Ali Pashë Tepelena midis historisë dhe legjendës

0
552

Prof.dr. Petrika Thëngjilli në një vështrim të thelluar multidimensional të figurës së famshme të Ali Pashë Tepelenës, rolit të tij në krijimin e Pashallëkut të Janinës, të politikave të tij të brendshme e të jashtme, në kthimin e tij në një zotërim të vërtetë autonom dhe të rolit objektiv të Ali Pashës në proceset e formësimit e ndërgjegjësimit të mëtejshëm kombëtar, të kalimit drejt periudhës së rëndësishme të Rilindjes Kombëtare…

 

Prof. dr. Fatmira Rama

 

Ka muaj që në libraritë e Tiranës qarkullon monografia e prof. dr. Petrika Thëngjillit, “Aliu  midis  historisë e legjendës”,  botim i Akademisë së  Shkencave  të Shqipërisë, një studim  ky voluminoz, bazuar në një hulumtim disavjeçar, që  kërkon gjithashtu  një përkushtim të veçantë. Prof. Petrika, punonjës shkencor për vite të tëra pranë Institutit të  Historisë në Tiranë, osmanit i njohur  dhe pedagog po aq i njohur në Universitetin e Tiranës, në Departamentin  e Historisë, pranë Fakultetit Histori-Filologji, është i mirënjohur brenda dhe jashtë  vendit, si një autor i shumë  studimeve, sidomos  rreth historisë  kombëtare të shekullit XIX, i teksteve të shumta universitare e parauniversitare, bashkautor në disa vepra të historisë  së popullit shqiptar, referues i dhjetëra e dhjetëra referateve e kumtesave, në konferenca shkencore  brenda e jashtë  vendit.

Kjo përvojë e gjatë, i ka lejuar autorit, që të  përqendrohet në një vështrim të thelluar multidimensional të figurës së famshme të Ali Pashë Tepelenës, rolit të tij në krijimin e Pashallëkut të Janinës, të politikave të tij të brendshme e të jashtme, në kthimin e tij në një zotërim të vërtetë autonom dhe të rolit objektiv të Ali Pashës në proceset e formësimit e ndërgjegjësimit të mëtejshëm kombëtar, të kalimit drejt periudhës së rëndësishme të Rilindjes Kombëtare.

Autori, ecën kështu, në vazhdën  e autorëve të  tjerë të huaj e shqiptarë, sidomos të kohëve të fundit, drejt një ridimensionimi të  figurës së Aliut, por në një  vështrim më  kompleks e të dokumentuar, duke plotësuar kështu një boshllëk të deritanishëm, mbështetur në një bibliografi tejet të  pasur  dhe në burime arkivore po aq të pasura, si të botuara, por  dhe në burime origjinale të pabotuara, të hulumtuara prej tij si në arkivat osmane, por edhe në ato franceze, angleze, ruse etj. Kjo  i ka krijuar mundësi autorit, që ta shikojë e analizojë gjithashtu  këtë  figurë në një kontekst më të gjerë historik, që i përket jo vetëm popullit shqiptar por dhe atij grek, e popujve të tjerë ballkanikë, Perandorisë Osmane  dhe vendeve evropiane me të cilat  ai ka bashkëpunuar në rrethana të caktuara historike.

Sa më lart, si një punim i gjerë, me 33 kapituj e një vëllim prej 1000 faqesh, është e qartë që  problematika e trajtuar është e shumanshme. Por ne do të  ndalemi në disa vlera themelore të monografisë, pikërisht në ato, që për  mendimin tonë, sjellin një  kontribut të ri, në ridimensionimin  e kësaj figure.

Së pari, prof. Petrika shquhet për një njohje të thelluar të historiografisë  botërore e asaj vendase  rreth Aliut, shoqëruar me një kritikë e polemikë serioze e profesionale, duke argumentuar pikëpamjet e tij, përballë veprave  themelore  të autorëve të tjerë, në rreth dy  shekuj, deri në ditët tona. Pikërisht kjo kritikë historiografike e gjerë dhe e detajuar e studimeve të deritanishme në këtë lëmë, përbën  një meritë  të padiskutueshme të këtij punimi. Kjo  metodikë, e një përballjeje  ballore me historiografinë rreth Aliut, bën që lexuesi të njohë më mirë këtë literaturë dhe pikëpamjet e autorëve të ndryshëm, ashtu dhe  veprimtarinë  e personalitetin e Aliut, si dhe këndvështrimet e risitë e autorit, në një vizion  më objektiv e të plotë  rreth tij.

