Të paktën 32 persona kanë humbur jetën pasi dy trena u përplasën pranë qytetit egjiptian të Sohag, rreth 300 milje në jug të Kajros. Sipas raportimeve, autoriteti hekurudhor i vendit tha se frenat e emergjencës në trenin e parë u aktivizuan nga “individë të panjohur”, duke bërë që treni të ndalonte.
Treni i dytë më pas u përplas me të parin nga prapa, duke bërë që dy vagonë të dilnin nga binarët. Për pasojë, dhjetëra njerëz kanë vdekur dhe shumë prej të plagosurve kanë mbetur të bllokuar.
Dhjetëra ambulanca u dërguan në vendin e ngjarjes ndërsa Ministria e shëndetësisë së Egjiptit tha se të paktën 66 persona kanë mbetur të plagosur.
Zyra e prokurorit publik ka urdhëruar tashmë një hetim mbi përplasjen.