Një tjetër kapitull hap Greqia për pajisjen e të interesuarve me nënshtetësinë greke. Ka qenë vetë ministri i Brendshëm, Makis Voridhis, i cili më 22 mars ka shtypur butonin “start” të platformës së re elektronike, ku do përfshihen të gjithë aplikantët, ata në pritje dhe të rinjtë.
Platforma e shumëdiskutuar do të ofrojë testimin elektronik të gjuhës dhe historisë/ kulturës greke, një tjetër risi e përfshirë në reformën e fundit ligjore 4735/2020 të Kodit të Nënshtetësisë.
Të interesuarit mund të klikojnë në faqen elektronike të Sekretarisë së Përgjithshme të Nënshtetësisë, ndërsa në të njëjtën menu, por në një tjetër opsion “exetaseis-ithageneia.ypes.gr” është instaluar “banka e temave”, domethënë pyetje-përgjigje të gatshme për përgatitjen e aplikuesit, shkruan Diaspora Shqiptare.
Ministri i Brendshëm ka deklaruar se organet kopetente kanë respektuar afatet kohore për funksionimin e platformës, ku do të mund të aplikohet për pjesëmarrjen në provimet e para elektronike të gjuhës dhe kulturës/historisë greke.
Sipas shtesës ligjore të fundit, certifikata e siguruar nga këto provime është e domosdoshme për të aplikuar e në vijim shqyrtuar kërkesën e emigrantëve për nënshtetësinë greke. Sekretari i Përgjithshëm për Nënshtetësinë, Athanasios Balermas, bën të ditur se kjo platformë është e ndërvarur nga database (baza e të dhënave) të Institutit të Pavarur të Buxhetit Publik (AADE) dhe të ministrisë së Emigracionit, për identifikimin automatik të aplikuesit.
Aplikuesit që do të regjistrohen në platformën elektronike për pjesëmarrjen në provimet e para, do të paguajnë taksën 150 euro. Nga kjo taksë përjashtohen sa kanë aplikuar dhe dosja e tyre është aktivizuar me numër protokolli në sektorin e Nënshtetësisë së ministrisë së Brendshme, që do të thotë se taksa paguhet vetëm nga sa do fillojnë procedurën nga zero, pas 1 prillit.
Afati kohor për aplikimin për pjesëmarrje në provimet është 18 prill, ndërsa provimet e para elektronike do të zhvillohen më 16 maj. Aplikuesit duhet të zgjedhin se në cilin nga 8 qytetet greke ku janë vendosur qendra elektronike testimi dëshirojnë të kryejnë procedurën.
SOS: Për kategori të caktura si moshat mbi 62 vjeç, personat me invaliditet të shkallës nga 67% e lart, apo personat me probleme përqëndrimi apo të tjera patologji parashikohet formë e posaçme aplikimi, që plotësohet me dokumentat përkatës vërtetues si dhe do të japin provimin me gojë.
Një tjetër detaj i rëndësishëm është edhe rregullorja që do ndiqet gjatë testimit elektronik, tepër e ngjashme me atë të provimeve panhelenike për maturantët në vend. Aplikuesit që nuk kalojnë me sukses provimin nuk do të kenë asnjë kufizim në përsëritjen e procedurës.
Për të gjitha këto ndryshime tepër të rëndësishme, që lehtë mund të konsiderohen reforma themelore në procedurën e nënshtetësisë, më 22 mars është zhvilluar një takim on-line i komunitetit shqiptar në Greqi me vetë sekretarin e Përgjithshëm për Nënshtetësinë, Athanasios Balermas.
Në kuadrin e një “restart” thelbësor, siç pretendon qeveria greke, për procedurën e njohur për burokracinë, afatet tejet të zgjatura dhe refuzimet apo edhe bllokimet, akoma dhe tek brezi i dytë i emigrantëve, Athanasios Balermas ka zgjedhur të informojë personalisht për të gjitha detajet komunitetin më të madh emigrant në vend, natyrisht atë shqiptar.
Nën drejtimin e Fotini Shehu, pedagoge në Fakultetin e Shkencave Mjekësore të Universitetit Ndërkombëtar të Greqisë, njëkohësisht dhe inisiatore e këtij takimi virtual, ditën e inagurimit të platformës është zhvilluar dhe një bisedë e detajuar, ku janë hedhur hapur në tryezë të gjitha shqetësimet dhe pikëpyetjet e shkaktuara nga reforma e fundit ligjore, e tetorit 2020.