E dyta, ky këndvështrim, është pikërisht në mbështetje të analizës së prof.Petrikës  rreth objektivit kryesor  të këtij punimi, shprehur që në titull, “Aliu  midis historisë  e  legjendës”, që fare bukur  konkretizohet në shprehjen  figurative që ai sjell, që “si një  korr sorrash, u voll kaq vrer mbi të, sa figura e tij u kthye në të kundërtën e tij, kurse meritat u mbuluan në llumin  mbi të”.  Autori e përcakton qartë që në Parathënie, që shtysa kryesore e ndërmarrjes së këtij  studimi, ishte ndër të tjera, “afrimi sa më afër të vërtetës, duke hequr dalëngadalë baltën e hedhur mbi të, si nga armiqtë e tij, personalë e politikë, nga shteti osman, apo shtete e perandori, që  u përpoqën ta shfrytëzojnë për qëllimet e tyre”.

Gjithnjë, në  këtë bosht themelor, autori i kushton vëmendje të veçantë prejardhjes dhe  formimit  të Ali Pashës, përballë tejkalimeve  e spekulimeve  të shumta me karakter negativ, shpesh të burimeve të përcipta e mbi një bazë  burimi të cekët. Ai  ndalet  këtu, jo si  një qëllim  në vetvete, por për ndriçimin  e plotë të Ali Pashës, mbështetur  gjithnjë  në argumente e analiza, në kontekstin  e zhvillimeve  specifike  të asaj periudhe.

Në  vijim të tezave të viteve të fundit të historiografisë shqiptare dhe të burimeve origjinale të sjella  nga autori, ai argumenton  qartë  e  bindshëm, se  familja tepelenase e Hysove, që i përkiste shtresës së bylykbashëve, ose të komandave ushtarake, të  rekrutuara nga  Porta e Lartë, ia doli që në kuadrin e  antagonizmit të fortë feudal, të hynte në radhët e aristokracisë së re feudale krahinore, e të zotëronte   edhe sanxhakun e Delvinës, konkretisht nga Veliu, i ati i Aliut, të cilit iu akordua  nga Porta e Lartë, edhe grada e Pashait. Mbi këtë bazë familjare, autori ndalet në  ngritjen e shpejtë të Aliut, në krye të forcave ushtarake të kohës, duke hedhur më tej hapa të sigurt në karrierën ushtarake dhe atë  qeverisëse,  duke vënë qartë në dukje, se Aliu nuk  ishte një “kaçak mali”, apo “hajdut rrugësh”,  por bir i një pashai, në radhët e oxhaqeve shqiptare të jugut të  territoreve  shqiptare. Nga viti 1784, kur ai mori gradën e pashait, edhe ky në krye të sanxhakut të Delvinës, nuk kaluan veçse tre vite, kur më 1787 vendosi sundimin e tij në  Janinë, dhe më 1810 ai zotëroi gjithë jugun e Shqipërisë dhe veriun e Greqisë, deri më 1822. Autori ka theksuar qartë, në këtë rrugëtim, jo vetëm eksperiencën e tij të pasur ushtarake e organizative, por edhe ambiciet e tij  të mëdha në rritje për pushtet, si dhe vizionin e tij të qartë për të ardhmen e pashallëkut.

Në disa  kapituj të tërë prof. Petrika, veçon  aftësitë organizative  e vetëqeverisëse  të Ali   Pashës, duke ndërtuar një aparat  administrativ efiçent, si në lëmin legjislativ, ligjor, financiar, ekonomik, ushtarak e kulturor dhe në marrëdhëniet me jashtë. Janë me shumë interes  të dhënat dhe analizat e ndikimit  evropian, apo depërtimi i elementëve  modernë, që u ndjenë kudo, me gjithë fondamentin osman, në një gërshetim me elementin feudal, që ndikuan në barazinë e të gjithë shtetasve, pa dallim etnie e feje përpara ligjit; në zhvillimin e ekonomisë dhe formësimin  qartësisht  të shtresës së konsoliduar të  mesme; në teknikat  bujqësore të përparuara; në përshtatjen me simbolikën perëndimore në fushën diplomatike; në vendosjen e rendit, ligjit dhe sigurisë për pronën  etj. Prof. Petrika vë në dukje  se elemente të tillë, janë  vënë në pah dhe nga  autorë të  tjerë edhe të hershëm, në studimet e tyre, si p.sh. studiuesi anglez, i gjysmës së dytë të shek.XIX, Martin Lik (Leake).  Sipas tij, “Aliu çeli rrugën e qytetërimit pasardhës…”,  se ai  “i hapi  rrugë trajtës  së plutokracisë së re” etj.

