Komisioni Europian njoftoi se ka disbursuar 90 milionë euro për Shqipërinë në kuadër të programit të ndihmës makro-financiare për të luftuar pandeminë e koronavirusit.
Sipas njoftimit të KE, Shqipëria është vendi i tetë që merr ndihmë financiare, nga paketa 3 miliardë euro e miratuar për të ndihmuar dhjetë shtete partnere dhe kandidate për t’u bërë pjesë e BE. Kjo është vetëm gjysma e shumës të cilën BE është zotuar se do të japë për Shqipërinë, ose 180 milionë euro.
“Ky disbursim do të kontribuojë për të përballuar pasojat e rënda negative socio-ekonomike të pandemisë së koronavirusit në Shqipëri. Ky virus nuk njeh kufij. BE i qëndron në krah Shqipërisë dhe qytetarëve të saj në këto kohë të vështira”, thuhet në njoftimin e KE. “Ky program është një dëshmi konkrete e solidaritetit të BE me Shqipërinë dhe qytetarët e saj në një kohë të paprecendetë krize”.