Prokuroria kërkon 6 vite burg për biznesmenen dhe ndërtuesen Vjollca Hoxholli, e cila akuzohet nga prokuroria për mashtrim me pasoja të rënda.
Hoxholli, akuzohet se i ka shitur një apartament disa personave të ndryshëm, në qytetin e Shkodrës, ndërsa emri i saj është përmendur dhe më parë për të njëjtën akuzë.
Vjollca së bashku me bashkëshortin e saj Rrapush Hoxholli, janë denoncuar nga qytetarë, për shkak se kanë shitur apartamente disa herë, duke përfituar shuma të mëdha parash, të cilat nuk u janë kthyer pas personave të dëmtuar.
Së bashku me çiftin Hoxholli ka qenë i përfshirë dhe një 28-vjeçar, i cili po ashtu pritet që të përballet me drejtësinë. Bashkëshorti i Vjollca Hoxhollit është liruar nga burgu për shkak të moshës së tij 75-vjeçare.
Emri i Hoxhollit është përmendur dhe në hetimet e prokurorisë së Tiranës, pas hetimeve që nisën për palletet e dëmtuara nga tërmeti i Nëntorit të vitit 2019.
Paralelisht me biznesin në fushën e ndërtimit, çifti Hoxholli ka patur edhe disa dosje penale për aktivitetin që kryejnë. Në vitin 2004, Rr.Hoxholli është dënuar me 3 muaj burg me kusht për akuzën e falsifikimit të dokumenteve. Në vitin 2012 sërish Rrapush Hoxholli është dënuar me 500 mijë lekë gjobë për vetëgjyqesi dhe shkatërrim pronës.
Në vitin 2016 bashkëshortja e tij Vjollca Hoxholli akuzohet për mashtrim me pasoja të rënda, ndërsa mbetet për t’u parë se cili do të jetë vendimi që do të japë në fund Gjykata për biznesmenen.