Gazeta “Diario Sport”: Fëmijët e luftës së Kosovës sfidojnë Spanjën!

0
121

Gazeta spanjolle “Diario Sport” ia ka kushtuar Kosovës një shkrim të veçantë për rrugëtimin e saj të vështirë në futbollin ndërkombëtar. Kosova do të përballet me Spanjën, njërin prej kundërshtarëve më të mëdhenj të pavarësisë së saj, për herë të parë të mërkurën në Sevilla në ndeshjen e xhiros së tretë të Grupit B Kualifikues për Botërorin Katari 2022. Në fakt, shorti për kualifikime për Botërorin e hodhi Kosovën në një grup me tre shtete që s’e njohin pavarësinë e saj, Greqinë dhe Gjeorgjinë, përveç Spanjës. E vetmja në Grupin B që e njeh Kosovën është Suedia.

Duke e rrëfyer tregimin e vështirë të Kosovës për luftën me Serbinë më 1998, deri te pavarësimi më 2008 e deri te pranimi i Kombëtares në UEFA e FIFA më 2016, Sport iu tregoi spanjollëve se si lojtarët e Kosovës kanë kaluar shumë barriera deri më sot. Gazeta në fjalë e përmendi faktin që shumë prej lojtarëve që do të paraqiten nesër kundër Spanjës ishin detyruar të iknin nga Kosova në vitet 1990, shkaku i terrorit serb, dhe tani janë kthyer për ta çuar përpara atdheun e vet.

“20 vjet pasi përjetuan luftë të rëndë, fëmijët e Kosovës të cilët u detyruan të iknin nga Kosova për të filluar një jetë të re në Suedi, Gjermani, Norvegji, Zvicër apo shumë vende të tjera në Evropë, u kthyen në rrënjët e tyre falë ekipit kombëtar, i cili pas shumë përpjekjeve për një kohë të gjatë tani mund të garojë si njëri prej ekipeve më të mira. Një ekip që ka kohë që tejkalon pengesa dhe i cili do të tentojë t’i vështirësojë gjërat Spanjës të mërkurën në orën 20:45”, shkruan Diario Sport.

Edhe takimi me Spanjën ishte barrierë jo e vogël, pasi që kur shorti i vendosi këto dy ekipe në një grup, polemikat nuk janë ndalur. Federata e Futbollit e Spanjës i ishte referuar Kosovës si territor fillimisht dhe mediat atje kishin tendencë për të mos e trajtuar Kosovën si shtet, pas pikërisht gazeta e përditshme spanjolle “AS” kishte refuzuar t’ia shkruante emrin shtetit më të ri evropian në tabelën e Grupit B në uebsajtin e vet.

Spanja s’e njeh Kosovën kryesisht për shkak të Katalonjës, rajonit të vet verilindor, e cila kishte votuar unanimisht në një referendum në vitin 2017 për t’u pavarësuar nga Spanja. Sidoqoftë, Spanja është tërhequr nga qëndrimi e saj dhe do t’i ofrojë Kosovës pritje si çdo kombëtareje tjetër të mërkurën në Sevilla. Federata spanjolle ka këmbëngulur, megjithatë, se pritja që do t’ia bëjë Kombëtares së Kosovës me himn kombëtar dhe flamur, nuk përfaqëson qëndrimin e shtetit spanjoll. Verdhekaltrit mbërritën në Sevilla të hënën pasdite dhe sot do ta kryejnë një seancë stërvitore në stadiumin “La Cartuja”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here