Kryeministri Edi Rama nuk e ka mirëpritur një bisedë online të Kryetarit të PD me Komisioneren për Arsimin në Bruksel, Gabriel. Sipas shefit të qeverisë kjo është ndërhyrje e papranueshme në fushatë, dhe abuzim me taksat e popujve europianë.
Reagon Basha: Nervozizëm pa kuptim i Ramës, PD ka lindur me Europën dhe do ta integrojë vendin në BE. Zëdhënësja e Komisionit, Pizonero ka hedhur poshtë pretendimet e Ramës, që komisionerja të ketë ndërhyrë në fushatë, duke thënë se ajo ka marrë pjesë në një aktivitet rajonal për arsimin, organizuar nga Universiteti Modul i Vjenës
Edi Rama ka reaguar me tone të ashpra ndaj Komisionit Europian dje, pasi shefja për Arsimin në Bruksel ka zhvilluar një bisedë, në një video-konferencë me kreun e Opozitës, Lulzim Basha. Rama i ka kërkuar Brukselit të reagojë, e të mos lejojë të tilla “muhabete”, që sipas tij janë jo vetëm humbje kohe, po edhe abuzim me tatimpaguesit europianë që mbajnë me rroga zyrtarët e BE-së.
Tonet e Edi Ramës janë vërtet të ashpra e të paprecedenta.
Ndërkohë që ai vetë pranon ndihma elektorale nga Erdogani apo pret me kënaqësi dhe e përdor për konsum të brendshëm një ftesë që i vjen nga Parisi.
Lulzim Basha e ka cilësuar nervozizëm të pavend këtë reagim të Ramës, dhe është shprehur se PD ka lindur për ta integruar vendin në BE, teksa ka shtuar se Edi Rama në këtë rrugë vetëm ka dështuar e ka shtuar pengesat.
Ndërkohë, e pyetur nga mediat në Tiranë, zëdhënësja e Komisionit, Pizonero ka hedhur poshtë pretendimet e Ramës, që komisionerja të ketë ndërhyrë në fushatë, duke thënë se ajo ka marrë pjesë në një aktivitet rajonal për arsimin, organizuar nga Universiteti Modul i Vjenës.
Rama: Dikush në Bruksel të reagojë, mos fusni hundët në fushatë
Kryeministri Rama, ka reaguar ashpër dje në mesditë, përmes një statusi në rrjete sociale, pas diskutimit online të Lulzim Bashës, me Komisioneren e BE për Arsimin, Gabriel.
Kritik, tallës dhe me paralajmërime, Edi Rama i ka kujtuar Komisionit Europian të bëjë kujdes.
Rama thotë se dikush nga Brukseli duhet të reagojë “e t’u thotë komisionerëve që harxhojnë kohën e punës së paguar nga taksat e popujve të Europës, për të bërë videomuhabete elektorale me Lulzim Bashën se kjo quhet ndërhyrje në fushatën e brendshme elektorale të një vendi kandidat për në BE! Në dijeninë time Komisioni Europian nuk e ka zakon të fusë hundët në fushatat elektorale dhe unë pres ta mësoj zyrtarisht e publikisht nga Brukseli, nëse e kam unë gabim e ndoshta komisionerët kanë vërtet të drejtë të bëhen palë kur popujt e Europës zgjedhin qeveritë e tyre!”.
Basha: I habitshëm nervozizmi i Ramës, rruga jonë është drejt BE
Kreu i PD Lulzim Basha, i është përgjigjur kryeministrit Rama, i cili më herët tha se Komisionerët e BE po ndërhyjnë në fushatën elektorale të një vendi. Ky reagim i Ramës erdhi pas takimit online të kryedemokratit Basha me Komisioneren e BE, Mariya Gabriel.
Basha thotë se nervozizmi i Ramës është i habitshëm, ndërsa shton se rruga jonë është drejt BE-së.
“Sot të gjithë e kuptojnë se pa u afruar me BE, Shqipëria nuk do të mund të bëjë përpara. Për 8 vjet, jo vetëm që Rama nuk bëri asgjë për ta afruar integrimin, por ai bëri hapa prapa”, -thotë Basha.
“Unë jam i vendosur të bëj gjithçka për të ecur përpara me integrimin europian, për të sjellë ndryshimin e vërtetë, arsim cilësor dhe punësim dinjitoz për shqiptarët këtu në Shqipëri. Mirënjohje BE, KE për ndihmë e pakursyer që i kanë dhënë dhe do t’i japin vendit tonë”.
Basha, diskutim me Komisioneren e BE, Gabriel: Arsimi kërkon një qasje vizionare
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, dje ka zhvilluar një tryezë diskutimi online me Komisioneren e BE, Mariya Gabriel dhe përfaqësues të Universitetit Modul të Vjenës.
Komisionerja Gabriel, ka thënë se Arsimi kërkon një qasje vizionare dhe bashkëpunim më të thellë në nivelin europian.
“Arsimi cilësor dhe gjithëpërfshirës siguron edhe më shumë se kaq. Do të zvogëlojë ikjen jashtë vendit të trurit. Kjo do t’u japë bizneseve një fuqi punëtore të aftë dhe ekonomive kombëtare dhe rajonale një shans më të mirë për të qenë konkurrues. Tani, më shumë se kurrë arsimi duhet të vendoset lart në agjendën tonë politike. Kërkon vëmendje të veçantë, një qasje vizionare dhe bashkëpunim më të thellë në Nivelin Europian kombëtar. Ne duhet të ndërtojmë një sinergji të fortë midis kërkimit arsimor dhe Inovacionit. Një sinergji e tillë është e domosdoshme nëse duam ta mbajmë Europën të fortë, duke përfshirë këtu edhe fazën e sfidave globale, mposhtjen e një pandemie apo tranzicion të gjelbër dhe digjital. Bashkëpunimi i fortë me Ballkanin Perëndimor me Shqipërinë ka qenë gjithmonë në thelbin e punës sonë dhe punës sime personale”, ka thënë Gabriel, gjatë video-konferencës me Lulzim Bashën.