urdhërore kemi emrin plásë-a-t, apo nga folja: me rrëzue (rrëzuar), rrëzoj, kemi emrin rrëximë-a-t (në të folurën e vendit përdoret me x e jo me z nga folja me shémbë – (shembur) kemi emrin shémbë-a-t; nga folja shtroj – (me shtrue) kemi emrin shtronjë-a-t. Kurse ndryshe ndodh me emrin shullë, prej të cilit vjen folja shullë-hem-esh-et, siç është treguar në faqen 81.
Nga emri shur-i (fq. 82) kemi emrin tjetër shur-ák-ë-t;
Gjithashtu sqarojmë se nga fjala: me tundë (tundu) tund-a, kemi emrin tun(d) ë-a-t.
Në gojën e popullit d-ja ka rënë si fenomen fonetik dhe prej këndej kemi emrin túnë-a-t, etj.
- Veç sa përmendëm më lart, kemi edhe mjaft emra që janë në përdorim nga goja e popullit jo në kuptimin direkt të tyre por në atë figurativ, gjë për të cilën, duhet pohuar se nuk është nisur nga gjuha letrare apo nga faktorë të tjerë gjuhësore, por thjesht nga një shkak objektiv, nga domosdoshmëria për komunikimin në mënyrë sa më konkretet dhe si rezultat, nga një emër kemi një emër tjetër si kuptim, por si emërtim është po ai. Kështu mund të sjellin disa shembuj: brinjë e njeriut ose e kafshës dhe brinjë-a-t (vend i pjerrët mbrapa një kodre të madhe, më të cilën kalon një rrugë këmbësore, fq. 7.
- “Ç’ke flamur që nuk valon…
– jam goditur brinjë më brinjë…”
Nga: (“Tridhjeté nëntë mos ardhç kurrë”
- “Ç’ma dhé këtë mish fare brinjë? (nga bisedat.)
- “U plaka, mike u mplake branë m’i heq ato çorape;
– U plake o mik dhe tinë,
mbete si man në brinjë…”
(nga një këngë popullore.)
Nga fjala çil-i, çíle, çilák, u formua edhe folja: u çila, çilem = u thinja, por edhe emri çil, si ngjyrë, prej nga dhe ka marrë emrin furi çil (fq.11).
Prej ndajfoljes dyst, (rri dyst, vjen dýst etj.) kemi emrin e vendit dýste-ja- dýstet.
Prej emrit damár (damarët e trupit, mari i ballit) kemi emrin damar = një rryp i ngushtë dheu që dallon nga shtresa tjetër e dhut, ose një shtresë e ngushtë guri në thellësi që është më i fortë se të tjerët.
Nga emri faqe që ka aq kuptime: (faqe e njeriut-faqe kuqe, faqe e librit, faqe e jorganit, etj) kemi faqe e malit (në f-19.).
Po kështu mund të përmendim edhe plot emra të tjerë si: grykë, këmbë, kokërdhák, kurriz, qafë, etj, të cilët kanë kuptimet e tyre direkte edhe ato figurative në vende të ndryshme sipas formës madhësisë, ngjyrës, përbërjes, etj.
Ndërsa për fjalën (emrin) rráh-u, shm: rráhe-t, dua të sqaroj se kemi një ngjajshmëri të madhe midis fjalës rráh (folje) ráh) (emër) dhe rráhë (ndajfolje).
Siç e kam theksuar edhe në faqe 97, ky emër është i përdorur qysh prej shumë vjetësh të kaluar në këtë zonë, sepse jo vetëm që përdoret nga persona në moshë të shkuar, por e gjejmë edhe në “TOPONIMET” e fshatit, (material i dërguar prej meje në sektorin e leksikologjisë e leksikografisë!) p.sh: Rráhu i Shéshlehut. Këtë fjalë e gjejmë të përdorur edhe në letërsinë artistike si tek “LUFTA E PAQJA” e Leon Tolstoit, përkthyer në shqipet prej Sotir Tacit, tek “Vërshimet e lumenjvet” e Konstantin Paustovskit, përkthyer prej Dhimitër Paskos, por ajo që më tepër rëndësi, e gjejmë tek “Kënga e VIII” në veprën e poetit tonë arbëresh, Jeronim De Rada “Milosao”, të përshtatur në gjuhën shqipe prej pref. Jup Kastratit. –(“dreq ráhjet é detit / Gkëzoi ditta e káljthërëz…”
Nga ky fakt na jepet mundësia të mendojmë se jepet mundësia të mendojmë se fjala rráh-rráhu më tepër ka rëndësi si fjalë e vjetër e shqipes se sa si emër vendi apo si figurë letrare.
Prej emrit rreth (vija sferike) kemi emrin e vendit (shih fq. 69.) kurse nga emrin rrotë-a, kemi emrin rrátull-a, që përdoret për boshtin e tjerrjes së leshit;
Po kështu janë edhe emrat e tjerë qóshe-qósheja, spicë, spíca, sófër sofra, shkallë-shkalla, shtrat-shtrati, thikë-thika, etj.
- Edhe çështja e formimit të shprehjeve frazeologjike me anën e shumicës së emrave të grumbulluar në këtë material, mendoj se ja vlen të kihet parasysh për arësye se shërben jo vetëm si fakt për studim leksikor të thjeshtë, por më tepër për atë që emrat me të cilët janë formuar shprehjet, kanë një kohë relativisht gjatë që përdoren nga gojá e popullit, pra, si të themi, janë fjalë bazë në fundin themelor të gjuhës së popullit dhe veç karakteristikave të mësipërme, nuk kam pasur ndryshime të tjera fonetike, që meritojnë për t’u shënuar.
Në këtë material të thjeshtë përfshihen 127 emra gurësh e dhérash si dhe 88 shprehje frazeologjike, përveç emrave dhe shprehjeve të tjera plotësuese.
Duke përfunduar këto pak shënime, pohoj edhe një herë se jam përpjekur që materiali të jetë sa më i qartë, me qëllim që të ketë një farë vlere për sektorin e leksikologjisë dhe leksikografisë.
Të gjitha vërejtjet dhe sugjerimet në lidhje me këtë material, do të vlejnë për ngritjen e cilësisë së punës sime në t’ardhmen.
Dëshiroj që të mbetem gjithnjë një bashkëpunëtor i devotshëm dhe modest, kurdoherë i gatshëm dhe i palodhur për zhvillimin dhe përparimin e gjuhës sonë!…
Më 14.4.1975.
Genc Leka
Pergatiti: V.Murati