Aktorja Zhaklina Dhimojani Blattler, e ftuar në emision televiziv shprehu aspiratën për të kandiduar si deputete nën siglën e Partisë Socialiste.
“Unë kam ambicien dhe përvojën që të kontribuoj për zhvillimin e mëtejshëm të Himarës sime, të Bregut dhe të gjithë Shqipërisë. Këtë dua ta bëj me Partinë Socialiste, forcën më progresive dhe më moderne të vendit”, u shpreh Dhimojani Blattler.
E pyetur nga moderatorja rreth miqësisë së saj me Kryeministrin Rama, ajo u shpreh se me të e lidhin kujtimet e fëmijërisë dhe shkollës.
“Unë dua të bëhem pjesë e ekipit të tij në Parlament për të kontribuar në Rilindjen e Bregut, një proces që ka nisur më herët. Një miku ynë i përbashkët, gazetar i njohur, thotë se Bregu është i bekuar. Turizmi në Breg është i garantuar prej sivëllezërve tanë lebër, që janë marrë e merren me blegtori. Unë kam një plan të zhvillimit të integruar të Labërisë me Bregun. Si dikur”, theksoi Dhimojani.
Gjatë bisedës në studio ajo u ndal edhë në nismat e saj humanitare.
Vetëm para pak ditësh znj. Dhimojani Blattler dhuroi shtretër dhe pajisje të tjera spitalore, autoambulanca, si dhe zjarrfikëse dhe pajisje informatike për Ministrinë e Shëndetësisë dhe atë të Mbrojtjes. Këto donacione sipas saj do të vijojnë.
E pyetur në lidhje me personazhet e filmave ku ka luajtur, znj. Dhimojani Blattler u shpreh se ndihej krenare, por se tani ka marrë angazhimin që të promovojë kulturën dhe artin shqiptar në Diasporë përmes organizimit dhe financimit të aktiviteteve kulturore.
Dhimojani është anëtare e Këshillit Bashkiak të Himarës dhe Kryetare e Aleancës së Grave Këshilltare. Disa nga nismat e saj lokale në dobi të ruajtjes së ekosistemit dhe trashëgimisë të qytetit jugor kanë marrë jehonë.
Këtë angazhim për vendin e saj znj. Dhimojani synon ta vazhdojë nga Parlamenti i Shqipërisë.
Kujtojmë se Dhimojani njihet për publikun shqiptar me rolin e “Mimoua Llasticës” në një prej filmave të ish Kinostudios “Shqipëria e Re”.