Duke folur për deklaratat deniguese të kryeministrit Edi Rama një ditë më parë ndaj kandidatëve të opozitës për deputetë, e sidomos fyerjet publike ndaj Grida Dumës, analisti Fatos Lubonja e konsideron një skandal, duke shtuar se kryeministri shkeli të gjitha normat.
“Pjetër Arbnori thoshte në atë kohë që opozita duhet respektuar, sepse është një pasqyrë. Ne në tërësi e kemi injoruar opozitën. Rasti ekstrem është Edi Rama. Rama hedh baltë. Rama përjashton edhe ata që brenda partisë dalin kundër.
Njerëzit që merren me tallje shtohen, sepse thonë kur e bën kryeministri, pse mos ta bëj edhe unë. Ky është degradim i raportit që kemi ne, në vend të dialogut, kemi përplasje. Kur ka tallje, s’ka demokraci. Duket se ka shenja të këqija shumë. Kjo është ta spotosh fushatën nga vendet e punës dhe premtimet, tek banalja. Kur ke katastrofë gjithçka, iu thua shqiptarëve “më votoni mua, sepse kam batutat më të forta”, tha Lubonja në News 24.
Duke folur për përplasjen e Ramës me kryetarin e Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, Lubonja theksoi se kryeministri heq dhe vë kë të dojë, duke shtuar se del në pah se PS ka mungesë të strukturave.
“Rama, Gjiknuri dhe kryetari i bashkisë Vlorë nuk merret vesh se çfarë sherri kanë. Më kanë akuzuar pse them “banda” e jo parti. Edhe Partia e Punës, bënte Plenium dhe Pleniumi të përjashtonte nga organizata. Shkoje në organizatë dhe gjoja të njihte. Lideri thoshte e përjashtoi partia, pleniumi. Është banalizuar sot. Mirë që Rama s’ka instrumentet e asaj kohe. Kjo nuk është parti, por është organizatë kriminale, ku kapo heq dhe vë kë të dojë. Çfarë sherri kanë, pse mos ta dimë. Nuk ka transparentë. PS ka mungesë strukturash. Kryetari i Bashkisë ka votën e popullit. Këta i vë lideri dhe i trajton si anëtarë të bandës. Këtu lideri të vë dhe lideri të heq. Dhe del edhe ndonjë kokë “vlonjati” si i thonë edhe është përplasja”, u shpreh Lubonja.