Oferta më e lartë/ Karathano i “Laboratorëve”, i pari në tenderin 550 mijë USD për testet Covid në QSUT

0
175

Nga Boldnews.al

Kompania “Pegasus”, e cila zotëron pjesën më të madhe të koncensionit të Laboratorëve Mjekësorë, është renditur e para në një tender rreth 550 mijë dollarë me TVSH, të zhvilluar nga Qendra Spitalore Universitare Tiranë (QSUT) për blerjen e testeve sereologjikë për Covid-19, megjithëse paraqiti një ofertë dy herë më të lartë se konkurenti tjetër dhe shumë pranë fondit limit.

Në tenderin e shpallur nga institucioni i drejtuar nga Enkel Joti në Nëntor 2020, me fond limit 45.500.000 lekë të reja pa TVSH, morën pjesë 5 operatorë ekonomikë.

Nga ky total, tre prej tyre u paraqitën pa ofertë ekonomike, duke u skualifikuar.

Në listën e të skualifikuarve për mungesë oferte ishin dy prej kompanive që kanë fituar një numër të lartë tenderash të zhvilluar së fundmi, “Evita” shpk dhe “Farma Net Albania”.

Grupin e të skualifikuarve për shkak të mungesës së ofertës e plotësonte “Fedos” shpk.

Në garë mbetën dy kompani, “B….”, e cila paraqiti ofertën me vlerë 23.1 milionë lekë të reja pa TVSH dhe “Pegasus” shpk, e cila dorëzoi ofertën 45.150.000 lekë pa TVSH ose vetëm 150 mijë lekë më pak se sa fondi limit.

Fillimisht, QSUT e Enkel Jotit renditi të parën kompaninë “B…”, e cila kishte paraqitur një ofertë gati sa gjysmën e vlerës së dorëzuar nga konkurrentin “Pegasus”.

Pas njoftimi të renditjes, “Pegasus” shpk në pronësi të biznesmenit Janis Karathanos, ankimon vendimin pranë autoritetit kontraktor, Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë.

Ankimi i Karathanos duket se ka vënë në lëvizje vartësit e Enkel Jotit, të cilët kanë riparë edhe njëherë procedurat dhe dokumentat, duke vendosur skualifikimin e kompanisë “B…”, të cilën po vetë e kishin renditur të parën.

Të dhënat mbi “lëvizjet” e QSUT-së për renditjen e kompanive gjenden të detajuara në një vendim të Komisionit të Prokurimit Publik, i investuar nga “Pegasus” paralelisht me ankesën që kishte dorëzuar pranë autoritetit kontraktor.

Nw datwn 9 Mars 2021, Komisioni i Prokurimit Publik ka vendosur pushimin e shqyrtimit, pasi ankesa e “Pegasus” ka marrë zgjidhje prej vetë autoritetit kontraktor, QSUT.

Megjithatë, vendimi i KPP-së jep detajet mbi tenderin, si edhe ndryshimet e kryera nga QSUT në shpalljen e fituesit “Pegasus” shpk.

Karathano dhe “Laboratorët”

Kompania “Pegasus” është në pronësi 100 përqind të Janis Karathano, i cili kontrollon kontratën koncensionare për ofrimin e shërbimit të laboratorëve nëpërmjet dy shoqërive të tjera.

Në Dhjetor 2016, qeveria shqiptare, nëpërmjet Ministrisë së Shëndetësisë, shpall tenderin  “Financimi, projektimi, rinovimi, pajisja, riorganizimi dhe funksionimi i Koncesionit/Partneritetit Publik Privat për ofrimin e shërbimit laboratorik të spitaleve universitare, rajonale, dhe atyre bashkiake të Sarandës e Lushnjës”.

Vlera që do të paguante shteti për marrëveshjen e koncensionit u përllogarit në mbi 130 miliardë lekë të vjetra pa TVSH (rreth 120 milionë euro). Në tender morën pjesë 9 konkurentë. Gjatë shqyrtimit të ofertave, 6 prej tyre u skualifikuan.

Në përfundim, Ministria e Shëndetësisë shpalli fitues bashkimin e operatorëve të përbërë nga kompania shqiptare “Labopharma” me 41.7% të pjesëmarrjes, “Exalab France” me 25 % dhe “AB Laboratory Solution B.V”, e regjistruar në Hollandë, me 33%.

Kompania kryesore e fituesit të koncensionit ishte shqiptarja “Labopharma”, në pronësi të biznesmenit Janis Karathanos.

Kompania e dytë është francezja “Exalab France”, e cila zotëron 25% të koncensionarit.

Kompania e tretë, “AB Laboratory Solution” drejtohet nga Kostandino Karathanos, djali i Janis Karathanos dhe është e regjistruar në Amsterdam të Hollandës, me aktivitet “institucion financiar”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here