EDITORIAL
Historia e Edi Ramës, sa i takon marëdhënieve të tij me Kosovën, ka nxjerrë në pah edhe një herë para shqiptarëve fytyrënë e vërtetë të kryeministrit. E nisi me deklaratën bomb në Beograd ku kërkoi n 2014-ën njohjen e Kosovës nga Vuçiç, por sic edhe koha tregoi, e gjitha paska qenë thjeshtë një lojë politike për të fituar pikë në terrenin kosovar.
Dihet historikisht se PS nuk është parë asnjëherë sy të mirë në Kosovë. E vetmja figurë e pranuar prej tyre është Pandeli Majko, i cili mbahet mend për rolin e tij në kohën e luftës së Kosovës në vitin 1999.
Nga ana tjetër Berisha dhe PD kanë qenë të adhuruar prej kohësh në Kosovë. Dhe duke e ditur mirë këtë fakt, Rama mendoi të luajë kartën e nacionalistit duke folur në Beograd 6 vite më parë për Kosovën e pavarur. Por nga ajo kohë e deri sot, PS dhe Rama kanë treguar sërish fytyrenë e tyre në raport me Kosovën.
Ishte Rama ai që mbajti krahun e Thaçit dhe Vuçiç për një marrëveshje mes tyre për shkëmbim territoresh mes Kosovës e Serbisë. Një ide kriminale që do sillte vetëm shkatërrim në Ballkan. Është po Rama ai që pret e përcjell me homazhe nga më seriozet përfaqësuesit serb, me në krye Vuçiçin.
Ndërsa sot kur Presidentja në detyrë e Kosovës ishte e pranishme në Parlamentin shqiptar për të mbajtur fjalim, Rama e bojkotoi atë. Qartazi Rama ka bojkotuar idetë e Vjosës, e cila ka shprehur prej kohësh kundërshtitë e saj për minishengenin ballkanik si edhe planin për ndarjen e Kosovës.
Nuk kishte ndodhur kurrë deri më sot që një kryetar shteti, aq më tepër ai i Kosovës, të mbante fjalim në parlamentin shqiptar pa praninë e kryeministrit. E turpshme, skandaloze sa më s’ka.
Në fakt ky është Edi Rama i vërtetë, ai që ka në plan të parë bashkëpunimin me serbët dhe kthimin e krahëve ndaj integritetit territorial dhe sovranitetit të Kosovës.