Presidenti i Republikës, Ilir Meta, me anë të një ceremonie solemne, çmoi artistin e shquar të muzikës shqiptare, Milto Vako, (pas vdekjes) me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”.
Dekorimi i muzikantit, dirigjentit dhe pedagogut të paharruar, u bë me motivacionin: “Në vlerësim të punës së përkushtuar si pedagog dhe kontributeve të çmuara në drejtimin me profesionalizëm për vite me radhe të Katedrës së Dirigjimit në Fakultetin e Muzikës. Me mirënjohje ndaj personalitetit të shquar, i cili me pasion e këmbëngulje përmbushi me sukses realizimin e shumë veprimtarive muzikore nën drejtimin e Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve, duke u vlerësuar jo vetëm nga artdashësit, por edhe duke merituar çmime të larta kombëtare dhe ndërkombëtare”.
Në fjalën përshëndetëse, drejtuar familjarëve dhe personaliteteve të artit e kulturës, Kreu i Shtetit shqiptar u shpreh:
“Profesor Milto Vako është një nga emrat e nderuar në artin shqiptar. Aktiviteti artistik i tij zgjati gjatë gjithë jetës së tij, deri në momentin e ndarjes nga jeta, vetëm rreth 1 muaj më parë.
Aktiviteti artistik i dirigjentit të njohur nisi dekada më parë, kur i sapo kthyer nga Moska emërohet pranë Ansamblit Kombëtar, si udhëheqës artistik dhe më pas si dirigjent i korit të Teatrit të Operas dhe Baletit.
Në vitin 62’, profesor Vako bashkë me figura të tjera të njohura si Çesk Zadeja, Albert Paparisto, Hamide Stringa, Mustafa Krantja, etj, i dhanë jetë dhe themeluan Konservatorin Shtetëror të Tiranës.
Si drejtues i korit të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, profesor Vako arriti suksese, të cilat kanë mbetur në memorien e publikut edhe sot, ku do të veçoja fitimin e ‘Gjerdanit të Artë’ në Francë.
Ndërkohë, si mjeshtër kori i Teatrit të Operas e Baletit përgatiti me profesionalizëm korin e TOB-it në vepra si ‘Mrika’, ‘Heroina’, ‘Skënderbeu’, etj.
Njëkohësisht, profesor Vako është autor i shumë përpunimeve e krijimeve origjinale korale, shumica e të cilave mbeten përfaqësuese të shquara në fondin e literaturës klasike korale shqiptare.
Por, jeta nuk ka qenë aspak e lehtë për profesor Vakon. Në 1973 ai dënohet, largohet nga Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore dhe internohet në Tepelenë sepse për regjimin e kohës, kishte përgatitur një shfaqje me pikëpamje shumë moderne dhe liberale.
Por regjimi nuk u mjaftua vetëm me internimin e tij, por pas 2 vitesh internim në kushte jashtëzakonisht të vështira, arrestohet dhe dënohet me 7 vite burg për agjitacion e propagandë.
Pas përfundimit të dënimit, profesori i Ferdinand Dedës, Gjon Simonit, Zana Shuteriqit e dhjetëra e dhjetëra studentëve të tjerë, punon si hidraulik në ndërmarrjen e mirëmbajtjes së Shkollave të Tiranës.
Ai kurrë nuk shau njeri për padrejtësinë e madhe që ju bë, por vazhdoi punën e tij deri në vitin 1991, kur u rikthye si pedagog dhe shef i katedrës së kantos dhe dirigjimit në Akademinë e Arteve.
Profesor Vako vazhdoi të punojë edhe pas daljes në pension me dashuri e përkushtim, duke themeluar dhe drejtuar Koret e vajzave në Akademinë e Arteve si dhe korin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.
Studentët i jepnin forcë dhe dëshirë për të jetuar jetën dhe njëkohësisht e bënin krenar për aktivitetin e tyre kudo nëpër botë.
Arti, të cilit i kushtoi gjithë jetën, ishte pasioni i tij madh.
Për gjithë kontributin e shquar si pedagog dhe personalitet i shquar i fushës së muzikës, kam kënaqësinë dhe nderin të vlerësoj, Profesor Milto Vako me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”.