Presidenti Ilir Meta ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Gjeneral Brigade, Ndriçim Sallaku.
Gjenerali humbi betejën me koornavirusin.
Në një shënim në rrjetet sociale, Meta ka vlerësuar angazhimin dhe përkushimin e gjeneral Sallakut te Forcat e Armatosura, ku së fundmi mbante postin e rëndësishmë të Komandantit të Komandës Mbështetëse.
Postimi i plotë:
Shumë dhimbje e trishtim për ndarjen e parakohshme nga jeta të Gjeneral Brigade, Ndriçim Sallaku, profesionistit të përkushtuar të Forcave tona të Armatosura, i cili humbi betejën me COVID-19.
Për mbi tre dekada angazhim për modernizimin e ushtrisë shqiptare, ai shërbeu si rrallëkush nën uniformë duke spikatur për aftësitë e Tij drejtuese dhe organizative, së fundmi edhe në detyrën e rëndësishme të Komandantit të Komandës Mbështetëse, ku dëshmoi gjithashtu vlera të larta humanizmi në përballimin e situatave të vështira të përmbytjeve, në ndihmë të qytetarëve në nevojë.
Duke shprehur ngushëllimet më të ndjera për këtë humbje të madhe, jam pranë familjarëve, miqve dhe kolegëve të Tij në këto momente tepër të rënda për ta.
Në memorien e Forcave tona të Armatosura, vepra e Gjeneral Brigade, Ndriçim Sallaku do të kujtohet gjithmonë me respekt e mirënjohje!