Qeveria nisi dje vaksinimin masiv të popullatës me kinezen Sinovac. Ky moment përkon me kulmin e fushatës dhe kryeministri Edi Rama po e përdor si kalin e betejës së këtyre zgjedhjeve. Por prejardhja e saj dhe mungesa e certifikimit nga autoritetet europiane ka krijuar skepticizëm kryesisht tek të moshuarit, një pjesë e të cilëve janë shprehur në media se e refuzojnë. Dyshime ka edhe epidemiologu Ilir Alimehmeti. Ndërkohë, ministrja e Shëndetësisë, Manastirliu bëri të ditur se dje u vaksinuan 11.487 persona në gjithë Shqipërinë.
Në disa çadra të ngritura në mes të sheshit “Skënderbej” dje u hap fushata e vaksinimit masiv të popullatës gati 3 muaj pasi u lançua kjo fushatë me një minimum dozash. Vaksinimi masiv do të bëhet me vaksinën kineze Sinovac, një kontratë që Kryeministri Edi Rama po e sheh si një “bekim” për të në mesin e fushatës zgjedhore. Por, vendi prodhues i vaksinës dhe fakti që ajo nuk është miratuar nga institucionet europiane të shëndetësisë ka krijuar skepticizëm te popullata shqiptare, kryesisht te moshat mbi 60 vjeç që janë dhe grupmoshat që pritet të vaksinohen të parët.
Në një vëzhgim të bërë nga abcnews në qytete të ndryshme të moshuarit shprehen se nuk kanë besim të marrin këtë vaksinë. Por nuk janë vetëm qytetarët skeptikë, edhe mjekë të njohur epidemiologë kanë pikëpyetje mbi efikasitetin e kësaj vaksine, e cila nuk i ka kaluar të gjitha fazat e testimit klinik, siç i kanë kaluar vaksinat e tjera që po përdoren në vendet e BE-së. Vaksina kineze aktualisht po përdoret në 25 vende të botës, kryesisht në Lindjen e Mesme dhe në Azi. Brenda BE-së vetëm 2 vende e kanë porositur këtë vaksinë, Polonia dhe Hungaria. Në Shqipëri kanë mbërritur 192 mijë doza, ndërsa Rama ka premtuar se brenda 60 ditëve do të vijnë 1,2 milion doza plus.
Vëzhgimi; skepticizmi për vaksinën kineze
Sipas një vëzhgimi në qytete të ndryshme të vendit televizioni Abcnews sjell tablonë e skepticizmit të qytetarëve për vaksinën kineze. Jo të gjithë të moshuarit në qytete të ndryshme të vendit kanë pranuar të aplikojnë vaksinën kineze, raporton abcnews. Një qytetar nga Korça ka refuzuar që të vaksinohet me vaksinën kineze “Sinovac”. “Jo nga kinezët s’dua, kinezja do me zhduk gjithë botën”, ka thënë banori. Ndërsa një tjetër shprehet se nuk ka asnjë informacion se vaksinën e kujt kompanie do bëjë.
“Nuk e di emrin e vaksinës, nuk na kanë dhënë asnjë informacion”, ka thënë një qytetare në Korçë. Të tjerë s’durojnë më izolimin dhe po rrezikojnë. “Do e bëjmë se po rrimë brenda, kam pa parë nipërit, do ta bëj se nuk rri dot më në izolim”, shprehet një i moshuar. 8 mijë doza të vaksinës kineze kanë mbërritur në Fier. Janë shpërndarë në qendra të ndryshme të vaksinimit. Të vetëdijshëm për cilësisë e diskutueshme të vaksinës kineze të moshuarit janë skeptikë por të vendosur përballë frikës nga koronavirusi.
