“Do i pritet dora kujtdo që prek votën”/ Sot morën përgjigje të gjithë dyshuesit se si Meta do mbrojë 25 prillin!

0
144

 

Nga Gëzim SALIU 

Me një veprim banditesk, tipik i regjimeve autoritare, shumica qeverisëse vërsuli sot paradite në qendër të Tiranës çakenjtë e saj mbi një parti opozitare, duke tentuar t’i nxjerrë nga zyrat me forcë.

E gjitha nisi kur Fryma e re Demokratike, parti e cila u ngjiz nga ish-Presidenti  Bamir Topi dhe tanimë e kryesuar nga Sali Shehu, vendosi të bashkohej me koalicionin e opozitës së bashkuar. Vetë Topi fill pas këtij koalicioni u tërhoq si kryetar i FRD dhe pas tij ikën edhe ato që njihen si njerëzit e tij, pa ndonjë kontribut real në parti por thjesht të punësuar në bashkinë e Tiranës nga Erion Veliaj.
Ndërsa godina e FRD i është dhënë kësaj partie që nga 2016, bashkia e Tiranës vetëm këto ditë, kur kjo parti u bashkua me opozitën, u kujtua ti nxjerrë nga zyrat, me preteksin se nuk kanë të drejtë ti përdorin ambientet. Por më e rënda e gjithë çështjes, qëndron në mënyrën se si u tentua të zbatohej ky plan hakmarrës ndaj kësaj partie, vetëm e vetëm se pse nuk qëndroi në rreshtin e pushtetit por u reshtua në krah të Opozitës së Bashkuar.
Shkresa e bashkisë pa vulë e firmë që mbërriti te FRD
Përmes një shkrese pa vulë e pa firmë, të mbërritur ditën e djeshne ne zyrat e kësaj partia, Bashkia kërkonte lirimin e hapësirave. Dhe mbështetur mbi këtë letër bakalli, policët bashkiakë mësyen sot në zyrat e FRD duke tentuar ti nxjerrin jashtë përfaqësuesit e kësaj partie, madje duke tentuar edhe përplasjen fizike.
Ishte pikërisht ky akt banditesk e pa asnjë mbështetje në funksionimin normal të procedurave të shtetit ligjor që ngriti në alarm Presidentin e Republikës, i cili u nis direkt në zyrat e FRD sapo u thirr nga kryetari i saj Sali Shehu.
Se çfarë ndodhi më pas të gjithë e dimë. Presidenti me tone të ashpra ju drejtua policëve bashkiakë që të dilnin përjashtë nga godina duke ju kujtuar se nuk ishin “policët e Mubarakut”. Vetëm në saj të prezencës së Metës te zyra e FRD u shmang konfrontimi mes policisë dhe anëtarëve të FRD, ku ndaj këtyre të fundit ishte dhënë urdhri nga bashkia e Veliajt që të nxirreshin me forcë nga ambientet nëse rezistonin.
Prezenca e Metës sot, aty ku u shkel ditën për diell ligji, më shumë se me mbrojtjen e një parti të vogël të opozitës, e cila nuk është se do vendosë garën e 25 prillit, ka të bëjë me premtimin e Metës që kur mori detyrën e kreut të shtetit. “Gjatë detyrës time do zbatoj vetëm Kushtetutën e ligjin dhe nuk do lejoj në asnjë rast shkeljen mbi to”.
Në këto 4 vite Meta e ka treguar me akte dhe veprime se mbi Kushtetutën nuk vë asgjë. Betejat e tij të fituara përballë mazhorancës mbi këtë çështje kanë marrë edhe mbështetje të gjerë ndërkombëtare.
Ndaj dhe sot, kur ligji u shkel me të dyja këmbët pasi përmes një letre pa firmë e vulë, u tentua të zaptohej zyra e një partie politike, Meta u gjend aty në mbështetje të premtimit mbi kushtetutë.  Këtë veprim Meta do e ndërmerrte me siguri edhe nëse kjo do ndodhte mbi çdo parti politike që do ti shkelej me këmbë një e drejtë e përfituar sipas ligjit.
Njëkohësisht e gjithë veprimtaria e Presidentit sot te zyrat e FRD është një tregues i asaj që vetë Ilir Meta ka premtuar prej javësh e madje muajsh. “Kush do tentojë të prekë votën e qytetarëve në 25 prill do ketë pasoja të rënda”- ka pohuar Meta duke e shoqëruar premtimin e tij me devizën ” kush do vjedhë votën do i pritet dora, madje pa anestezi”.
Kush kishte dyshime se si Meta do e parandalojë vjedhjen e votës në 25 prill, sot mori shembullin më të qartë. Presidenti  dhe  përfaqësuesit e tij do jenë prezent vetë në çdo qendër votimi në 25 prill, duke garantuar një proces të rregullt zgjedhor. Në kushtet e një regjimi autoritar dhe mungesën e drejtësisë dhe policisë së pavarur është Presidenti ai që ka marrë mbi shpatulla detyrën e garantimit të një procesi zgjedhor me standarde. Ai do e kryejë këtë detyrë siç ka premtuar, pa asnjë dallim partiak,  qoftë edhe duke u përplasur drejtpërdrejt me ato individë apo grupe që do tentojnë të tjetërsojnë vullnetin e shqiptarëve.
Ne 25 prill nuk ka asnjë shans që të ripërsëriten skenarët e dosjeve “184”  dhe “339”, pasi do jetë i pari Presidenti ai që do vendosë veten në mbrojtje të votës së çdo shqiptari, qoftë demokrat, lsist apo socialist, pasi edhe këta të fundit në 25 prill rrezikojnë tjetërsimin e vullnetit të tyre të lirë nga presionet e sektit që qeveris vendin me taktikat e një regjimi autoritar.
Ndaj kush kishte dyshime, sot e mori paralajmërimin. Vota e çdo shqiptari do shkojë në kuti e do numërohet vetëm sipas vullnetit individual të zgjedhësit. Ndryshe Metën e keni sërish aty dhe më besoni, nuk ka shans të jetë aq i ‘butë’ sa sot.
Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here