Qytetarët e Durrësit nuk i kanë respektuar as sot masat Anti-COVID. Në kundërshtim me aktin normativ, por në përputhje me thirrjen e qeverisë për të aplikuar në mënyrë që të përfitojnë nga dëmshpërblimi për dëmet e tërmetit të vitit të shkuar, ata edhe sot kanë shkuar tek Prefektura e Durrësit.Mungesa e shërbimit, radhët në sportele dhe afati prej 24 orë i lënë në dispozicion për të aplikuar kanë sjellë grumbullim masiv para institucionit.
Bashkia e Durrësit edhe sot, njësoj si dje, nuk arriti dot që ta shmangte fluksin dhe kaosin e banorët që presin të kryejnë aplikimin për të marrë grantin e dëmshpërblimit. Janë qindra banorë që presin të aplikojnë, ndërsa mediat lokale në Durrës, raportojnë se 2 qytetarëve iu ka rënë të fikët si pasojë e pritjes në radhë.
Në total janë 2 mijë qytetarë që presin të aplikojnë por vetëm 300 prej tyre kanë mundur të mbarojnë punë. 1700 të tjerë janë në pritje, ndërsa ende nuk ka një reagim zyrtar nga autoritetet për një shtyrje të afatit të aplikimit që do të “shfrynte” edhe radhët e gjata në situatë pandemie.