Ka të moshuar që kanë frikë pasi kanë pësuar komplikacione nga vaksina të tjera. “Me frikë se jam sëmurur njëherë nga një vaksinë”, ka thënë një qytetare. Në qytetin e Fierit po vaksinohen të moshuarit mbi 70 vjeç. Në Vlorë të moshuarit kanë besim te kjo vaksinë për shkak se është testuar në vendin ku është prodhuar. “Deri sa ka kaluar te populli kinez do e bëjmë dhe ne”, ka thënë një i moshuar. “Jemi mësuar me vaksina”. Ndërkaq në Durrës në ambientet ku po kryhet vaksinimi janë shfaqur dhe zyrtarë të regjimit komunist që kanë nostalgji për marrëdhëniet e dikurshme me Kinën.
“Jam Muho Asllani 84 vjeç në 6 rrethe sekretar i PPSH, të Enver Hoxhës me Kinën kemi pasur marrëdhënie të mira, kanë bërë fabrika të forta, kam besim dhe do e bëj vaksinën. Në çdo aksion kam qenë i pari dhe në këtë rast thashë do jem i pari në aksionin e vaksinës. Kina mendoj se nuk na do të keqen”, ka thënë i moshuari. Në Gjirokastër siç duket dhe nga pamjet ka pasur fluks të moshuarish për të bërë vaksinën. Kanë më shumë frikë nga virusi se nga cilësia e vaksinës. “Më mirë vaksina sesa Covid”. Në Sarandë të moshuarit e lidhin kryerjen e vaksinës së Sinovac me bindjen politike. “Për sa kohë kam besim te qeveria kam dhe te vaksina”, është shprehur një i moshuar.
Ekspertët: Vaksina kineze është një bast
Epidemiologu Ilir Alimehmeti mendon se aplikimi i vaksinës kineze është një bast që po bëhet me shëndetin e shqiptarëve pasi vaksina akoma nuk i ka kaluar testet e plota klinike për efektshmërinë e saj. “CoronaVac, e prodhuar nga Sinovac Biotech, është vaksinë me virus të inaktivizuar. Duhet thënë që është një teknologji shumë e vjetër dhe është metoda klasike e prodhimit të vaksinave përpara zhvillimit të mjekësisë moderne. Edhe sot e kësaj dite prodhohen disa vaksina me virus të inaktivizuar, por me kusht që asnjë prej këtyre vaksinave nuk është për viruse me fuqi vdekjeprurëse.
Pse ndodh kjo? Sepse gjatë procesit teknologjik të prodhimit të vaksinës, inaktivizimi kimik ose me rrezatim i virusit, mund të mos kryhet si duhet në disa prej loteve të vaksinës. Kjo do të sillte si rrjedhojë injektimin e virusit funksional në trupin e njeriut e duke shkaktuar për pasojë pikërisht sëmundjen që duhet të parandalojë. Për këtë arsye, vaksinat me virus të inaktivizuar, nuk përdoren asnjëherë për sëmundje vdekjeprurëse. Si shembull, kjo teknikë përdoret për disa viruse të gripit sezonal, por e lejuar nga fakti që gripi nuk është aq vdekjeprurës sa COVID-19.
Për sa u përket studimeve klinike, CoronaVac ka vetëm një studim të publikuar mbi fazën e parë dhe të dytë klinike. Ky studim është publikuar më 17 nëntor 2020 në “The Lancet” dhe është kryer mbi persona të grupmoshës 18-59 vjeç. Pra, praktikisht nuk kemi asnjë të dhënë mbi sigurinë për moshat 60 vjeç e më lart. Studimet e fazave të treta klinike nuk janë kryer nga vetë Sinovac Biotech, por janë kryer nga shtete të ndryshme në mënyrë të pavarur. Deri më sot nuk ka asnjë publikim të të dhënave të këtyre studimeve. Të vetmet të dhëna janë disa deklarata mediatike në këto shtete, që flasin vetëm për efektivitetin dhe asgjë për sigurinë”, – shprehet Alimehmeti për mediat. Sipas tij mungojnë të dhëna të rëndësishme, si: siguria e vaksinës, intervali i besueshmërisë së efektivitetit, si edhe niveli i efikasitetit në grupmoshat e ndryshme.
