Ish-kreu i ISHP-së Besnik Jakaj ka qenë i ftuar sot në Fax News, ku ka komentuar protestat e fundit të mbajtura në Tiranë, që sipas tij kanë thyer protokollet e vendosura për Covid. Sipas Jakajt shkelja më e madhe është bërë brenda ambienteve të komisariateve, ku dhjetra persona të ndaluar, kryesisht të mitur janë mbajtur në dhomë shumë të vogla.
Sipas mjekut sjellja e Policisë ka qenë mjaft e dhunshme, dhe jo në propocion me qendrimin e qytetarëve, që në ditën e dytë të protestës, sipas tij u sulmuan edhe pse qendronin në mënyrë paqësore.
“Sigurisht që nuk janë zbatuar protokollet, por një shkelje flagrante dhe e pajustifikueshme totalisht është bërë nga ana e Policisë, me ndalimin e adoleshentëve, duke i futur në një dhomë aq të ngushtë 50-60 veta. Dhuna e panevojshme dhe jopropocionale e Policisë është e dënueshme në të gjithë botën. Kanë qenë të rinj të revoltuar më së shumti, është reflektim pozitiv, pasi e protesta është e drejtë themeltare e të gjitha kohërave.
Kjo është një ngjarje që kalon përtej familjes së Klodian Rashës, ajo letër duket lehtësisht e diktuar, ne i dimë instrumentet politik që ndodhin në vendin tonë. Duhet ta kuptojë çdokush në Shqipëri që revolta është për precedentin, për sjelljen që ka bërë Policia e Shtetit, tentativa për të fshehur ngjarjen, tentativa për ti veshur Klodianit epitete të ndryshme.
Ditën e dytë të protestës ka pasur një qendrim të dhunshëm nga ana e punonjësve të Policisë, ende pa nisur mirë protesta nga të rinjtë. Më vjen keq që të shohësh këto lloj skenash, kjo ishte pika e vlimit, pasi ka pakënaqësi tek të rinjtë prej shumë kohësh. Të rinjtë reflektojnë në mënyrë të natyrshme shqetësimet që kanë prindërit e tyre, pasi e dëgjojnë prindin e tyre kur është në shtëpi, dhe thotë që i kanë çuar një drejtor që nuk kupton, vetëm prej bindjeve politike”, tha Jakaj.
Jakaj apeloi më tej që vëmendja e qeverisë të fokusohet te pandemia, dhe të qetësohen sa më parë qytetarët, duke mos i provokuar me shoqërime dhe me arrestime.