Konkretisht, Athanasios Balermas ka sqaruar për përfaqësues të “Komunitetit Shqiptar në Greqi”, kryetarë shoqatash dhe organizatash nga thuajse gjithë vendi, se:
-Çdo reformë e miratuar synon në lehtësimin e procedurës, zvogëlimin e afateve kohore si dhe ofron mundësinë që aplikanti të jetë në korrent me ecurinë e dosjes e tij, duke përshtatur afatet, sidomos të testimit të njohurive sipas aftësive të akumuluara, pasi ky përbën kriter bazë për vijimin e aplikimit. Aplikantët duhet të kenë parasysh te jenë të përgatitur, të aftë për t’u bërë pjesë aktive në jetën sociale e politike të vendit, e jo vetëm atë ekonomike siç është statusi i emigrantit. Roli i një shtetasi grek është shumëdimensional, përbën përkufizimin e integrimit të plotë në shoqërinë vendase dhe çdo aplikues duhet të jetë gati të plotësojë të gjitha këto kushte, për të gëzuar të drejtat e plotësuar detyrimet përkatëse.
-Në vijim, Balerbas ka shpjeguar se eliminohen komisionet lokale, duke rritur objektivitetin dhe transparencën dhe anashkaluar çdo abuzim ndaj dispozitave ligjore apo hapësirën për shkelje e keqtrajtime të aplikuesve, nga individë me titullin e kopetentit.
-Niveli i kërkuar në testimin elektronik është ekuivalent i B1-certifikata europiane e njohurive të gjuhës së huaj. Kjo do të thotë se kërkohen në nivelin 66% përgjigje të suksesshme në testin e gjuhës dhe në 50% përgjigje të suksesshme në testin e kulturës/historisë.
-Banka e temave përfshin 100 pyetje gjuhësore dhe 300 pyetje të kulturës dhe historisë greke, të interesuarit mund “të studiojnë” në linkun elektronik në sekretarinë e Përgjithshme të Nënshtetësisë: https://exetaseis-ithageneia.ypes.gr/#topics.
Çdo aplikant do duhet të përgjigjet 20 pyetjeve të rastësishme, 6 historike, 4 gjeografike, 6 politike dhe 5 kulturore.
Aplikanti do të ketë siguruar certifikatën B1 nëse ka rezultat deri në 70% përgjigje të sakta. Rezultatet dhe certifikata publikohen nga Sekretaria e Përgjithshme e Nënshtetësisë një javë pas testimit elektronik.
-Përjashtohen nga testimi elektronik aplikantët që kanë mbaruar arsimin e mesëm apo të lartë në Greqi.
-Për të gjithë aplikuesit “e vjetër” që kanë paguar tarifën 700 euro dhe janë në pritje të dosjes, parashikohet të kenë prioritet në testimin elektronik, pa paguar tarifën 150 euro.
-Tepër e rëndësishme, pjesëmarrja në provimin elektronik nuk bëhet me të dhënat personale të aplikuesit, por me një kod të posaçëm, duke shmangur çdo hapësirë abuzimi. Ekipet e korrektorëve formohen nga pedagogë të afirmuar të universiteteve shtetërore greke.
Nga ana e tyre, përfaqësuesit e komunitetit shqiptar në Greqi kanë këmbëngulur se niveli i njohurive të kërkuara është tepër i lartë për emigrantët, duke theksuar se jetesa shumëvjeçare dhe kontributi në vend, do duhet të përbënin një aset, pavarësisht njohurive që ka mundur emigranti të akumulojë ndër vite. Çfarë është kundërshtuar rreptësisht nga Athanasios Balerbas, i cili ka theksuar se qeveria greke ka treguar vullnet pozitiv politik për minimalizimin e burokracisë dhe përshpejtimin e procedurave, por të interesuarit për nënshtetësinë greke duhet të jenë të aftë të bëhen pjesë e plotë e shoqërisë vendase, e këto njohuri sigurojnë pikërisht këtë kapacitet të panegociueshëm. Kështu, nuk parashikohen lehtësime në nivelin e njohurive të testuara, por aplikantët mund të marrin sa kohë të nevojiten, si dhe të marrin pjesë në provim derisa të kualifikohen me sukses.
Gjatë vitit 2021 provimet elektronike për nënshtetësinë greke do të zhvillohen më 16 maj dhe 9 nëntor. Nga kjo procedurë nuk do përjashtohen as sipërmarrësit shqiptarë në Greqi, pasi, sipas z. Balerbas, procesi i natyralizimit përmes nënshtetësisë nuk duhet të varet nga kritere ekonomike- në rastin konkret nga investimi i çdo emigranti në vend- se e drejta e qytetarit të BE-së nuk mund të blehet, ligjet e BE-së janë kundër çdo diskriminimi ekonomik.
Së fundi, Athanasios Balerbas ka deklaruar se në Greqi janë në pritje mbi 30.000 dosje aplikantësh për nënshtetësinë greke. Në fakt, të dhënat e organizatave për të drejtat e Emigrantëve, e veçanërisht ato të brezit të dytë, referohen në një shifër akoma më të lartë, që madje janë në pritje të përgjigjeve për dosjet e dorëzuara nga vera e vitit 2017…