Shqipëria renditet e pesta në listën e shteteve të Europës për rritjen e lartë të çmimeve me 2.2 për qind, ndërkohë që mesatarja e Bashkimit Europian fiksohet në 0.2 për qind. Sipas raportit më të fundit të INSTAT, ndikimin kryesor në këtë rritje e kanë dhënë rritja e çmimeve në grupin e ushqimeve dhe transportit.
Pavarësisht krizës ekonomike nga pandemia, Shqipëria vazhdon të shënojë rekorde të larta përsa i përket rritjes së çmimeve.
INSTAT raporton se krahasuar me vendet e Europës vendi jonë renditet i pesti me rritjen më të madhe të çmimeve prej 2.2 për qind.
Vihet re se në shumë shtete inflacioni është afër zeros, ose dhe negativ.
Ndërsa në Shqipëri ai vijon të jetë pozitiv, me një ndikim kryesor nga çmimet e ushqimeve, të cilat zënë edhe peshën më të madhe të shpenzimeve të familjeve shqiptare.
Mesatarja europiane ndërkohë fiksohet në 0.2 për qind sipas metodologjisë së Eurostat.
Nga ana tjetër, shtetet fqinje, Itali dhe Greqi renditen poshtë këtij niveli.
Raporti për Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit tregon se rritja më e madhe e çmimeve prej 4.7 për qind vërehet në grupin ushqime dhe pije joalkoolike, pasuar nga grupi i transporteve me 3.1 për qind.
Ndërkohë që me ulje të çmimeve gjatë muajit nëntor raportohen fasoneritë me 0.7 për qind dhe shëndetësia me 0.2 për qind