Familjarët e 33 vjeçarit Arjan Sala janë “përplasur” mesditën e sotme me forcat zjarrfikëse që po punojnë prej dy ditësh në magazinën e Casa Italias, për të gjetur trupin e shefit të sigurisë që mbeti brenda dhe për të shuar flakët.
“Ne po e qajmë këtu te porta, pa më dalë xhenazja. Ne nuk po bëhemi pengesë, ju lutemi shumë, na e jepni një informacion, pse nuk keni thënë ju të vijë një familjar”, ka thënë një prej familjarëve të Salës, ndërsa komandanti i forcave zjarrfikëse ka thënë se edhe ata janë me familjarët e të riu, por nuk kanë mjete në dispozicion.
Deri në këto momente nuk ka asnjë shenjë të 33 vjeçarit, ndërsa forcat zjarrfikëse janë detyruar të thyejnë soletën e magazinës për tu futur brenda. Në vendngjarje janë dy ekipe të ushtrisë dhe ekipe nga Aueroporti i Rinasit. Sipas tyre, temperatura nga matjet e djeshme i kalonte 1 mijë gradë.
Pjesë nga debati:
Familjarët: Ne duam që të gjendet personi, mos gënjeni
Ekipi i zjarrfikësve: A doni që të flasim apo të gënjejmë
Familjarët: Ne japim 40 milionë lekë vetëm të gjendet njeriu. Ky prononcim nuk është në shërbim për momentin.
Zjarrfikësit: Ne nuk jemi këtu për të bërë elozhe
Familjarët: Ne na ka ikur vëllai, na gjeni trupin
Zjarrfikësit: Unë kam 27 vite në këtë punë, dhe unë i përjetoj edhe vetë rastet
Familjarët: Ne nuk kemi ardhur këtu që të dalim në televizor
Zjarrfikësi: Sa ditë kam unë këtu pa lëvizur nga vendi
Familjarët: Ne po e qajmë këtu te porta, pa më dalë xhenazja. Ne nuk po bëhemi pengesë, ju lutemi shumë, na e jepni një informacion, pse nuk keni thënë ju të vijë një familjar. Prononcimin për mediat na i jepni më vonë. Ju nuk keni pasur paisje, keni qënë me bombla 3 litroshe, mungesë mjetesh, një veshje antizjarr nuk e kishin ata njerëz gjatë natës? Erdhën vetëm dje nga ora tre. A nuk është gjynah kjo që ndodhi.
Zjarrfikësi: Unë sot jam palë këtu me ty, natyrisht që na duhen mjete, dhe çdo reagim i juaji është i kuptueshëm.
Familjarët: Ti rrezikon jetën tënde kur nuk ke asnjë paisje, me çfarë do të shpëtosh djalin tim.
Video: Fax News