Nuk po përmend emra, sepse i kanë dalë vetë zot lëpirjes sistematike të kockave që ju hedh Edi Rama.
Disa kur duhet dhe ai është në siklet të madh, përveç kockave të përditshme i ushqen edhe me mish të bollshëm. Dhe ky është rasti i Vjosa Osmanit gjatë dhe pas vizitës së saj në Tiranë, si presidente në detyrë dhe kryetare e Kuvendit të Kosovës.
Kanë 3 ditë e net që nuk pushojnë në gazeta, portale e studio televizive së kafshuari mishin e freskët të Vjosa Osmanit. Jua ka hedhur Edi Rama te këmbët dhe nuk ngopen së shqyeri.
Kurse në Kosovë Deliri që bën modestin, i rrasi në dorë një bidon me benzinë që Vjosa ja paska hedhur në Tiranë, zjarrit që po “djeg” kombin shqiptarë. I njëjti, që promovonte kombin kosovarë!
Kurse Edi Rama, ai që në 7 vite i ka hedhur Serbisë së “mikut tim Aleksandër” velin e rremë të `marrëdhënieve të shkëlqyera` serbo- shqiptare nuk flet, sepse nuk ka çfarë të thotë.
Sepse e ka mizën nën kësulë!
Ishte mësuar që sa herë vinin krerët e lartë të shtetit të Kosovës të bënte “babanë”, të lëshonte ndonjë batutë dhe të priste duartrokitjen e tyre. Por fjalimi brilant i Vjosa Osmanit në parlament të cilin e kishte lexuar paraprakisht, i kishte të gjitha “pikat mbi i”.
Ndaj dhe u soll me paburrëri!
Reagoi për ato të vërteta e ato kërkesa të qarta si drita e diellit këtu e në Kosovë që artikuloi Vjosa, vetëm duke kafshuar më dhëmbët e të tjerëve. Lëshon jargë e kërcet dhëmbët nëpërmjet qenve të tij, që populli i quan `analistë të mëdhenj”.
Të mëdhenj ndoshta “në penë” e në delir, por të vegjël në karakter e shpirt. E kanë vlerën, sa një kockë apo llokmë mish, si ato të Pavlovit për qentë e tij eksperimentalë.
Po bëjnë copë-copë Vjosën “e shkretë”, pa u marrë fare me fjalët dhe mesazhet e saj. Por populli kupton shqip më mirë se qentë e Edi Ramës që njohin vetëm gjuhën e ziles kur ju vjen radha për të përfituar kocka, a ndonjë copë mish të freskët si në këtë rast.
Kam shkruar edhe më parë, për shtrirjen dhe çuarjen në një shkallë sipërore të eksperimentit të Pavlovit nga Edi Rama në Tiranë. Qentë që bëhen kone kur janë të zënë me lëpirjen e kockës ngritën kokën, u shndërruan në ujq dhe skërmitën dhëmbët.
Që ta rikujtojmë:
Studiuesi rus, Ivan Pavlov, në vitin 1903 shpalli zbulimin e tij epokal, për të cilin edhe u laurua me Çmimin Nobel, për mjekësi.
Duke punuar me qentë, ai vërejti se ata fillonin të lëngëzoheshin e të sekretonin pështymë përpara se t’u afronte ushqim, i cili në rastet më të shumta ishte një kockë. Nga kjo dukuri, ai nisi eksperimentin e tij të famshëm.
Pak çaste para se t’ia jepte qenit ushqimin, ai i binte një zileje. Në fillim kafsha nuk shfaqte ndonjë reagim të veçantë, por me kalimin e kohës pas disa provash, fillonte të sekretonte sapo dëgjonte tringëllimën. Qeni kuptonte kështu, se një kockë ishte “në horizont” për të; bëhej gati, lehte, lëngëzohej dhe lëshohej drejt të zotit me vrap.
Shumë kohë më vonë, pasuesit e Pavlovit konstatuan se sjellje të tilla mund të “kushtëzohen“ te të gjitha qeniet e gjalla; edhe te njeriu!
Pikërisht, këtë ka bërë me sukses, Edi Rama, gjatë pushtetit të tij. Qentë në Rilindje e në qeveri, tashmë nuk kanë nevojë fare për tundje të ziles. Ka nuk ka ushqim, lëpihen e jargaviten te këmbët e tij. Me shkak e pa shkak, me orar e pa orar; mjafton që Edi Rama të vazhdojë ti mbajë në kafazin e tij dhe me kockën në ajër.
Kjo dihet tashmë, por po flasim për një shkallë më sipërore të eksperimentit të Pavlovit të zhvendosur në Tiranë.
Një grup analistësh gazetarësh e pronarë mediash njëkohësisht, pas një stërvitje të gjatë, sot janë transformuar me “profesion të kushtëzuar”. E luajnë “profesionin” sipas ziles, kockave dhe llokmave që ju ofron Edi Rama.
Këtë herë e kishte radhën një politikane femër, e shkolluar në perëndim, me karakter dhe që thotë gjithmonë atë që mendon. Mbi të gjitha e votuar “frikshëm” dhe sot presidente në detyrë dhe kryetare e Kuvendit të Kosovës.
Pesë gjëra të vërteta tha pak a shumë, Vjosa “e shkretë”:
Kosova rrezikoi të copëtohej, edhe me ndihmën e ca shqiptarëve: Nuk kemi nevojë për trarë-doganë e taksa mes dy shteteve shqiptare: Min-Shengeni Ballkanik kur jemi nisur drejt BE-së është në favor të fuqizimit të Serbisë: Qeveria Shqiptare duhet të jetë hapur në krah të Kosovës, e jo të bëjë lojë të dyfishtë me armiqtë të e saj; Kërkoi një rezolutë të parlamentit tonë që njeh dhe dënon krimet dhe gjenocidin serb, mbi motrat dhe vëllezërit në Kosovë!
Kaq tha dhe Edi Rama, u fsheh si skuth në zyrën e tij.
E priti presidenten dhe kryetaren e Kuvendit të Kosovës duke shkelur çdo protokoll të Republikës së Shqipërisë. Protokoll që nuk është bërë për të birin e Kristaqit, por për zyrën dhe postin që ka.
Dhe në vend që të jepte versionin e tij për problematikat që ngriti Vjosa Osmani (se reflektimin harrojeni), nuk i ra ziles si Pavlovi dikur, por tundi kambanën. Aq të madh e kishte sikletin dhe hallin.
Qentë e kuptuan se këtë herë nuk bëhej fjalë për kockën e përditshme, por për “mish të freskët”!