Kalaja e Lezhës ende nuk po e merr veten nga dëmtimet që i janë bërë ndër vite. Në 2014 u vodhën pjesa më e madhe e linjës elektrike, ndriçuesit e rrugës, si dhe prozhektorët që ndriçonin muret e kalasë. Nga kjo mësmje e hajdutëve nuk u shqetësua askush, ndërsa mesjeta e kalasë u zhyt sërish në errësirë. Si duket kjo është bërë normë në vendin tonë, ku sulmohen monumentet, natë apo ditë, dhe askush nuk merr përgjegjësitë, askush nuk denoncohet, dhe askush nuk quhet “hajdut” apo shkatërrues të monumenteve, duke u kaluar si raste banale. Ministria e kulturës shqetësohet vetëm për profilin e saj në rrjetet sociale
Kalaja e Lezhës ende nuk po e merr veten nga dëmtimet që i janë bërë ndër vite. Në 2014 u vodhën pjesa më e madhe e linjës elektrike, ndriçuesit e rrugës, si dhe prozhektorët që ndriçonin muret e kalasë. Nga kjo mësmje e hajdutëve nuk u shqetësua askush, ndërsa mesjeta e kalasë u zhyt sërish në errësirë. Si duket kjo është bërë normë në vendin tonë, ku sulmohen monumentet, natë apo ditë, dhe askush nuk merr përgjegjësitë, askush nuk denoncohet, dhe askush nuk quhet “hajdut” apo shkatërrues të monumenteve, duke u kaluar si raste banale. Ministria e kulturës shqetësohet vetëm për profilin e saj në rrjetet sociale duke ekspozuar vetëm ndonjë shirit, por që nuk kanë lidhje me punën thelbësore mbi çështje të mbrotjes së monumenteve.
“Sa herë që mungonte energjia elektrike dikush ishte përreth kalasë duke gërmuar për të nxjerrë kabllot elektrike, duke marrë ndonjë shtyllë ndriçimi apo vetë ndriçuesit”, ka thënë përgjegjësi për kalanë, Ded Margjoni për Portën Vendore.
Ndërsa Margjoni ka përforcuar faktin se “vjedhjet kryheshin gjatë natës pasi hajdutët e dinin mirë se kalaja nuk kishte roje dhe ishte shumë e thjeshtë për ta që të vepronin. Ne bënim denoncime në polici, por kurrë nuk pati të arrestuar dhe vjedhjet vazhduan deri në 2014, kur përfundimisht në kala thuajse nuk mbeti asgjë”.
Në këtë errësirë totale, ku debati degjenerohet në fatura të papaguara, Bardh Dedegjonaj ishte Drejtor i Turizmit dhe Kulturës në Bashkinë e Lezhës gjatë kohës që u kryen vjedhjet dhe sigurisht pranon përgjegjësinë morale për atë që ndodhi, por shpjegon për “Porta Vendore”, se: “sistemi i ndriçimit ishte vendosur si një aset që administrohej asokohe nga Drejtoria e Kulturës Kombëtare në Shkodër, dhe ashtu siç merrte të ardhurat, kishte detyrimin edhe të mbulonte shpenzimet. Kjo gjë u anashkalua prej tyre, ndaj edhe ndodhi më pas ajo që nuk duhej kurrsesi të kishte ndodhur”.
