Besimtarë të shumtë bektashinj kanë vizituar sot Kryegjyshatën Botërore të Bektashinjve, me rastin e festës së Sulltan Novruzit, e njohur ndryshe edhe si “Dita e re” dhe që festohet çdo vit, më 22 mars.
Kjo ditë e rëndësishme për bektashinjtë por jo vetëm, lidhet me ditëlindjen e Imam Aliut, në të cilën sipas bektashinjve çdo gjë rigjallërohet, lind shpresa e ringjallja për njerëzimin.
Kjo ditë cilësohet si dita e fisnikërisë bektashiane dhe dita e ringjalljes së madhe.
Në Shqipëri Dita e Sulltan Novruzit, festa më e rëndësishme e Bektashizmit, u dekretua si festë kombëtare në vitin 1996.
Në ditët e festës, bektashinjtë mbjellin lule në shtëpitë e tyre ose vendosin në hyrje të portave degë ulliri.