Me 16 tetor 2019, Kryetari i Bordit i AADF-së, Michael Granoff, i dorëzoi zyrtarisht autoriteteve shqiptare Planin e ri të Menaxhimit të Integruar (2020-2030) të Parkut Kombëtar të Butrintit, të hartuar nga një kompani britanike, për të cilin AADF-ja ka shpenzuar 250,000 dollarë. Jurisit i së drejtës ndërkombëtare, Agron Alibali në një artikull të gjatë, të para pak kohëve, na thotë se kjo “dhuratë” e shtrenjtë dhe e pakërkuar ofron disa të dhëna interesante
Ka një vështrim të paanalizuar për planin e menaxhimit të integruar, për vitet 2020-2030 të miratuar nga qeveria Rama. Me 16 tetor 2019, Kryetari i Bordit i AADF-së, Michael Granoff, i dorëzoi zyrtarisht autoriteteve shqiptare Planin e ri të Menaxhimit të Integruar (2020-2030) të Parkut Kombëtar të Butrintit, të hartuar nga një kompani britanike, për të cilin AADF-ja ka shpenzuar 250,000 dollarë. Jurisit i së drejtës ndërkombëtare, Agron Alibali në një artikull të gjatë, të para pak kohëve, na thotë se kjo “dhuratë” e shtrenjtë dhe e pakërkuar ofron disa të dhëna interesante. Sipas Alibalit, së pari, përmendim “sqarimin” në faqen 1, se “nuk jepet asnjë garanci që parashikimet apo treguesit [e Dokumentit] do të përmbushen”. Me fjalë të tjera, vetë autorët pranojnë se Plani i Menaxhimit nuk është Bibla. “Së dyti, Plani i Menaxhimit, sa i takon drejtimit, mbështetet në “modele të Siteve të Trashëgimisë Botërore në pronësi të përbashkët, (private, publike dhe jofitimprurëse), në kontekstin e një organizate të re jo fitimprurëse, që do të marrë përsipër menaxhimin dhe zhvillimin e sitit, ku shteti mban pronësinë e vlerave kulturore dhe natyrore në emër të tij”. Ky, pra është thelbi i strategjisë së planit të ri të menaxhimit, ku shteti kalon në rolin e sehirxhiut, dhe çelësat e Butrintit i merr “fondacioni i posaçëm i trashëgimisë kulturore”, i parashikuar në Nenin 171.2, dhe i përmendur më lart”.
Alibali na jep shembuj specifikë se si autorët e mbështesin strategjinë e tyre janë: Stonehenge, Kulla e Londrës, Versaja, qyteti romak i Pompeit, dhe Shërbimi Kombëtar i Parqeve në SHBA.
Juristi na tregon modeli e Shërbimit Kombëtar i Parqeve i SHBA-së, (National Park Service – NPS), që është agjenci shtetërore federale në varësi të Departamentit të Brendshëm (Department of Interior) në SHBA. NPS-ja, si instrument shtetëror, ka në pronësi federale dhe njëkohësisht menaxhon qindra parqe kombëtare në mbarë territorin amerikan, disa prej të cilave janë pjesë e Trashëgimisë Botërore. “Autorët e Planit të Menaxhimit me të drejtë përmendin se NPS-ja, “ka ofruar modelet dhe praktikat më të mira të menaxhimit të parqeve kombëtare, duke përfshirë …partneritetet publike private (për hotele, hostele, restorante dhe kampe)”. Autorët, pra, pranojnë vetë se roli i vetëm i çdo lloj partneri jo-shtetëror në menaxhimin e parqeve kombëtare, përfshirë “partnerë strategjikë”, është tek PPP-të “për hotele, hostele, restorante dhe kampe”. Pra, edhe në rastin e Parkut Kombëtar të Butrintit, çdo partner privat jo shtetëror, përfshirë AADF-në mund të hyjë në marrëdhënie partneriteti si PPP-ë me Ministrinë e Kulturës vetëm – përsërisim – “për hotele, hostele, restorante dhe kampe”. Kaq.”
Shembujt e siteve të tjera, që Alibali na përmend, të gjitha ato, përfshirë Stonehenge, janë në pronësi shtetërore dhe drejtohen, administrohen, apo menaxhohen përkatësisht nga shteti anglez, francez dhe italian, përmes organizmave specifikë administrative me strukturë dhe emërtime të ndryshme sipas legjislacionit të brendshëm dhe kurdoherë në përputhje me Konventën për Trashëgiminë Botërore të Parisit. “Në asnjë rast, në dijeninë tonë, drejtimi, administrimi apo menaxhimi i tyre nuk u besohen fondacioneve vendase private, aq më pak të huaja. Roli i fondacioneve është kryesisht filantropik. Më tej, edhe sa i takon menaxhimit ekologjik, biodiversitetit dhe zhvillimit e komunitetit, autorët e Planit të Menaxhimit të Integruar, citojnë si praktika më të mira parqet kombëtare amerikane në shtetet Vermont, Luisiana, Delaëare dhe Florida. Përsëri ata pranojnë vetë se këto site administrohen nga Shërbimi Kombëtar i Parqeve i SHBA-së, dhe jo nga fondacione private. Mirëpo, në kundërshtim me praktikat më të mira të administrimit të parqeve nga organizma administrative të Shteteve Palë, të cituara nga vetë autorët, Plani i propozuar i Menaxhimit të Integruar të Parkut Kombëtar të Butrintit paraqet në ff. 95-98 skemën se si realizohet kalimi i Parkut Kombëtar të Butrintit nën drejtimin, administrimin apo menaxhimin e një fondacioni të huaj, të quajtur me eufemizëm “partner strategjik”, në përputhje me “akrobacinë juridike” të parashikuar në Nenet 171-173 të Ligjit për Trashëgiminë Kulturore e Muzetë, 27/2018. Kjo njëmendësohet përmes ngritjes së një “fondacioni të ri”, si mbulesë juridike e partnerit strategjik.”, shpjegon Alibali.
Për juristin, fondacioni i Ri, nuk është gjë tjetër veçse “një sajesë juridike që ka për qëllim çështjen e shtetit shqiptar nga prerogativat sovrane për drejtimin, administrimin dhe menaxhimin e pasurive të veta kulturore dhe natyrore, në rastin tonë, të Parkut Kombëtar të Butrintit. Për më tepër, struktura e Fondacionit të Ri është në kundërshtim me frymën dhe germën e Konventës së Trashëgimisë Botërore të Parisit, që u njeh vetëm Shteteve Palë “detyrën për të siguruar identifikimin, mbrojtjen, konservimin, prezantimin dhe përcjelljen për brezat e ardhshëm të trashëgimisë kulturore dhe natyrore[…] që ndodhet në territorin e tij [dhe që]i takon në mënyrë parësore atij Shteti.” [Neni 4]. Struktura e propozuar është po ashtu në shkelje të Nenit 17 të Konventës së Trashëgimisë Botërore, që përcakton se roli i “fondacioneve” është për të “ftuar donacione”, dhe kurrsesi për qëllime drejtimi, menaxhimi apo administrimi. Dhe së fundi, struktura e propozuar është në kundërshtim me praktikat më të mira ndërkombëtare të cituara nga vetë autorët, sikurse u theksua më lart.”