Policia e Durrësit njoftoi procedimin penal për protestë të paligjshme dhe përhapje paniku, për katër të rinj që protestuan në qendër të qytetit me një arkivol të sajuar, mbi të cilin shkruhej “Shpresa” dhe “Drejtësia për Klodianin”.
Policia e Durrësit njoftoi mëngjesin e të mërkurës se ka arrestuar në kushtet e flagrancës 2 të rinj dhe ka proceduar penalisht 2 të tjerë pasi protestuan mbrëmjen e djeshme pas cilësimit nga qeveria të vrasjes së 25 vjeçarit Klodian Rasha si “ngjarje aksidentale”.
Me një arkivol në sup 4 të rinjtë simbolikisht nisën të përshkonin rrugën nga sheshi qendror në drejtim të Drejtorisë së Policisë. Pak metra pasi kishin nisur lëvizjen dhjetëra forca të policisë së rendit dhe njësisë “Shqiponja” të pajisur me shkopinj gome ndaluan të rinjtë dhe i shoqëruan në komisariat.
“…arrestuan në flagrancë shtetasit Sh. M., 24 vjeç dhe A. B., 30 vjeç, si dhe proceduan penalisht shtetasit A. V., 20 vjeç dhe F. D., 23 vjeç, banues në Durrës”, njoftoi policia në njoftimin për mediat.
Mbi 4 të rinjtë policia referoi në prokurori materialet bazuar në 2 vepra penale, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “Përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik”.
“Unë i pyeta [oficerët e policisë gjyqësore] nëse kanë denoncime nga qytetarët që janë panikuar, por jo më thanë: “Ishit stepje për ne”. E gjitha ishte që të mbyllnin mbrëmë protestën”, shpjegoi për BIRN avokatja Merita Dakovelli që mbron 4 të rinjtë.
Ajo tha se nuk shikonte se si të rinjtë mund të kishin kryer përhapje paniku. Policia e Durrësit nuk ju përgjigj një kërkese për koment deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi mbi arsyen e referimit ndaj nenit 267 të Kodit Penal, që ka si objekt “Përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik”.
Policia e Shtetit edhe më parë përmes referimit të këtij neni kërkoi ndjekjen penale të një duzinë qytetarësh, shumica e tyre gazetarë dhe drejtues mediash, me akuzën se shpërndanë panik pas tërmetit dhe gjatë pandemisë së COVID-19, duke alarmuar aktivistët e të drejtave të njeriut në Shqipëri.
Avokatja e katër të ndaluarve çmoi si të tepërta veprimet e Policisë së Shtetit. “Dy prej të proceduarve në momentin që mbaruan deklarimet duhej të dilnin me mua, por i kishin dhënë urdhër që duhej të dilnin në orën 5 të mëngjesit”, shpjegoi Dakovelli. “Ata shfrytëzojnë afatin 10 orë, por ata e kishin dhënë deklaratën, nuk kishte kuptim përse të rrinin”, përfundoi ajo.
Babai i një prej të arrestuarve u shpreh se e gjitha erdhi vetëm sepse ata shprehën vullnetin për të protestuar të lirë dhe regjimi e ndaloi lirinë.
“Ata ishin brenda masave të pandemisë, 4 veta kanë qenë, larg turmës dhe me distancë e maskë.
Ndërsa policët ishin mbi 13 veta të grumbulluar dhe kishte policë pa maska, ata ishin në shkelje të protokollit shëndetësor”, shpjegoi Baki Myrtollari. “Djali im është i lirë ta shprehë në protestë padrejtësinë sepse padrejtësia ka vrarë drejtësinë”, përfundoi ai.