Kandidati për deputet i PD-së, Bardh Spahia për zgjedhjet e 25 prillit ka zhvilluar sot një takim me banorët e Bërdicës në Shkodër, ku ka dëgjuar nga afër shqetësimet e tyre.
Gjatë bashkëbisedimit me demokratin, banorët si kryefjalë të shqetësimit të tyre janë përmbytjet që shkaktohen në këtë zonë.
Ata i thanë kandidatit të PD Bardh Spahia se nuk kanë asnjë investim dhe asnjë mbështetje nga qeveria.
“Këtë herë na lanë të përmbytur 40 ditë, pa u kujtuar për ne. Na degraduan tokat fare. Këtë kanë bërë tetë vite me radhë.
Nuk shohim shtet askund, veç me na marrë, pa na dhënë asgjë. Po na bëjnë të ikim natën për hënë”, -i thonë banorët e zonës Bardh Spahisë.
Kandidati i PD për qarkun e Shkodrës vuri në dukje se largimi nuk duhet të jetë opsion, pasi Shkodra ka vuajtur shumë këto tetë vjet nga largimi i njerëzve. “U vënë në fyt këmbën njerëzve të thjeshtë e punëtorë, ndërsa me krimin dhe kriminelët bashkëpunim çdo ditë.
Keqqeverisja, dështimi është shkaku pse 89 mijë persona kanë ikur nga qarku Shkodër Ndryshimi i kësaj situate është emergjencë. Të gjithë bashkë më 25 prill të kontribuojmë për ndryshimin e madh”, -tha Bardh Spahia.