“Të dhënat e fazës së tretë klinike të vaksinës CoronaVac, janë praktikisht joekzistuese në literaturën shkencore, ndryshe nga vaksinat e tjera që i kanë publikuar të gjitha gjetjet e fazave të treta klinike, përfshirë këtu vaksinën Sputnik V që i publikoi të dhënat më 2 shkurt 2021”, thekson ai. Ai thotë se OBSH ka kërkuar që efektshmëria të jetë mbi 50 për qind për vaksinat, si rrjedhojë me efektshmërinë në nivelin 50.4% që ka kjo vaksinë ndodhet në buzë të greminës. I shtojmë kësaj dhe faktin që ajo nuk është miratuar nga EMA (European Medicines Agency) apo FDA (Food and Drug Administration). “Si rrjedhojë, de facto, aplikimi i kësaj vaksine në nivel popullate është një bast që, nëse rezulton i suksesshëm fitojmë të gjithë, por nëse rezulton i pasuksesshëm nuk dihet kush i mban përgjegjësitë”, thekson mjeku.
Nga ana tjetër, ka dyshime të forta që Rama po fut në vend një vaksinë të pacertifikuar për efekt të fushatës politike. Eksperti i shëndetit publik Erion Dasho, në një intervistë për RTV Ora, u shpreh se pandemia po përdoret politikisht nga mazhoranca në Tiranë që ndryshe nga shtete të tjera e bën “hapur dhe trashë”. “Nuk mund t’i shmangesh dot politizimit, por ajo që duhet të vëmë re në Shqipëri është se, fushata e vaksinimit masiv përkoi me fushatën elektorale. Është e pamundur që ta quash një rastësi. Duket qartazi një përpjekje për të shfrytëzuar fushatën e vaksinimit në funksion të fushatës elektorale dhe asaj çfarë po ndodh në politikën shqiptare”, – tha ai.
Manastirliu bën bilancin: Vaksinuam 11 487 qytetarë në të gjithë vendin
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, në mbyllje të ditës së parë të vaksinimit masiv, tha se janë kryer 11,487 vaksinime në të gjithë vendin.
“Përgjatë ditës së sotme (djeshme), jo vetëm që e kemi arritur targetin që kishim vendosur, prej 10 mijë vaksinimesh, por madje e kemi kapërcyer atë. Kemi arritur në 11,487 të vaksinuar përgjatë kësaj dite”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë bëri me dije se procesi i vaksinimit do të intensifikohet në të gjithë vendin, për të vaksinuar të gjithë grupet e përcaktuara, sipas planit kombëtar të vaksinimit.
“Ne do të vijojmë përgjatë gjithë kësaj periudhe me intensifikimin e procesit të vaksinimit, duke vijuar vaksinimin e mësuesve, pedagogëve, edukatorëve të kopshteve dhe çerdheve. Gjithashtu do të vijojmë me vaksinimin masiv të grupmoshës +70 vjeç, qoftë në qendra shëndetësore, qoftë në këto pika të vaksinimit të përqendruara”, tha Manastirliu.
Gjatë komunikimit direkt nga sheshi “Skënderbej”, Manastirliu u ka bërë apel të moshuarve që të kontaktojnë me mjekun e familjes.
“Mjeku i familjes do t’ju njoftojë për datën, vendin dhe orën e vaksinimit. Është vetëm mjeku i familjes ai që ka regjistrin elektronik dhe nëpërmjet regjistrit elektronik nxjerr dhe të gjithë listën e personave që iu përkasin fashave të përcaktuara, sipas grupmoshës për vaksinim”, apeloi Manastirliu.
Në të gjithë vendin janë kryer rreth 78,000 vaksinime për personelin shëndetësor, të moshuarit dhe arsimtarët.
MAPO.al