Zëdhënësja e fushatës së PD, Floriana Garo ka folur mbi fushatën e selisë blu, rolin e saj, marrëdhëniet me liderin e opozitës Lulzim Basha dhe arsyet pse e shtynë të rikthehej sërish në Shqipëri.
Duke u ndalur te aktiviteti i saj në PD, Garo e ftuar në Ora News u shpreh ndër të tjera se detyra e saj është përcjellja sa më mirë e mesazheve të kësaj force politike, të kreut të saj por edhe të kandidatëve të tjerë për deputetë në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.
A konsultoheni për çdo deklaratë me kryetarin e PD, Lulzim Basha?
“Ne kemi kontakt të vazhdueshëm që është edhe shumë e nevojshme, por jo për çdo deklaratë konsultohemi. Sigurisht ai ka këndvështrimet e tij dhe i dimë shumë mirë edhe se si ekip, si staf. Mblidhemi, formulojmë deklarata dhe unë jam pjesë e kësaj. Kështu që jemi të gjithë në një linjë”.
Si po ecën fushata e PD?
“Unë mendoj se ka shumë entuziasëm tek të gjithë njerëzit. Sigurisht është pak më ndryshe nga fushatat e kaluara pasi edhe pandemia ka ndikimin e saj. Por mendoj se entuziasmi shprehet vazhdimisht në çdo qytet që shkojmë, çdo grup njerëzish që takojmë duan ndryshimin. Ne e ndjejmë këtë entuziasëm dhe për këtë po punojmë që i tregojmë njerëzve ndryshimin që do sjellim.
Floriana Garo u ndal edhe tek një nga problemet më të mprehta të Shqipërisë në vitet e fundit, largimin e të rinjve. Ajo i bëri thirrje edhe të rinjve që ndodhen jashtë që të rikthehen dhe të kontribuojnë për vendin e tyre.
“Sa i përket të rinjve. Të rinjtë janë fokusi ynë. Këto vitet e fundit të rinjtë po ikin nga Shqipëria si kurrë më parë. Po ikin se nuk gjejnë shpresë këtu, po ikin sepse kërkojnë gjetkë një jetë më të mirë dhe kjo është shumë e trishtë dhe është një angazhim i PD që ti rikthejë të rinjve shpresën. Dhe pikërisht për këtë ne do ti mbështesim të rinjtë me programin specifik për arsimin. Asnjë student që vjen nga një familje e varfër nuk do të ketë probleme me vazhdimin e shkollimit pasi bursat do të sigurohen. Ne duam që të rinjve t’ju sigurojmë shpresën këtu në vendin e tyre. Unë kam jetuar jashtë, jam kthyer për të dytën herë sepse mendoj se e ardhmja është këtu, ne duhet ta ndërtojmë të ardhmen këtu. Dhe për tu bërë edhe një shembull për ata që kanë shkuar jashtë që të kthehen dhe të kontribuojnë për vendin e tyre sepse kështu do të rikthejmë shpresën dhe të ardhmen“, tha Garo.