Nga Enton Palushi
Tirana përjetoi të hënën një nga ditët më të zeza në historinë e trafikut rrugor. Mijëra qytetarë mbetën të bllokuar për orë të tëra në rrugë, kjo edhe për shkak të punimeve që po bëhen në Unazën e Madhe. Sa herë rrugët bllokohen në këtë mënyrë dhe shqiptarët shpenzojnë kohë, nerva dhe karburant duke shtuar ndotjen vrastare në kryeqytetin më të ndotur në Europë, nëpër portale nis e qarkullon një titull, sipas të cilit kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj po e saboton fushatën e Edi Ramës me trafikun e rënduar.
Nuk dihet sa këllqe ka Erion Veliaj për ta dëmtuar Edi Ramën gjatë kësaj fushate, edhe pse dëshira ndoshta nuk i mungon. Por kjo është çështje tjetër. Ajo që bie në sy është përdorimi i fjalës ‘sabotim’, e cila nënkupton dëmtimin e qëllimshëm të diçkaje që funksionon mirë. Por trafiku i Tiranës nuk ka funksionuar mirë, nuk funksionon mirë dhe nuk ka shanse të funksionojë mirë. Vërtet Unaza e Madhe mund të çlirojë disa aspekte të trafikut, por Tirana që ka gatuar Edi Rama dhe Erion Veliaj do e ketë trafikun një plagë të rëndë dhe të vazhdueshme për disa arsye.
E para, është i vërtetë paradoksi që e citon ndonjëherë Erion Veliaj se ndërtimi i rrugëve të reja mund të shtojë trafikun. Ekonomistët e quajnë kërkesë e induktuar. Por studiuesit që nga Franca e deri në SHBA kanë zbuluar se edhe reduktimi i korsive mund ta ulë trafikun. Ky paradoks shpjegohet me faktin se banorët e këtyre vendeve kanë mundësi të zgjedhin për të lëvizur, kryesisht duke u bazuar te mjetet publike të transportit. Por në Shqipëri, transporti publik është një katastrofë e vërtetë, duke bërë që qytetarët të jenë përballë të vetmes mundësi: mjetit personal.
E dyta, meqë jemi te Unaza e Re. I keni parë besoj fotot e trafikut kaotik? Por a e keni vënë re numrin e stërmadh të pallateve që e rrethojnë këtë zonë, që janë ndërtuar dhe që po ndërtohen. Pallate u thënçin se bëhet fjalë për komplekse gjigante që janë qyteza më vete. E gjithë ajo zonë me dhjetëra-mijëra banorë, një qytet i krahasueshëm me qytetet më të mëdha në Shqipëri, nuk ofron kurrfarë shërbimi për qytetarët. Ajo është një fjetinë gjigante betoni pa shkolla, kopshte, çerdhe, parqe, qendra sociale, spitale, poliklinika etj. Ata dhjetëra-mijëra banorë do të derdhen çdo ditë drejt pjesës së Unazës së Vogël për të marrë shërbime në atë Tiranën e dikurshme që nga koha e komunizmit, duke krijuar trafik.
E treta, ata mijëra e mijëra qytetarë do të vazhdojnë të derdhen në një qytet të ndërtuar në mënyrë rrethore dhe që kulmin e ka në qendër. Por edhe ajo qendër është e bllokuar për shkak se është kthyer në shesh këmbësorësh. A ju kujtohet Erion Veliaj kur maste cilësinë e ajrit te sheshi Skënderbej për të treguar sa është pastruar? Tani imagjinojeni duke matur cilësinë e ajrit kur të mbarojnë edhe ato kulla gjigante që e rrethojnë sheshin. Një tmerr po ta mendosh se ata që kanë mundësi të blejnë në atë zonë, nuk para lëvizin në këmbë dhe preferojnë makina me kubikë të mëdhenj.
E katërta, Veliaj dhe Rama nuk kanë mbajtur asnjëherë përgjegjësi për projektin që kishin për të decentralizuar qytetin. Decentralizim nuk do të thotë të derdhen tonelata beton nëpër fjetina, por të çosh shërbimet e nevojshme atje që njerëzit të mos lëvizin me mjetet e tyre. Ku shkuan 700 milionë euro taksa shtesë që mori Erion Veliaj nga qytetarët e Tiranës gjatë kësaj kohe? Çfarë ndodhi me Bulevardin e Ri që u bllokua nga Edi Rama dhe që shpresohej të decentralizonte ndjeshëm qytetin? Pse nuk u ndërtua për Tiranën asnjë spital si ai i Fierit, që njerëzit të mos derdhen nga gjithë Shqipëria te QSUT e kohës së qepës, ndërkohë që Monitor raporton se vetëm me fitimet e koncesioneve të një viti në shëndetësi mund të ishin ndërtuar 3-4 qendra spitalore? Përse po shkojnë të gjitha ndërtimet drejt qendrës, apo sepse aty është paraja e madhe, kurse për pjesën tjetër le të bëhet qameti?
E pesta, ndoshta është e vërtetë ajo që thotë Veliaj dhe disa papagaj se ka njerëz që marrin makinën edhe për të blerë bukën. Por çfarë të dhënash ka Veliaj për ata që përdorin makinën për punë dhe ata që e përdorin për qejf? A ka bërë ai ndonjë studim se kush e bllokon trafikun dhe përse? A ka ai ndonjë të dhënë se çfarë të mire ka sjellë ngushtimi i rrugëve me korsitë e biçikletave dhe sa përdoren këto të fundit? Pastaj, në fund të fundit, edhe nëse qytetarët e teprojnë me përdorimin e makinës, ky sistem që po jetojmë është bazuar mbi teprimin dhe konsumin. Nëse do ishte ndryshe, do ishim të gjithë në shpella duke shijuar ajrin e pastër. Por i pari që eksitohet kur rrit tarifat dhe mbledh taksat është ai që i shpërdoron më shumë.
E gjashta dhe ndoshta më e rëndësishmja. Kush nga ju ka ndonjë ide se si do i shkojë halli kësaj Tirane? Keni parë gjëkundi ndonjë plan? A e dini se si ndërtohet, ku ndërtohet, pse ndërtohet në këtë vend? A keni parë ndonjë vizion të Edi Ramës dhe Erion Veliajt për Tiranën? Si e imagjinoni, po themi, Tiranën e vitit 2030? Një kaos, një mishmash. Sepse gjithçka bëhet pa plan, pa projekt, pa vizion dhe pa strategji. Në lagjen time, një fjetinë gjigante, edhe pse nuk ka asnjë shërbim për një qytet normal, vazhdon të hidhet beton dhe të ndërtohen pallate gjigante, pa e kuptuar askush se cili plan parashikon nguljen e komplekseve të betonit. Vërtet Tirana mund të ketë nevojë për banesa të reja, siç thotë Erion Veliaj, por në radhë të parë ka nevojë të jetë një qytet, jo një lemeri vrastare betoni. Sigurisht janë mijëra njerëz që duan të kenë shtëpinë e tyre, por nuk e kam dëgjuar asnjëherë Erion Veliajn dhe Edi Ramën të shqetësohen për ata që blejnë, por vetëm për ata që shesin.
*
Asfalti elektoral do marrë fund një ditë dhe për pak momente do të duket sikur jemi pak më të lirë në trafik deri kur ta kuptojmë sërish se jemi zënë në një çark. Kjo për shkak se ky qytet ka prekur fundin. Thonë se kur prek fundin, mbetet vetëm një rrugë: ajo për t’u ngritur lart. Në sistemin tonë kjo rrugë vjen vetëm përmes votës.