Deputeti Kujtim Gjuzi, duke folur në parlament, iu drejtua kreut të Grupit Parlamentar të PS-së Taulant Balla, duke u shprehur se duhet të ketë kujdes, pasi “mund t’i nxjerrë ndonjë emër në Shkodër”.
Gjuzi në fjalën e tij ndau edhe mendim për vrasjen e të riut Klodian Rasha nga policia, duke thënë se skuadra policore atë natë ishte e droguar.
“Dua për procedurë fjalën. Në shtator duhet të vinte në interpelancë Sandër Lleshaj. Nuk erdhi, tha nuk jap interpelancë unë. Vendosi të thyejë rregulloren e Kuvendit, betimin në Kushtetutë, ku çdo ministër nëse thirret nga deputeti…Është pikërisht ky ministër që s’vjen, shikoni ça u bën të rinjve! Është ky ministër që gjëmon të rinjtë në rrugicat e Tiranës.
Mos u fut Taulant në konflikt me mua se të nxjerr ndonjë emër në Shkodër, por më vjen keq për dikë atje. Keni një juntë ushtarakësh që po e drejtoni sipas interesave tuaja. Sa i përket familjes Rasha, ata u treguan dibranë të vërtetë. Ka qenë e droguar atë natë gjithë skuadra policore. Ju jeni gjithë vrasës, na keni vrarë 77 vite e nuk do keni shanse të na vrisni më.”, tha Gjuzi.