Pas 6 vitesh, Bashkia e Lezhës, planifikoi sërish të rikthejë energjinë për kalanë e qytetit. Planifikimi për të vënë në ndriçim këtë vlerë të rëndësishme historike solli realizimin vetëm për gjysmën e projektit, ndriçimin e rrugës që vijon drejt lagjes së vjetër Sheher. Pasi u rivendosën ndriçuesit e dëmtuar dhe u zëvëndësuan kabllot elektrikë të djegur përgjatë rrugës së kalasë dhe deri në lagjen Sheher, situata ndryshoi. Premtimet për ndryshimin e situatës, tani duken më shumë si propagandë elektorale, pasi në gjithë këto vite, kjo kala edhe pse në kushte pandemie, ka mbetur në mëshirë të fatit. Në shkrimin problematik të “Porta vendore”, nënkryetarja e bashkisë, Oliana Moriseni, ka treguar se është hartuar një projekt për ndriçimin, ku do përfshihej dhe rruga e kalasë, e cila shkon më tej duke spjeguar se i janë drejtuar edhe Ministrisë së Kulturës. “Bashkia e Lezhës hartoi një projekt me vlerë 31 milionë lekë dhe për të vendosur ndriçimin LED në të gjithë territorin e bashkisë e ku patjetër përfshihej edhe rruga e kalasë. Pjesë ishte dhe ndriçimi i brendshëm i kalasë dhe i jemi drejtuar me shkresë Ministrisë së Kulturës në korrik që na thanë se kjo kala dhe 14 të tjera në vend do jenë pjesë e projektit të tyre për t’u ndriçuar, ndaj ne nuk ndërhymë dot. Këto ndërhyrje kanë si objektiv turizmin dhe ku kalaja e Lezhës ka rol të rëndësishëm për të tërhequr vizitorë apo për tu dhënë një mundësi ndryshe pushuesve gjatë sezonit turistik veror”, tha zonjë Moriseni.
“Kalaja e Lezhës është përfshirë në programin e rindërtimit. Është një nga projektet që do hartohet dhe financohet nga Delegacioni Europian, sepse është në zonën e termetit. Sa i përket ndriçimit, dua të them se janë 15 kala që janë përfshirë në një projekt që po bën Ministria e Kulturës për ndriçimin e tyre, dhe aty bën pjesë edhe kalaja e Lezhës. Ndriçimi do të përfundojë deri në fund të vitit, periudhë kur do të përfundojë edhe projekti i rindërtimit të kalasë për të vijuar më pas punën”, tha për Portën Vendore, Arta Dollani, Drejtoresha e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore.
Nga ana tjetër, ura që të çon drejt hyrjes së kalasë, është e kalbur, duke u kthyer në rrezik për banorët. Përgjegjësi i Kalasë së Lezhës në Drejtorinë Rajonale të Kulturës Kombëtare në Shkodër, Ded Margjoni, mendon se ura e ka kryer funksionin e saj dhe kaq mund të mbajnë këto element druri të vendosur që në tetor të 2012-tës. Ai ka bërë të ditur se në dijeninë e tij është miratuar si projekt kjo urë, dhe pritet alokimi i fondeve.
“Kjo gjë ende nuk ka ndodhur dhe nuk ka ende diçka zyrtare nëse do të ketë riparime dhe kur do të ndodhin. Kështu vazhdon prej 1 viti dhe pritja vetëm sa dëmton edhe më shumë imazhin e kësaj kalaje mesjetare tek ata vizitorë që vazhdojnë ta frekuentojnë”, shkruan Porta Vendore.
Përgjegjësi i Trashëgimisë Kulturore në Bashkinë e Lezhës, Paulin Zefi, tregon mbi të tjera problematika që lidhen funksionimin e kalasë, siç është mungesa e organikës aktuale.
Nga verifikimi i bërë në kalanë e Lezhës, e cila varet nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Shkodër, referuar asaj që bën të ditur Paulin Zefi, rezulton se aty shërbejnë vetëm dy punonjës që hapin e mbyllin biletarinë. Ndonjëherë ata bëjnë edhe ciceronin kur ka grupe të mëdha apo edhe inspektime në objekte të tjera që janë pjesë e trashëgimisë kulturore duke u detyruar që ta lënë vetëm kalanë.Si në çdo qendër monumentale, edhe në Kala të Lezhës, mungesa e vëmendjes së shtetit, ka shkatërruar monumentet, sidomos duke i lënë në vetmi, e jashtë funksionit derisa të gjejnë “bosat” për t’i kthyer në qendra tregtare, pa interes për monumentin, se sa vjeljen e parave.