Janë publikuar pamjet e momentit të përplasjes fizike mes ish-deputetit të PD-së, Luçiano Boçi me biznesmenin Gjergj Luca ditën e djeshme në një lokal në Labinot të Elbasanit.
Në pjesën e videos së publikuar nga “Abc News” janë disa persona që kanë ndërhyrë për të ndarë Boçin dhe Lucën pas konfliktit fizik. Disa orë më pas të dy palët iu drejtuan prokurorisë.
Ish-deputeti demokrat teksa tregoi shenjat e dhunës në fytyrë akuzoi se biznesmeni e kërcënoi me jetë “më tha do të mbush barkun me plumba”.
Ndërkohë që pala tjetër, pra biznesmeni e akuzoi ish-deputetin për vjedhjen e telefonit, ndërsa kur gazetarët e pyetën nëse kishte prova për dhunën që pretendon nga ish-deputeti, i fyeu.
Prokuroria ka nisur hetimet për rastin pas denoncimeve që ka marrë nga të dy palët duke shoqëruar disa nga personat që ishin prezent në momentin e konfliktit fizik mes Boçit dhe Lucës.
Grupi hetimor nuk e ka sekuestruar videon pasi pronarët e lokalit ku ndodhi ngjarja kanë deklaruar se e kishin dërguar dekoderin në servis për riparim.