Në këtë kontekst, një meritë tjetër e autorit, është analiza e tij rreth karakterit të Pashallëkut të Janinës, duke  analizuar shkallën e varësisë së tij nga Perandoria Osmane: ishte  në varësi të drejtpërdrejtë  prej saj, një principatë  autonome, apo një shtet  i mirëfilltë?  Gjithnjë në një ballafaqim të  detajuar me autorë të tjerë, autori ndalet  sidomos në studiuesit shqiptarë, që nga Ahmet Myfid Libohova, autori i parë i një monografie rreth Aliut, botuar në Kajro në fillim të shekullit XX, tek autorë të mirënjohur  të pas Luftës II Botërore si: Stavri Naçi, Ligor Mile, Ilir Ushtelenca, Irakli Koçollari etj., që kanë evidentuar elementët e  autonomisë së  këtij  pashallëkun  e synimet e Aliut  për një  shkëputje të plotë nga Porta e Lartë. Autori  mbështet pikëpamjen  se Pashallëku i Janinës, si në  politikën e brendshme e të jashtme,  për aspekte  të caktuara e në rrethana  specifike historike,  mori  tiparet e një zotërimi, apo  njësie autonome brenda një formacioni  shtetëror  të tipit  feudal despotik, me karakter  etnik në shumicë  shqiptare, por  edhe greke, në një shtrirje të konsiderueshme territoriale. Por, ai thekson  qartësisht se,  ky pashallëk mbeti  një pjesë  territoriale osmane, që  zbatonte rregullisht detyrimet fiskale  e ato ushtarake dhe vetë sundimi i tij, me gjithë elementet e reja të depërtuara  nga Perëndimi, i ngjiste  Sulltanit, aq sa thirrej  dhe “Sulltani i Janinës”. Ai vë në  dukje se, duke mos gjetur  mbështetje  në faktorin  ndërkombëtar, që  ndërkohë ishte shprehur për status quo-në e Perandorisë Osmane, dhe në faktorë të tjerë brenda kësaj Perandorie, “Aliu e shtyu varësinë nominale ndaj Sulltanit, dhe në fund  u rrëzua”, duke mos arritur  të ndërtonte një njësi shtetërore të pavarur, që ishte synimi i tij themelor, duke përfunduar në  mënyrë fatale për të.

Si studiues i thelluar prof. Petrika, përcakton  shkaqet e rrëzimit të tij, duke analizuar njëkohësisht vlerën kombëtare të veprës së Aliut. Thuhet se historia ecën përpara dhe përmes  dështimeve. Në mbështetje  dhe të autorëve të tjerë, ai është  i mendimit, se megjithëse dështoi në synimet e tij për shkëputje të plotë nga  Perandoria  Osmane, “Aliu dhe vepra e tij patën një rëndësi të madhe për  shqiptarët…”; se Aliu, që jetoi e veproi në kohën kur  po lindnin  shtetet e pavarura në Ballkan; bashkëpunoi  me  organizatorët  e mbështetësit e Revolucionit Grek dhe kaloi në kryengritje  e përballje me Portën e Lartë, kishte përvetësuar ndërkohë  idetë  nacionaliste të krijimit  të shteteve moderne të pavarura, tezë kjo  sensibilizuese për studime të reja në të  ardhmen. Ai vë në dukje, se veprimtaria  e Ali Pashës, së bashku me atë të Bushatllinjve në veri të vendit, paraqet një  periudhë të ndërmjetme, një gur kilometrik në rrugën e  nacionalizmit shqiptar, nga protonacionalizmi, në fillesat e  nacionalizmit të  mirëfilltë shqiptar, në Rilindjen Kombëtare. Në vazhdë  të këtij konkluzioni, ai citon dhe shtypin kombëtar shqiptar të fundit  të shekullit XIX, fillimi i shekullit XX, ku kryengritjet e Ali Pashë Tepelenës, dhe e Mustafa Pashës në Shkodër, shihen “si shenja se shqiptarët u ringjallën dhe u ngritën, se ata ishin  të zotë të marrin  në dorë  lirinë e tyre”, duke vënë  një kufi ndarës  midis këtyre dy periudhave.

Duke e uruar autorin për këtë vepër  me  mjaft vlera për historinë tonë kombëtare të fundit  të shek.XVIII dhe të fillimeve të shek. XIX, konkretizuar në mënyrën më të plotë e më të thelluar të figurës sa të njohur, aq edhe të famshme të Ali Pashë Tepelenës, por dhe ngacmuese për studime të tjera të mëtejshme, vërejmë me kënaqësi se kjo monografi,  është e mirëpritur jo vetëm nga  radhët akademike e sidomos ato universitare, por do të jetë me shumë interes edhe për publikun e gjerë në të gjitha territoret shqiptare, ashtu dhe në diasporën shqiptare.

 

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here